Në Tiranë ndodhet, komisionerja e OSBE-së për Mediat, Dunja Mijatoviq, e cila qëndroi në Komisionin parlamentar të medias, duke u informuar mbi situatën më të fundit në vend në këtë drejtim.
Në fjalën e saj, ajo kërkoi që heqjen e shpifjes nga kodi penal, garantimin e një mjedisi me media vërtet të lira dhe të pavarura, si dhe procesin e dixhitalizimit.
“Unë do të doja që në ligj të kryhej dekriminalizimi i plotë i shpifjes, do të doja t’u ofroja asistencën e zyrës sime për t’i ndryshuar këto dispozita dhe për të bërë dekriminalizimin e plotë”, u shpreh komisionerja e OSBE-së. Ndërsa, deputeti i PD-së, Mark Marku, nënkryetar i komisionit, tha se janë raste shumë të rralla në këto 20 vitet e fundit, kur është kërkuar të dënohen për shkak të shpifjes ose të informacioneve të pavërteta të shprehura nga një gazetar ose organ mediatik.
“Qeveria e kryeministrit Sali Berisha që nga viti 2005 i ka ndaluar të gjithë zyrtarëve të administratës shtetërore që të ngrenë akuza për shpifje ndaj çdo organi mediatik. Lidhur me problemin e dekriminalizimit duhet të ndërmarrim hapa ligjorë për heqjen e tij”, theksoi Marku.
Një pikë e rëndësishme e diskutimeve ishte ajo për shpërndarjen e pabarabartë të reklamave shtetërore, me favorizimin dhe financimin me fonde publike mediat pranë qeverisë, duke diskriminuar kështu hapur mediat e tjera të pavarura. “Çështja e reklamave shtetërore mund të ndikojë në shpërndarjen e njëanshme të fondeve publike drejt disa mediave të preferuara. Një çështje tjetër është pavarësia e autoritetit rregullator KKRT, pavarësi e cila varet nga ligji, nëse ai duhet të ishte ndryshe dhe statusi i pavarësisë së saj do të ishte më i mirë derisa të kemi një kuadër më të fortë dhe derisa shteti i së drejtës duhet ta kufizojë atë. Unë si përfaqësuese e lirë e medias do t’i ngre këto çështje në mënyrë që qeveria të bëjë më të mirën e saj dhe t’i lërë mediat dhe gazetarët të punojnë të lirë”, tha Mijatoviq/BS/kohaislame