Në Klinikën e Onkologjisë në QKUK është përuruar aparati i ri për radioterapi (rrezatim) për pacientët me kancer që është një investim me vlerë prej 1.5 milion euro.
Drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi, ka thënë se ky është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës, sidomos ata që vuajnë nga sëmundjet malinje.
“Ne kemi instaluar një aparat modern të trajtimit të pacientëve me rrezatim. Është një formë e re e rrezatimit e cila është standaridizuar në Evropë tash e disa vjet, por në Kosovë së fundmi edhe ne e kemi instaluar si aparaturë. Janë disa teknika që i quajmë IMRT dhe VMAT të cilat janë shumë më precize dhe e targetojnë tumorin shumë më saktë duke mos dëmtuar indet e shëndosha, ose duke i dëmtuar shumë më pak. Aparaturën që ne e kemi pasë i ka plotësuar kushtet deri diku se ka qenë e viteve 2005 dhe 2008. Kjo ka qenë një investim kapital, por benefitet janë shumë të mëdha”.
Kurtishi, në Sytë 7 në Klan Kosova, ka deklaruar se pacientët kosovarë me kancer nuk kanë nevojë të dalin jashtë vendit për ta marrë këtë trajtim të rrezatimit.
“Çmimet e shërbimeve për teknikat IMRT dhe VMT, në rajon, sillen nga 3000 deri në 5000 euro. Nevojat për këtë shërbim në Kosovë arrijnë në 1000 pacientë që është një kosto shumë e lartë, duke mos llogaritur shpenzimet që bën familja rreth pacientit dhe kohën që humb pacienti dhe familja kur dalin jashtë Kosovës. Me këtë aparaturë ne kemi ngritur cilësinë e shërbimit radioterapeutik në Klinikën e Onkologjisë, derisa brenda një viti shpresojmë që të kemi edhe një aparaturë të re moderne”.
Sa do të paguajë një qytetar i Kosovës për ta marrë këtë shërbim në Klinikën e Onkologjisë?
“Kostoja është zero. Nuk ka paguar as deri sot, meqenëse pacientët me sëmundje malinje janë të liruar nga pagesat por benefiti i kësaj aparature është shumë më i madh në mënyrën dhe kualitetin e trajtimit të tumoreve”.
Drejtori i Klinikës Onkologjike ka treguar se çdo vit në Kosovë janë 3 ose 4 përqind më shume persona të prekur me kancer.
“Në gjashtë muajt e parë të vitit 2021 kemi regjistruar rreth 800-810 raste të reja me kancer që në krahasim me vitin 2019 i bie rreth 5 përqind më shumë. Trendi është në rritje dhe këtë vit mund të përfundojmë me së paku 1500-1700 raste të reja”.