XHIDE (AA) – Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) të ndërhyjë për të ndaluar sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, OBI i ka bërë thirrje KS-OKB-së që të marrë përsipër përgjegjësitë që ka kundrejt popullit të Palestinës dhe i ka kërkuar të ndërhyjë për të ndaluar sulmet e Izraelit ndaj palestinezëve.
Gjithashtu, në deklaratë dënohen krimet që Izraeli ka kryer në Palestinë dhe theksohet se Izraeli është përgjegjës për të gjitha këto krime. Sipas deklaratës, komuniteti ndërkombëtar duhet të gjejë një zgjidhje politike në përputhje me ligjet ndëkombëtare dhe iniciativën arabe të paqes për kazuën e Palestinës.
Palestinezët, të cilët kanë ngritur tenda në kufirin e Gazës me Izraelin, po zhvillojnë protesta gjithëpërfshirëse nën moton “marshimi milionësh” të cilin e zhvillojnë për të protestuar kundër zhvendosjes së ambasadës së SHBA-ve në Kuds dhe me rastin e 70 vjetorit të Nakbas (Fatkeqësia e madhe), e cila paraqet përvjetorin e themelimit të Izraelit.
Ndryshe, që nga orët e mëngjesit, 55 palestinezë kanë rënë dëshmorë dhe 2.771 të tjerë janë plagosur si pasojë e hapjes zjarr nga ushtarët izraelitë ndaj pjesëmarrësve në protestat në kufirin e Gazës.