Zyra e komisionerit të lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut informoi se do të pushojë së publikuari raporte mbi numrin e viktimave të luftës civile në Siri.
Në një deklaratë publike, zyra pranoi gjatë së martës se për shkak të përshkallëzimit të konfliktit, e ka pasur të pamundur të verifikojë të dhënat që i vijnë nga terreni që prej muajit Korrik të vitit të shkuar.
Në raportimin e fundit zyrtar, numri i të vrarëve vlerësohej si të paktën 100 mijë.
Zëdhënësi i OKB-së, Rupert Colville, justifikoi këtë vendim me “pamundësinë në rritje të organizatës për të pasur akses në zonat e luftimit dhe ndaj informacionit që lidhet me veprimet ushtarake”.
Skema vlerësuese e OKB-së perqendrohej ne analizimin e të dhënave të marra nga agjentët në terren dhe verifikimin e tyre me të dhënat e gjashtë organizatave të tjera të pavarura, por në muajt e fundit, informacioni mbi numrin e viktimave të konfliktit është bërë githmonë edhe më i paqartë.
Sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, një tjetër organizatë e mirënjohur me qendër në Londër, numri i viktimave gjatë 3 viteve të luftës civile i ka kaluar të 130 mijët.
Ndërkohë, rreth 4 milionë sirianë jetojnë në kampet e refugjatëve jashtë Sirisë, ndërsa miliona të tjerë kanë mbetur të pastrehë dhe ndodhen në kushte të mjerueshme brenda vendit. /tch/kohaislame