3.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Oksigjeni mjekësor: Pse ka mungesë dhe si bëhet?

Më të lexuarat

Vështirësia në frymëmarrje është një nga simptomat më të rënda të sëmundjes COVID-19. Po të shikojmë fotografitë nga spitalet në Indi dhe anembanë botës, ku shihen njerëz që presin në radhë të gjata për të siguruar bombola të oksigjenit, atëherë kuptohet se furnizimet me oksigjen mjekësor nuk janë aspak të lehta kudo në botë.

Pamjet nga India ku shfaqet mungesa e oksigjenit mjekësor janë më të fundit, por më herët skena të ngjashme janë parë edhe në Brazil, Republikën Demokratike të Kongos, Peru dhe Venezuelë, raporton AFP.

Mungesa e infrastrukturës dhe vështirësitë logjistike janë ndër arsyet.

Oksigjeni mjekësor është thelbësor për trajtimin e njerëzve me çrregullime të frymëmarrjes, qoftë në shtëpi apo në spitale. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një në pesë persona që vuan nga COVID-19, ka nevojë për oksigjen mjekësor për të siguruar që niveli i oksigjenit në gjakun e tyre është i mjaftueshëm.

Në muajin shkurt, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerësoi se brenda një dite, gjysmë milioni njerëz kishin nevojë për 1.2 milion bombola oksigjeni.

Unitaid është një iniciativë shëndetësore globale që ndihmon vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme për të luftuar sëmundjet infektive.

Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Philippe Duneton ka thënë se “kjo është një urgjencë globale që ka nevojë për një përgjigje me të vërtetë globale”.

Organizata ka identifikuar rreth 20 vende që përballen me vështirësi të mëdha në furnizimet me oksigjen, duke përfshirë Malavin, Nigerinë dhe Afganistanin.

Si bëhet oksigjeni mjekësor?

Oksigjeni bëhet në dy mënyra:

– Oksigjeni mjekësor: bëhet duke ndarë oksigjenin nga gazrat dhe papastërtitë e tjera që gjenden në ajër përmes shtypjes, filtrimit dhe pastrimit, sipas Air Liquide Sante France, një prodhues francez.

Një oksigjen i tillë mjekësor testohet në mënyrë të detajuar dhe arrin më shumë se 99.5 për qind pastërti.

Sipas kësaj kompanie ky oksigjen mund të kompresohet shumë në një formë të lëngshme, por duhet të mbahet nën -182 gradë Celsius. Kjo është mënyra më e mirë për të përmbushur kërkesat, pasi një litër oksigjen i lëngët është i barasvlershëm me rreth 800 litra kur është në formë normale gazi.

Bombolat që mund të mbajnë pacientët me një litër oksigjen të komprensuar përmbajnë rreth 200 litra oksigjen normal.

– Oksigjeni i kompresuar: bëhet përmes makinerive që mund të ndajnë azotin nga ajri i ambientit dhe arrijnë të rrisin nivelet e oksigjenit në rreth 93 për qind.

Për t’i shërbyer një spitali, makineritë mund të jenë të lëvizshme ose të mëdha. Megjithatë, këto sisteme nuk mund të mos plotësojnë kërkesat në rritje. Ato kërkojnë shumë energji elektrike dhe duhet të mirëmbahen rregullisht nga një teknik.

Kush janë prodhuesit kryesorë?

Përveç Kinës, tre prodhuesit kryesorë të oksigjenit mjekësor janë firma gjermane Linde, e cila është aleate me firmën Praxair në SHBA, kompania franceze Air Liquide dhe kompania amerikane Air Products.

Ekziston edhe një numër i madh i prodhuesve lokalë e rajonalë të oksigjenit mjekësorë, pasi është e vështirë të blihet nga vendet me distanca të gjata.

Vendet e industrializuara kanë më shumë furnizime, pasi prodhuesit furnizojnë jo vetëm sektorin e shëndetësisë, por edhe atë të çelikut dhe kimikateve.

Çfarë po bëhet për Indinë?

Në spitalet ku oksigjeni mjekësor mungon, ushtria indiane ka përdorur avionët e saj të mallrave për të transportuar cisterna me oksigjen.

Ushtria ka thënë gjithashtu se planifikon të importojë oksigjen mjekësor nga Gjermania.

Franca njoftoi se ka në plan të dërgojë pajisje të tilla që do të jenë në gjendje të prodhojnë oksigjen të mjaftueshëm për t’i shërbyer 10,000 pacientëve në ditë.

Ky vend gjithashtu planifikon të dërgojë 200 tonë oksigjen të lëngshëm në spitalet indiane.

Të mërkurën, më 28 prill, autoritetet indiane kanë thënë se në 24 orët e fundit kanë regjistruar 3,293 viktima me koronavirus, duke e çuar në mbi 200,000 totalin e viktimave në këtë shtet, prej shpërthimit të pandemisë.

Spitalet në Indi janë duke vazhduar që të përballen me mungesa të oksigjenit dhe pajisjeve tjera mjekësore.

Vala e dytë e pandemisë në Indi ka rezultuar me të paktën 300,000 persona të infektuar në ditë, gjithë javën e kaluar.

Ekspertët besojnë se shifrat zyrtare, që tregojnë se 18 milionë persona janë infektuar me koronavirus prej shpërthimit të pandemisë, nuk tregojnë saktë gjendjen në shtetin me 1.3 miliard banorë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit