Analisti politik dhe shkrimtari Ahmed ez-Zerka, në lidhje me krizën politike në Jemen, thekson se OKB ka dështuar në prodhimin e një zgjidhjeje politike
SANA (AA) – Në konferencën e organizuar të martën për gjetjen e zgjidhjes për krizën në Jemen e cila përkeqësohet çdo ditë e më shumë për shkak të luftimeve që zgjasin prej më shumë se dy vitesh, Kombet e Bashkuara (OKB) arritën të marrin zotime për donimin e 1,1 miliard dollarëve, megjithatë, thuhet se OKB nuk ka bërë mjaftueshëm për prodhimin e një zgjidhjeje politike për krizën.
Edhe pse në “Konferencën e Lartë për Ndihmë lidhur me Krizën Humanitare në Jemen” u sigurua vetëm gjysma e 2,1 miliardë dollarëve të kërkuar për mbështetje humanitare, drejtuesit e OKB-së shprehën kënaqësi në lidhje me këtë, gjë që tregon se ata nuk kishin pritur madje mbështetje në shkallë të këtillë për thirrjet e tyre.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, duke folur në një konferencë për media pas konferencës, i falënderoi pjesëmarrësit në konferencë, organizatat e ndryshme dhe organizatat e shoqërisë civile “për bujarinë dhe solidarizimin e treguar”.
“Duhet të gjendet rrugëdalje politike”
Analisti politik dhe shkrimtari Ahmed ez-Zerka, duke folur për AA në lidhje me krizën politike në Jemen dhe konferencën për gjetjen e zgjidhjes për gjendjen humanitare, thekson se OKB ka dështuar në prodhimin e një zgjidhjeje politike.
Zerka e cilëson si “sëmundje të madhe” puçin e lëvizjes Husi ndaj qeverisë legjitime dhe shkatërrimin e autoritetit shtetëror, duke shtuar se “Ajo që u ndërmor nuk ishte gjetje e një zgjidhjeje të vërtetë për sëmundjen aktuale, por përpjekje për t’i mënjanuar efektet anësore.”
Duke vënë theksin mbi rëndësinë e zgjidhjes politike, Zerka shprehet: “Si do që të jetë, zgjidhja pjesërisht nuk largon shkaqet e krizës humanitare. Komuniteti ndërkombëtar duhet të gjejë rrugëdalje politike duke ushtruar presion ndaj lëvizjes Husi, por deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.”
Zerka thekson se zotimet e dhëna në konferencë nuk mbulojnë sasinë e nevojshme për plotësimin e mungesën ushqimore të OKB-së që ka arritur në nivele serioze.
Ai po ashtu tërheq vëmendjen edhe drejt çështjes së mbajtjes së zotimeve të dhëna. “Zbatimi i fjalëve të dhëna kërkon kohë dhe procedura të ndërlikuara. Asnjë shumë nuk mjafton për t’i plotësuar nevojat që burojnë nga rrethanat në vend, lufta civile dhe korrupsioni që është përhapur në institucione”, thotë Zerka.
Zerka shprehet gjithashtu se lëvizja Husi pengon arritjen e ndihmave.
Ndërkaq, Koordinatori i OKB-së për Çështje Humanitare në Jemen, Jamie McGoldrick, i pyetur gjatë një prononcimi për radion e OKB-së në lidhje me atë se kur do të zbatohen zotimet e dhëna gjatë konferencës për mbështetje financiare, theksoi:
“Duhet të them haptazi se do të ishte mirë sikur shumat e premtuara të arrinim t’i tubonim gjatë konferencës. Kemi nevojë të për ndihmë financiare urgjente për të ndërmarrë iniciativa për shpëtimin e popullit të pashpresë të Jemenit dhe për të luftuar kundër krizës së mundshme të urisë që mund ta kaplojë vendin gjatë këtij viti.”