Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i ka ftuar të martën Kosovën e Serbinë që ta vazhdojnë dialogun, si dhe të përmbahen nga veprimet e dhunshme në pjesën veriore të Mitrovicës ku situata është cilësuar si e brishtë. Thirrja në adresë të dy shteteve është bërë me rastin e diskutimit të raportit për Kosovën të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon.
Thirrjen për vazhdim të dialogut e ka bërë edhe përfaqësuesi i OKB-së në Kosovë, shefi i UNMIK-ut, Ferid Zarif. Në fjalimin e tij para anëtarëve të OKB-së, Zarif e ka vlerësuar më se të nevojshëm vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, duke kërkuar kështu edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.
“Vazhdimi i dialogut është shumë i rëndësishëm për të dyja palët, siç është thënë edhe në raportin e sekretarit të përgjithshëm se të gjitha këto angazhime dhe përkushtime dhe çfarëdo lloj mosharmonie në interpretimin e këtyre marrëveshjeve nuk do të duhej të ishin pengesë për zbatimin e tyre”, ka deklaruar Zarif.
Ai është shprehur optimist se dialogu do të vazhdojë edhe nga Qeveria e re serbe.
Në fjalimin e tij gjatë seancës së OKB-së Thaçi ka theksuar se “shtetësia e Kosovës është fakt politik dhe juridik”. Duke e përmendur vizitën e sekretarit Ban Ki Moon, në Kosovë, kryeministri Thaçi ka deklaruar: “Sekretari i përgjithshëm ishte në gjendje për të parë gjatë vizitës së tij, se shteti i Kosovës, vendi im, është ndër shembujt më të suksesshëm të shtetndërtimit në kuadër të misioneve të ndryshme të paqes në pjesë të ndryshme të botës gjatë dekadave të fundit”. Kryeministri ka folur edhe për veriun e Kosovës, duke treguar se Qeveria të cilën e drejton ai do të nis dialogun e brendshëm me serbët Kosovës në komunat veriore, për të diskutuar situatën ekzistuese atje.
Kurse kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka përsëritur se shteti i tij nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, porse do të vazhdojë të jetë pjesë e dialogut dhe do të angazhohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Por, sipas tij, dialogu tashmë duhet të zhvillohet në nivel më të lartë. “Dialogu duhet të vazhdojë por kjo nuk varet nga ne. Ne jemi të përkushtuar për nivelin e lartë të bisedimeve, sepse çështjet e ngelura të pazgjidhura nuk mund të anashkalohen dhe për këtë duhet vullneti politik për ndonjë kompromis nga të dyja palët, sepse Beogradi nuk mund të qëndrojë duke dhënë dhe Prishtina duke marrë. Ambasadori i Britanisë së Madhe në KS të OKB-së, Mark Lyall Grant, i ka ftuar Prishtinën e Beogradin që të vazhdojnë dialogun. Por të dyja shteteve ua ka kujtuar obligimet që u takojnë në këtë proces.
Kurse ambasadori i Gjermanisë në KS të OKB-së, Peter Wittig, i ka inkurajuar përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë që të vazhdojnë dialogun, duke ua kujtuar se ai është parakusht për integrimin e dy shteteve në BE./koha/kohaislame