Agjencitë e Kombeve të Bashkuara për shëndetësi, nëpërmjet një deklarate të përbashkët, u kanë bërë thirrje palëve të ndryshme në Siri, që t’i mbrojnë kapacitetet dhe personelin mjekësor.
Në deklartatë, agjencitë thonë se më se 60% e spitaleve publike të Sirisë janë dëmtuar ose nuk punojnë për shkak të luftës, derisa është vjedhur një numër i ambulancave ose ato janë dëmtuar rëndë.
Agjencitë thonë se ato janë “thellë të shqetësuara” për “implikimet serioze” që kjo situatë paraqet për “pacientët, personelin mjekësor dhe furnizimin e materialeve mjekësore kritike”.
Në deklaratë theksohet se sulmet kundër kapaciteteve mjekësore mund të konsiderohen krime të luftës sipas së drejtës ndërkombëtare, raporton AFP.
Këtë deklaratë të përbashkët e kanë publikuar UNICEF, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Operacionet humanitare të OKB-së./rel/kohaislame.com