OJQ – Në shërbim të imperializmit[1]
James Petras, departamenti i Sociologjisë, Universiteti Binghamton Titulli i artikullit: NGOs: In the Service of Imperialism
Titulli i zhurnalit: Journal of Contemporary Asia; vëllimi 29, nr.4; viti i publikimit 1999; faqe 429.
Përgjatë historisë, klasat sunduese, që përfaqësojnë minoritete të vogla, gjithmonë janë varur nga aparati detyrues shtetëror dhe nga institucionet shoqërore për të mbrojtur pushtetin, përfitimet dhe privilegjet e tyre. Në të kaluarën, veçanërisht në Botën e Tretë[2], klasat imperialiste financuan dhe mbështetën institucionet religjioze në vend dhe jashtë vendit për të kontrolluar njerëzit e eksploatuar dhe për t’ia ndryshuar drejtimin pakënaqësive të tyre për në rivalitete e konfliktet religjioze e shoqërore.
Ndërsa këto praktika vazhdojnë edhe sot, në dekadat e fundit u shfaq një institucion shoqëror, i cili kryen funksionin e njëjtë të kontrollit dhe të hutimit ideologjik – të vetëquajturat organizata joqeveritare (OJQ-të).
Sot, në Botën e Tretë ka së paku 50 000 OJQ që marrin mbi 10 miliardë dollarë në financime nga institucionet ndërkombëtare, nga agjencitë qeveritare euro-ameriko-japoneze dhe nga qeveritë lokale.
Menaxherët e OJQ-ve më të mëdha shfrytëzojnë buxhete miliona dollarëshe me rroga e beneficione që mund të krahasohen me udhëheqësit e kompanive të mëdha (CEO-të). Ata udhëtojnë me aeroplanë nëpër konferenca ndërkombëtare, këshillohen me drejtorët e me financierët më të mirë të korporatave dhe marrin vendime politike që ndikojnë – në shumicën e rasteve negativisht – në miliona njerëz … sidomos në të varfrit, në gratë dhe në punëtorët joformalë.
OJQ-të janë aktorë të rëndësishëm politik e shoqëror në mbarë botën, të cilët operojnë në vende rurale e urbane të Azisë, të Amerikës Latine dhe të Afrikës, dhe shpesh janë të lidhura në role vartësie me donatorët e tyre parimor në Evropë, në Amerikë dhe në Japoni.
Mungesa e kritikave majtiste[3] ndaj ndikimit negativ të OJQ-ve është një simptomë e përhapjes së gjithanshme të OJQ-ve dhe fuqisë së tyre ekonomike e politike në të ashtuquajturën “botë përparimtare.” Në pjesë të madhe, ky dështim vjen për shkak të suksesit të OJQ-ve në zhvendosjen dhe shkatërrimin e lëvizjeve të organizuara majtiste dhe absorbimit të strategëve intelektualë dhe udhëheqësve organizativ të tyre.
Sot, shumica e zëdhënësve të lëvizjeve të majta e popullore i përqendrojnë kritikat e tyre ndaj FMN-së (Fondit Monetar Ndërkombëtar), Bankës Botërore, korporatave multinacionale, bankave private, etj., të cilët e ujdisin agjendën makroekonomike[4] për të plaçkitur Botën e Tretë. Dhe kjo është një detyrë tepër e rëndësishme. Mirëpo, dhunimi i bazës industriale, i pavarësisë dhe i standardeve jetësore të Botës së Tretë ndodh edhe në nivelin makroekonomik, edhe në atë mikroekonomik[5].
Ndikimi tronditës i politikave të rregullimit strukturor në pagat e punëtorëve, të fshatarëve dhe të biznesmenëve të vegjël kombëtarë prodhon pakënaqësi potenciale popullore. Këtu hyjnë në skenë OJQ-të për të mjegulluar dhe për të shmangur pakënaqësinë nga sulmet e drejtpërdrejta ndaj strukturës korporato-bankare dhe profiteve drejt mikro-projekteve lokale dhe vetë-eksploatimit apolitik të grupimeve apo lëvizjeve popullore (grassroots) si dhe drejt “edukimit popullor” i cili shmang nga analiza klasore[6] e imperializmit dhe e eksploatimit kapitalist.
OJQ-të ne mbarë botën janë bërë transportuesi më i ri për ngritjen e klasave të edukuara ambicioze: akademikët, gazetarët, dhe profesionistët kanë lënë ekskursionet e mëhershme në lëvizjet e Majta të shpërblyera dobët për një karrierë fitimprurëse e të menaxhuarit një OJQ, duke sjellë me vete aftësitë e tyre organizative dhe retorike krahas një fjalori të caktuar popullor.
Sot, ka mijëra drejtorë të OJQ-ve të cilët vozisin vetura 40 000 dollarëshe nga shtëpitë apo apartamentet e tyre moderne për në zyrat e mobiluara mirë, me oborre të siguruara nga rojet. Ata kalojnë më shumë kohë në shtetet e jashtme, nëpër konferencat ndërkombëtare mbi varfërinë, sesa në fshatrat me baltë të vendeve të tyre. Udhëheqësit e OJQ-ve janë një klasë e re, që nuk bazohen në pronësinë e pronës apo në resurset qeveritare, por në atë çka nxjerrin nga fondet imperialiste dhe nga kapaciteti i tyre për të kontrolluar grupe të rëndësishme popullore. Udhëheqësit e OJQ-ve mund të mendohen si njëfarëlloj grupi prodhuesish që nuk prodhojnë ndonjë artikull të dobishëm, por funksionojnë për të prodhuar shërbime për vendet donatore, kryesisht duke tregtuar në varfërinë vendore për interesa individuale.
Pohimet zyrtare që bëhen nga drejtorët e OJQ-ve për të justifikuar pozitën e tyre – atë të luftimit të varfërisë, pabarazisë, etj. – i shërbejnë vetëm qëllimeve të tyre dhe janë vetëm në dukje të vërteta. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes rritjes së OJQ-ve dhe rënies së standardeve jetësore: shtimi i OJQ-ve nuk ka zvogëluar papunësinë strukturore, zhvendosjen masive të fshatarëve, dhe as nuk ka ofruar nivel të pagës për një jetesë të përshtatshme për armatën në rritje të punëtorëve joformalë. Ajo çka bënë OJQ-të është furnizimi i një shtresë të hollë profesionistësh me të hyra në formë të valutës së fortë[7] për t’u ikur dëmeve të shkatërrimit të ekonomisë neo-liberale[8], e cila e dëmton vendin dhe popullin e tyre, si dhe për t’u ngjitur në strukturën klasore ekzistuese të shoqërisë.
Kjo, vërtet, është në kontrast me vetë-portretizimin që funksionarët e OJQ-ve i bëjnë vetes së tyre. Sipas komunikatave të tyre për shtyp dhe diskurseve publike, ata përfaqësojnë një Mënyrë të Tretë mes “statizmit[9] autoritar” dhe “kapitalizmit të egër të tregut”: ata e përshkruajnë veten e tyre si pararojë e “shoqërisë civile,” që operon në skutat e “ekonomisë globale.” Qëllimi i zakonshëm që më së shumti jehon në konferencat e OJQ-ve është “zhvillimi alternativ.”
Prostituimi me frazat rreth “shoqërisë civile” është një ushtrim në zbrazëtirë. “Shoqëria civile” nuk është një njësi e virtytshme unitare – ajo përbëhet nga klasat që, mbas gjase, kurrë s’kanë qenë më të ndara. Shumica e padrejtësive më të mëdha kundër punëtorëve në shoqërinë civile bëhen nga ana e bankierëve të pasur, të cilët shtrydhin pagesa kamatare tepër të larta nga borxhi i brendshëm; nga ana e pronarëve të tokave që i dëbojnë fshatarët nga toka, dhe nga kapitalistët industrialistë që i rraskapitin punëtorët me paga që i bëjnë të vuajnë nga uria.
Duke folur rreth “shoqërisë civile,” pjesëtarët e OJQ-ve mjegullojnë ndarjet e thella klasore, eksploatimin klasor dhe luftën klasore që polarizon “shoqërinë civile” bashkëkohore.” Ndërsa në aspektin analitik është i padobishëm dhe ngatërrues, koncepti i “shoqërisë civile” mundëson ndërveprimin e OJQ-ve me interesat kapitaliste, të cilat financojnë institutet e tyre dhe u lejojnë atyre t’i orientojnë projektet dhe pasuesit e tyre drejt marrëdhënieve vartëse me interesat e bizneseve të mëdha që drejtojnë ekonomitë neo-liberale.
Veç kësaj, retorika jo e rrallë e shoqërisë civile që vjen nga pjesëtarët e OJQ-ve, është një dredhi për të sulmuar programet përfshirëse publike dhe institucionet e shtetit që ofrojnë shërbime publike. Përfaqësuesit e OJQ-ve marrin anën e bizneseve të mëdha dhe, po ashtu, bëjnë retorikë “anti-statiste” (njërën në emër të “shoqërisë civile,” tjetrën në emër të “tregut”) për të rishpërndarë resurset shtetërore.
Ndryshe nga siç vetë-portretizohen përfaqësuesit e OJQ-ve, të cilët e shohin veten e tyre si udhëheqës të avancuar popullor, ata, në fakt, janë reaksionarë që vijnë nga populli, të cilët plotësojnë punën e Fondit Monetar Ndërkombëtar duke e shtyrë privatizimin “nga poshtë” dhe duke demobilizuar lëvizjet popullore nëpërmjet gërryerjes së themeleve të rezistencës.
Origjina e Strukturës dhe e ideologjisë së OJQ-ve
OJQ-të duken të kenë një rol kontradiktor në politikë. Në njërën anë, ata kritikojnë diktaturën dhe shkeljen e të drejtave të njeriut; në anën tjetër, ata bëjnë gara me lëvizjet radikale socio-politike në orvatjen për të kanalizuar lëvizjet popullore në marrëdhënie bashkëpunuese me elitat dominuese neo-liberale. Në të vërtetë, këto orientime politike nuk janë edhe aq kontradiktore siç duket të jenë.
Me një analizë të rritjes dhe shtimit të OJQ-ve në çerekun e shekullin të fundit gejmë që OJQ-të u shfaqën në tri vija rrethanash. Së pari, si një strehë e sigurt për intelektualët disidentë gjatë diktaturave, ku atyre u mundësohej të ndiqnin çështjen e shkeljeve e të drejtave të njeriut dhe të organizonin “strateg’i mbijetuese” për viktimat e programeve të ashpra. Këto OJQ humanitare, ndërkaq, ishin të kujdesshme të mos dënonin publikisht rolin e bashkëpunimin amerikan dhe evropian me shkelësit lokalë e të drejtave të njeriut, dhe as të kritikonin shfaq’en e politikave të “tregut të lirë” të cilat varfëruan masat.
Kështu, përfaqësuesit e OJQ-ve u pozicionuan strategjikisht si “demokratë,” të cilët do të ishin në dispozicion për ndonjë zëvendësim politik në klasën e pushtetit lokal, dhe si politik-bërës imperialistë, kur pushtetarët represivë nisin të sfidohen seriozisht nga lëvizjet masive popullore. Financimi perëndimor i OJQ-ve si kritikues ishte një lloj blerjeje e sigurisë në rast se do të ligështoheshin reaksionarët mbështetës. Ky ishte rasti me OJQ-të “e rëndësishme” që u shfaqën gjatë reg’imit të Markosit në Filipine, regjimit të Pinoshetit në Kili, diktaturës së Parkut në Kore, etj.
Rritja e madhe e numrit të OJQ-ve ndodh në kohën e paraqitjes së lëvizjeve masive të cilat sfidojnë hegjemoninë imperialiste. Shtimi i përpjekjeve dhe i lëvizjeve radikale socio-politike ofroi një artikull fitimprurës, të cilin ish-radikalët dhe pseudo-intelektualët e popullarizuar do të mund t’ua shitnin të interesuarve, të brengosurve dhe fondacioneve private e publike të financuara mirë e të lidhura ngushtësisht me qeveritë evropiane dhe amerikane.
Revoltat popullore zgjidhën spangon e kuletave të agjencive jashtë vendit dhe me miliona u derdhën në Indonezi, në Tajlandë dhe Peru në vitet 70 (1970); në Nikaragua, Kili, dhe Filipine në vitet 80; në el-Salvador,
Guatemalë, Kore në vitet 90. Përfaqësuesit e OJQ-ve, në fakt, u gjenden aty për të “shuar zjarrin.” Nën maskën e projekteve konstruktive, ata argumentonin për angazhimin në lëvizjet ideologjike, duke përdorur efektshëm fondet e huaja për rekrutimin e udhëheqësve lokalë, pastaj për t’i dërguar në konferenca për të dëshmuar, ndërsa i inkurajonin efektshëm grupet lokale për të adoptuar realitetin e neo-liberalizmin.
Kështu, paratë nga jashtë u bënë të arritshme dhe OJQ-të u shtuan duke i ndarë komunitetet, ku secili “aktivist nga shtresa popullore” skajonte një segment të ri të të varfërve (gratë, të rinjtë nga minoritetet, etj) për të themeluar një OJQ të re dhe për të ndërmarrë një pelegrinazh në Amsterdam, Stockholm, etj., me qëllim që të “reklamojë” projektin e tyre, aktivitetin, zonën elektorale, dhe për të financuar qendrën e tyre – dhe karrierat e tyre.
Rrethana e tretë në të cilën OJQ-të u shumëzuan ishte gjatë krizave ekonomike të shpeshta dhe në rënie, të nxitura nga kapitalizmi i tregut të lirë. Intelektualë, akademikë dhe profesionistë panë të zhdukeshin vendet e punës apo të uleshin pagat ndërsa ndodhnin zvogëlimet e buxhetit: një vend i dytë pune u bë i domosdoshëm. OJQ-të u bënë agjenci për gjetje të vendeve të punës dhe një rrjetë sigurie për intelektualët në rënie, të gatshëm për të deklamuar linjën e një shoqërie civile dhe të tregut të lirë dhe për të mbartur politikat bashkëpunuese me regjimet neo-liberale dhe me institucionet financiare ndërkombëtare.
Kur miliona njerëz humbasin vendet e tyre të punës dhe varfëria përhapet në brezat e rëndësishëm të popullsisë, OJQ-të angazhohen në një aksion parandalues: ata përqendrohen në “strategjitë mbijetuese,” jo në greva të përgjithshme; ata organizojnë kuzhina publike, jo demonstrata kundër tubuesve të ushqimit, regjimeve neo-liberale dhe imperializmit amerikan.
Ndërsa OJQ-të fillimisht mund të kenë pasur një ngjyrim të paqartë “progresiv” gjatë të ashtuquajturave “tranzicione demokratike,” kur rendi i vjetër po rrënohej dhe pushtetarët e korruptuar po humbnin kontrollin ndërsa përpjekjet popullore po avanconin, OJQ-të u bënë mjet transporti për transaksionet mes regjimeve të vjetra dhe politikanëve elektoralë konservatorë.
OJQ-të përdorën retorikën popullore, resurset organizative dhe statusin e tyre si avokatë të të drejtave “demokratike” njerëzore për të kanalizuar mbështetjen popullore mbrapa politikanëve dhe partive të cilat e kufizonin tranzicionin vetëm në reforma ligjoro-politike, jo në ndryshime socio-ekonomike.
OJQ-të e demobilizuan popullatën dhe i fragmentuan lëvizjet. Në çdo vend që përjetoi “transaksion elektoral” në vitet 1980 dhe 1990, nga Kili deri te Filipinet dhe Korea Jugore, OJQ-të luajtën një rol të rëndësishëm në mbledhjen e votave për regjimet që vazhduan apo, madje, dhe thelluan status kuon socio-ekonomike. Në shkëmbim, shumë ish- përfaqësues të OJQ-ve përfunduan duke udhëhequr agjenci qeveritare apo dhe duke u bërë ministra me tituj të popullarizuar (të drejtat e gruas, pjesëmarrja e qytetarëve, fuqia popullore, etj.)
Struktura e OJQ: së brendshmi elitare, së jashtmi servile
Në fakt, OJQ-të s’janë organizata “joqeveritare.” Ato marrin fonde nga qeveritë e jashtme, punojnë si nën-kontraktues të qeverive lokale dhe/apo financohen nga fondacionet private të financuara nga korporatat që kanë lidhje të afërta me shtetin. Shpesh ata haptazi bashkëpunojnë me agjenci qeveritare në vend dhe jashtë vendit.
Programet e tyre nuk u japin përgjegjësi njerëzve lokalë, por donatorëve të huaj, të cilët “inspektojnë” dhe “mbikëqyrin” performansën e OJQ-ve sipas kritereve dhe interesave të tyre.
Zyrtarët e OJQ-ve vetë-emërohen dhe një nga detyrat kryesore të tyre është përpilimi i propozimeve që do të sigurojnë fonde. Në shumë raste, kjo kërkon që udhëheqësit e OJQ-ve të gjejnë çështje që u interesojnë më së shumti elitës financuese dhe ta përshtatin propozimin sipas kësaj.
Kështu, në vitet 1980, fondet e OJQ-ve ishin në dispozicion për të studiuar dhe ofruar propozime politike mbi “mundësinë qeverisëse” (kontrollin) dhe “tranzicionin demokratik,” gjë që reflektonte shqetësimet e fuqive imperialiste se rënia e diktaturave do të shkaktonte “pamundësi qeverisjeje” (pamundësi kontrolli) – domethënë, shtimin e përpjekjeve të lëvizjeve masive për të transformuar sistemin social.
OJQ-të, pavarësisht retorikës së tyre demokratike e popullore, janë hierarkike, me një drejtor me kontroll total mbi projektet, që merr në punë e përjashton nga puna, dhe që vendos se kujt t’i paguhet udha për në konferencat ndërkombëtare. Njerëzit që përfaqësohen (grassroots)janë objekte të këtij hierarku; ata rrallë shohin paratë që OJQ-ja e “tyre” merr; ata nuk udhëtojnë jashtë vendit dhe as nuk marrin paga apo beneficione si të udhëheqësve të tyre. Veç kësaj, asnjë nga këto vendime nuk votohet. Në rastin më të mirë, marrëveshjet zihen nga drejtori dhe financuesit jashtë vendit, kurse stafi i OJQ-së do të thërrasë një mbledhje të “aktivistëve të komunitetit” nga të varfrit për të aprovuar projektin.
Në shumicën e rasteve, OJQ-të nuk janë madje as organizata me anëtarësi, por një elitë e vetë-emëruar, e cila, nën pretendimin e të qenët “resurs popullor” për lëvizje popullore, në fakt, garon me ta dhe gërmon nën ta. Në këtë kuptim, OJQ-të gërmojnë nën demokracinë duke nxjerrë programet sociale dhe debatin publik nga dora njerëzve lokalë dhe nga udhëheqësit e zgjedhur të tyre dhe duke krijuar një varësi nga të pazgjedhurit, nga zyrtarët e huajdhe nga zyrtarët e tyre lokalë.
OJQ-të kultivojnë një lloj të ri të kolonializmit kulturor e ekonomik nën maskën e një internacionalizmi të ri. Qindra individë ulen para kompjuterëve dhe shkëmbejnë manifeste, propozime dhe ftesa për konferenca ndërkombëtare me njëri-tjetrin. Pastaj, ata takohen në salla të mobiluar mirë për të diskutuar përpjekjet dhe ofertat më të reja me “bazën shoqërore” – stafin e paguar – të cilët pastaj ia përcjellin propozimet “masës” nëpërmjet fletushkave dhe buletineve. Kur financuesit e jashtëm shfaqen, ata dërgohen në një “ekskursion njoftues” për të parë projektet ku të varfrit i ndihmojnë vetes së tyre dhe për të folur me mikro-ndërmarrësit e suksesshëm (duke lënë jashtë shumicën të cilët dështojnë në vitin e parë).
Mënyra e funksionimit të këtij kolonializmi të ri s’është vështirë të deshifrohet. Projektet përpilohen bazuar në direktivat dhe prioritetet e qendrave imperialiste dhe institucioneve të tyre, pastajato u “shiten” komuniteteve, ndërsa vlerësimet kryhen për dhe nga institucionet imperialiste. Ndryshimi i prioriteteve të financimit apo vlerësimi i keq rezulton në lënien e grupeve, komuniteteve, fermerëve dhe kooperativave. Secili vazhdimisht disiplinohet për t’u pajtuar me kërkesat e donatorëve dhe me vlerësuesit e tyre të projekteve. Drejtorët e OJQ-ve, si nën-mbretër të rinj, mbikëqyrin dhe sigurojnë përputhjen me synimet, vlerat dhe ideologjinë e donatorëve dhe përdorimin me vend të fondeve.
Ideologjia e OJQ-ve kundër lëvizjeve radikale socio-politike
OJQ-të vejnë theksin në projekte, jo në lëvizje; ata “mobilizojnë” njerëzit për të prodhuar në margjina, jo për t’u përpjekur që të kontrollojnë mënyrat bazike të prodhimit dhe të pasurisë; ata përqendrohen në aspektet teknike financiare të projekteve, jo në gjendjet strukturore që i japin formë jetës së përditshme.
OJQ-të e përvetësuan gjuhën e Majtistëve: “fuqia popullore,” “barazia gjinore,” “zhvillimi i qëndrueshëm,” “udhëheq’a nga poshtë,” etj. Problemi qëndron në atë se kjo gjuhë ka të bëjë me një kornizë bashkëpunimi me donatorët dhe me agjencitë qeveritare të cilat ia nënshtrojnë aktivitetin politikës jokonfrontuese.
Natyra lokale e aktivitetit të OJQ-së do të thotë se “autorizimi” asnjëherë nuk shkon përtej ndikimit në sferat e vogla të jetës, me resurse të kufizuara dhe brenda kushteve të lejuara nga shteti neo-liberal dhe nga makro-ekonomia.
OJQ-të dhe stafi i tyre profesional drejtpërsëdrejti garojnë me lëvizjet socio-politike për ndikim te të varfrit, të gratë, te të përjashtuarit për arsye racore, etj. Ideologjia dhe praktika e tyre heq vëmendjen nga burimet dhe zgjedhjet për problemin e varfërisë (duke shikuar poshtë dhe brenda, në vend se të shikohet përpjetë dhe jashtë).
Të folurit për mikro-ndërmarrje në vend të eksploatimit që bëjnë bankat e jashtme si zgjidhje për varfërinë bazohet në nocionin e rremë se problemi qëndron tek iniciativa individuale më parë sesa te transferimi i të hyrave jashtë vendit.
“Ndihma” e OJQ-ve ndikon në sektorë të vegjël të popullsisë duke vendosur gara mes komuniteteve për resurse të pamjaftueshme dhe duke gjeneruar një dallim tinëzar dhe rivalitet në komunitet dhe ndër komunitete, duke e gërmuar kështu solidaritetin klasor.
E njëjta gjë vlen edhe për profesionistët: secili themelon një OJQ për të marrë financim nga jashtë. Ata garojnë në parashtrimin e propozimeve sa më afër pëlqimit të donatorëve të jashtëm për çmime më të ulëta ndërsa pohojnë se flasin në emër të një numri më të madh pasuesish.
Efekti i rrjetës është shtimi i OJQ-ve të cilat i fragmentojnë komunitetet e varfra në grupime sektoriale dhe nën-sektoriale, të cilat as nuk kanë mundësi ta shohin kuadrin e plotë shoqëror i cili i dëmton ata, as të bashkohen në përpjekje kundër sistemit.
Përvojat e vona, po ashtu, demonstrojnë që donatorët e jashtëm financojnë projekte gjatë “krizave” që paraqesin sfidë politike dhe shoqërore ndaj status kuos. Pasi që lëvizjet të kenë pushuar, ata kthehen drejt financimit të OJQ-së – bashkëpunim me regjimin dhe përshtatje të projekteve të OJQ-së me agjendën neo-liberale. Zhvillimi ekonomik i përshtatur me “tregun e lirë” më parë sesa me organizimin shoqëror për ndryshim shoqëror bëhet çështja dominuese në agjendën e financimit.
Struktura dhe natyra e OJQ-ve me qëndrimin e tyre “apolitik” dhe fokusimin e tyre në vetë-ndihmë i demobilizon dhe i depolitizon të varfrit. Ata i përforcojnë proceset elektorale të inkurajuara nga partitë neo-liberale dhe mediat e komunikimit masiv. Edukimit politik rreth natyrës së imperializmit, bazës klasore të neo-liberalizmit, luftës klasore mes eksportuesve dhe punëtorëve të përkohshëm përfundimisht i iket. Në vend të këtyre, OJQ-të diskutojnë “të përjashtuarit,” “të pafuqishmit,” “varfërinë e skajshme,” “diskriminimin gjinor e racor,” pa shkuar përtej simptomave sipërfaqësore, për të mos e përfshirë sistemin social që prodhon këto gjendje.
Nëpërmjet përfshirjes së të varfërve në ekonominë neo-liberale me anë të “aksionit të vullnetshëm privat,” OJQ-të krijojnë një botë politike, ku shfaqja e solidaritetit dhe aksionit shoqëror fsheh një përshtatje konservatore me strukturën ndërkombëtare dhe kombëtare të pushtetit.
Nuk është rastësi që OJQ-të janë bërë dominuese në regjione të caktuara, aksioni i pavarur politik është në rënie, dhe neo-liberalizmi kalon pa u kundërshtuar. Çështja është se rritja e OJQ-ve përkon me financimin e shtuar nga neo-liberalizmi dhe thellimin e varfërisë kudo. Pavarësisht pohimeve të tyre për suksese të shumta lokale, fuqia e gjithmbarshme e neo-liberalizmit qëndron e pasfiduar dhe OJQ-të gjithnjë e më shumë kërkojnë skuta në kornizën e pushtetit nga ku do të intervenojnë.
Problemi i formulimit të alternativave është penguar në mënyrë tjetër. Shumë nga udhëheqësit e kaluar të gueriles dhe të lëvizjeve shoqërore, të unioneve tregtare dhe të organizatave të popullarizuara të grave janë absorbuar nga OJQ-të. Oferta është joshëse: pagë më e lartë, prestigj dhe njohje nga donatorët jashtë vendit, konferenca dhe rrjete jashtë vendit, staf zyre dhe siguri relative nga represioni. Në kontrast me këtë, lëvizjet socio-politike ofrojnë beneficione materiale më të pakta, por respekt më të madh e pavarësi dhe, çka është më me rëndësi, liri për të sfiduar sistemin ekonomik dhe politik.
OJQ-të dhe mbështetësit e tyre bankarë nga vendet e huaja publikojnë buletine, ku tregojnë për rastet e suksesshme të mikro-ndërmarrjeve dhe projekteve tjera vetë-ndihmuese, pa përmendur shkallën e lartë të dështimeve, ndërsa konsumi popullor bie, importet me çmime të ulëta vërshojnë tregun dhe tarifat e kamatës vijnë duke u rritur, siç është rasti në Brazil dhe në Indonezi sot.
Madje dhe “sukseset” ndikojnë vetëm në një pjesë të vogël të të varfërve dhe arrijnë vetëm deri në shkallën ku të tjerët s’mund të hyjnë në tregun e njëjtë. Vlera e propagandës së suksesit individual mikro-ndërmarrës është i rëndësishëm për mbajtjen e iluzionit se neo-liberalizmi është një fenomen i popullarizuar. Shpërthimet e dhunshme e të shpeshta të masave që ndodhin në regjionet ku promovohen mikro-ndërmarrjet sugjerojnë që ideologjia s’është hegjemone dhe OJQ-të ende nuk ua kanë zënë vendin lëvizjeve të pavarura klasore.
Ideologjia e OJQ-ve varet shumë nga politika e identitetit esencialist[10] dhe angazhimi në një polemikë të pandershme me lëvizjet radikale të bazuara në analizën klasore. Ata nisen nga supozimi se analiza klasore është “reduksioniste[11]” duke anashkaluar debatet dhe diskutimet e gjera brenda Marksizmit rreth çështjeve të racës, të etnisë, dhe të barazisë gjinore dhe duke iu shmangur kritikës më serioze se vetë identitetet janë
dukshëm dhe thellësisht të ndara nga dallimet klasore. Për shembull, feministet e Kilit apo të Indisë jetojnë në një lagje luksoze dhe marrin pagën 15-20 herë më të madhe sesa shërbëtorët e tyre vendore, të cilët punojnë 6 ditë në javë. Dallimet klasore brenda gjinisë përcaktojnë banimin, standardin jetësor, shëndetin, mundësitë për edukim dhe atë se kush ia përshtat tjetrit vlerën e tepricës[12]. Deri tani, shumica e OJQ-ve operojnë në bazë të politikave të identitetit[13] dhe argumentojnë se kjo është çështja bazike e politikës pas-moderniste.
Politika e identiteteve nuk sfidon botën elitare të privatizimeve të FMN (Fondit Monetar Ndërkombëtar), të korporatave multi-nacionale dhe të pronarëve lokalë të tokave, ku dominojnë meshkujt. Ajo përqendrohet në “patriarkinë” në familje, dhunën familjare, divorcin, planifikimin familjar, etj. Me fjalë tjera, ajo lufton për barazi gjinore brenda mikro- botës së njerëzve të eksploatuar, ku punëtori mashkull na del të jetë kopuku më i madh.
Ndërsa askush s’bën të mbështet një eksploatim apo diskriminim gjinor në çfarëdo niveli, OJQ-të feministe e dëmtojnë shumë femrën punëtore duke ua nënshtruar ato një eksploatimi më të madh nga fabrikat, gjë që i sjell dobi vetëm klasës së lartë të meshkujve e femrave. Arsyeja përse OJQ-të feministe injorojnë “kuadrin e plotë” dhe përqendrohen në çështje lokale dhe politika personale është se çdo vit në këtë drejtim rr’edhin me miliarda dollarë. Sikur OJQ-të feministe të fillonin të merreshin me uzurpimin e tokave bashkë me meshkujt e femrat punëtore që s’kanë toka në Brazil, në Indonezi a në Tajlandë, dhe sikur t’u bashkëngjiteshin grevave të përgjithshme kundër politikave të rregullimit strukturor, tapa e OJQ-së do të mbyllej nga donatorët e tyre imperialistë.
Solidariteti klasor dhe solidariteti i OJQ-ve me donatorët e huaj
Fjala “solidaritet” është abuzuar deri në shkallën ku, në shumë kontekste, ka humbur kuptimin. Termi “solidaritet” për përfaqësuesit e OJQ-ve përfshin ndihmën e huaj, të kanalizuar drejt cilitdo grup të “varfëruar.” “Hulumtimi” apo “edukimi popullor” i të varfërve nga profesionistët përcaktohet si “solidaritet.” Në shumë mënyra struktura hierarkike dhe format e transferimit të “ndihmës” dhe të “trajnimit” i përngjajnë lëmoshës së shekullit 19, ndërsa promotorët nuk janë më të ndryshëm sesa misionarët e krishterë.
Përfaqësuesit e OJQ-ve vejnë theksin në “vetë-ndihmë,” kur sulmojnë “paternalizmin dhe varësinë” e shtetit. Në këtë garë mes OJQ-ve për t’i zënë viktimat e neo-liberalëve, OJQ-të marrin para të mëdha nga homologët e tyre në Evropë dhe në Amerikë. Ideologjia e vetë-ndihmës vë theksin në zëvendësimin e të punësuarve publik me vullnetarë dhe me profesionistë që duan të avancohen përkohësisht. Filozofia bazike e OJQ- së është që “solidariteti” të transformohet në bashkëpunim dhe nënshtrim ndaj makro-ekonomisë së neo-liberalizmit, duke hequr vëmendjen nga resurset shtetërore të klasës së pasur dhe duke e kthyer atë drejt vetë-eksploatimi të të varfërve…
Politikisht OJQ-të përshtaten në të menduarit e ri të strategëve imperialistë. Ndërsa FMN-ja, Banka Botërore dhe korporatat multi- nacionale e punojnë elitën vendore në maje për ta plaçkitur ekonominë, OJQ-të angazhohen në aktivitete plotësuese poshtë, duke neutralizuar dhe fragmentuar pakënaqësinë në rritje, që vjen si shkak i gllabërimit të ekonomisë.
[1] Imperializëm: Politikë e shtrirjes së pushtetit dhe ndikimit të një vendi nëpërmjet diplomacisë apo forcës ushtarake.
[2] Ky term u shfaq gjatë “Luftës së ftohët” për të definuar vendet që mbeten jashtë dy blloqeve politiko-ushtarake të asaj kohe – NATO-s dhe bllokut të shteteve komuniste. Për shkak të varfërisë, në ditët e sotme ky emërtim përdoret për popujt në zhvillim të Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine. (WP)
[3] Personat dhe grupet të cilat mbështesin masa liberale dhe shpesh radikale për të ndryshuar rendin e vendosur, sidomos në politikë, dhe zakonisht për të arritur barazi, liri, dhe mirëqenie për qytetarët e rëndomtë të një shteti. Po ashtu quhet krahu i majtë.
[4] Makroekonomia është degë e ekonomisë që ka të bëjë me ecurinë, strukturën, dhe vendimmarrjen e një ekonomie si një tërësi. Kjo përfshin ekonomitë kombëtare, regjionale dhe globale (WP)
[5] Mikroekonomia është degë e ekonomisë që studion sjelljen e familjeve individuale dhe të firmave në vendimmarrjen që ka të bëjë me shpërndarjen e resurseve të kufizuara. Kjo vlen për tregjet ku mallrat apo shërbimet blihen dhe shiten. (WP)
[6] Analiza klasore është hulumtim në sociologji, në politikë dhe në ekonomi nga këndvështrimi i shtresimit të shoqërisë në klasa dinamike. Kjo lë të kuptohet se s’ka botëkuptim shoqëror universal apo uniform, por ka konflikte fondamentale që ekzistojnë vazhdimisht në shoqëri. Shembujt më të njohur janë teoria e Karl Marx dhe Max Weber.
Në kuptimin jo-marksist, analiza klasore është një teori e zhvillimit politik, në të cilën thuhet se regjimet dhe sistemet politike formohen nga strukturat klasore e shoqërisë së vendit. (WP)
[7] Valutë globale e tregtimit që pritet të shërbejë si vlerë e qëndrueshme këmbimi. (WP)
[8] Neo-liberalizmi është një filozofi politike ithtarët e së cilës mbështesin liberalizimin ekonomik, tregun e lirë dhe tregjet e hapura, privatizimin, heqjen e rregullave dhe reduktimet në sektorin publik ndërsa rrisin rolin e sektorit privat. (WP)
[9]Në shkencën politike, Statizmi është besimi se një qeveri duhet të kontrollojë ose politikën ekonomike, ose atë sociale; ose të dyja, deri në njëfarë shkalle. (WP)
[10] Esencializëm: të konsiderosh se diçka (siç është një tipar njerëzor) ekziston së brendshmi apo se ka një vlefshmëri universale më parë se të jetë një konstrukt shoqëror, ideologjik a intelektual. (MW)
[11] Reduksionizëm: Orvatje apo tendencë për të shpjeguar një grupim kompleks të fakteve, të fenomeneve a të strukturave me një tjetër grupim më të thjeshtë. (TFD)
[12] Vlera e tepricës është dallimi mes vlerës së produktit të prodhuar nga puna dhe çmimit aktual siç paguhet me paga në analizën marksiste të kapitalizmit. (TFD)
[13] Politikat e identitetit janë argumente politike që përqendrohen në interesin vetjak dhe në perspektivat e grupeve shoqërore të vetë-identifikuara si dhe në mënyrat me të cilat politikat e popujve mund të formohen nga aspekte të identitetit nëpërmjet racës, klasës, fesë, gjinisë, orientimit seksual apo dominimit tradicional. (WP)
mburoja.net/kohaislame