2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

OBSH: sistemi shëndetësor serb bën përparim

Më të lexuarat

Me gjithë një potencial të gjerë dhe reformat, kujdesi shëndetësor i vendit ndesh probleme të rëndësishme.

Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetit (WHO) në Beograd tha se Serbia është mirë në rrugën për të përmirësuar sistemin e vet shëndetësor, ndonëse ekspertët thonë se vendi ka ende mjaft probleme.

“Çdo dy vjet ne arrijmë një marrëveshje me ministrinë [për shëndetësinë], që bën një listë përparësish dhe ne ndihmojmë punën e tyre, sjellim ekspertët tan, organizojmë uorkshope,” i tha SETimesDorit Nitzan, kreu i zyrës së WHO në Serbi.

Një studim i kohëve të fundit nga OJQ-ja serbe Mjekët Kundër Korrupsionit tregon se Serbia ndau 11 përqind të GDP-së së saj për kujdesin shëndetësor, më shumë se Kroacia (8 përqind), Bullgaria (7 përqind) apo Rumania (5 përqind).

Por rezultatet janë midis më të këqijave në rajon, thoshte organizata.

Sondazhe të ndryshme tregojnë se publiku e konsideron kujdesin shëndetësor, bashkë me partitë politike, të jenë institucionet më të korruptuara në Serbi dhe Indeksi Evropian i Konsumatorit të Shëndetit (EHCI) 2012 e rendit Serbinë të fundit për cilësinë e kujdesit shëndetësor.

“Gjatë periudhës 10-vjeçare, Serbia shpenzoi mbi 20 miliard euro në reformat e shëndetësisë por paratë nuk treguan përparimin e dëshiruar. Askush nuk është i kënaqur me reformën shëndetësore, as pacientët as mjekët,” i tha SETimesDrashko Karadjinoviç, koordinator i Mjekët Kundër Korrupsionit.

Mungesa e kujdesit të integruar shëndetësor dhe korrupsioni janë faktorët kyçë në punën e dobët, thoshte studimi. Ai rreshtonte ndarjen e kujdesit shëndetësor privat, publik dhe ushtarak si një shembull që nuk lejon transferimin e pacientëve apo fondeve.

“Ne kishim mbi 40 projekte të financuara nga BE me vlerë 140 milion euro dhe asnjë nga përparësitë nuk u përmbush . Ne na duhet një ndryshim total sistematik dhe një përpjekje e vazhdueshme kundër korrupsionit që vjen nga interesat partiake,” tha Karadjinoviç.

Serbia nisi reformën e kujdesit shëndetësor në 2002; ajo iu drejtua çështjeve strukturore dhe funksionale, duke përfshirë burimet njerëzore dhe organizimin e shërbimeve.

Reforma kërkoi gjithashtu të restaurojë rolin dhe besimin publik në kujdesin primar, ndërsa zgjeronte kapacitetin e praktikuesve të kujdesit primar për t’u marrë me një përpjestim më të lartë të çështjeve shëndetësore.

Vladimir Gjukiç, sekretar i shtetit në ministrinë e shëndetësisë, fajësoi krizën financiare dhe qeveritë e mëparshme për gjendjen e keqe por tha se ministria e re është gati të zgjidhë cilindo nga problemet.

“Zor se mund të thuhet se ne nuk bëmë çdo gjë. Në 2011, ministria planifikoi të shpenzojë vetëm 670 milion dinarë në kujdesin shëndetësor nga buxheti i shtetit, por ne përfunduam duke shpenzuar mbi 20 miliard dinarë,” i tha Gjukiç SETimes.

Nitzan tha se në dy vitet e fundit, Serbia ka bërë një hap të madh përpara duke përmirësuar kujdesin shëndetësor, veçanërisht në mbulimin e grupeve të skajshme të tilla si romët.

Nitzan shpjegoi se sistemi ka katër shtylla që nuk janë përmirësuar barazisht: standardet dhe rregullat, gjenerimin e burimeve të tilla si edukimi dhe teknologjitë moderne, financimi dhe shpënia e shërbimit pacientëve.

Nga të katër ato, financimi mbetet shtylla më problematike.

“Serbia është një nga vendet që ka standarde të larta, trashëguar nga ish Jugosllavia…ligjet janë të përkryera, por rregullat e procedurave dhe zbatimeve janë të paqarta… Është në proces përmirësimi por nuk është kompletuar ende,” tha Nitzan./set

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit