Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut Human Rights Watch, ka thënë se Qeveria komuniste e Kinës është duke kryer krime kundër njerëzimit sa i përket trajtimit të ujgurëve dhe grupeve tjera myslimane në rajonin e Ksinjiangut.
Udhëheqësia kineze është përgjegjëse për politikat sistematike të burgosjeve masive, torturimit dhe persekutimit kulturor, është thënë në raportin e ri të kësaj organizate, të publikuar më 19 prill. Në raport, Human Rights Watch bën thirrje për veprim të koordinuar ndërkombëtar, për të sanksionuar ata që janë përgjegjës, dhe për të rritur shkallën e përgjegjësisë, si dhe t’i bëjë presion Qeverisë kineze për të ndryshuar qasjen.
Shtetet e Bashkuara kanë përdorur termin gjenocid për të përshkruar trajtimin që po u bëhet ujgurëve. Kina, në anën tjetër, e mohon akuzën, duke e përshkruar situatën në Ksinjiang si çështje të brendshme.
Pekini pretendon se kampet në këtë rajon kanë qëllim trajnimet dhe synojnë të luftojnë ekstremizmin islamik.
Raporti i ri dokumenton një mori shkeljesh të të drejtave të njeriut si: ndalime arbitrare, zhdukje, vëzhgime masive, ndarje të familjeve, kthime të detyrueshme në Kinë, punë të detyrueshme, dhunë seksuale dhe shkelje të të drejtave për riprodhim. Autorët e raportit i bëjnë thirrje Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, që të krijojë një trup me autoritet për të hetuar pretendimet për krime kundër njerëzimit, të identifikojë zyrtarët përgjegjës për abuzime dhe të gjejë mënyra për t’i mbajtur ata përgjegjës.
Në raport rekomandohet edhe vendosja e ndalimit të marrjes së vizave për personat përgjegjës si dhe kufizime tregtare, në mënyrë që t’i jepet fund praktikës së punës së detyrueshme në Kinë.