4.5 C
Pristina
Friday, January 10, 2025

O i Dërguari i Allahut, më lejo të bëj zina!

Më të lexuarat

Medituesi në jetën e Pejgamberit, lavdërimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, mrekullohet me të kuptuarit e tij sa i përket trajtimit të zemrave, urtësinë e tij në edukimin e tyre, butësinë e tij në përmirësimin e gabimeve si dhe trajtimin e asaj ku ka defekt.

Kjo më së miri reflektohet në qëndrimet e tij edukative të shumta, që meritojnë për t’u ndalur dhe përfituar prej tyre në jetën tonë dhe në metodologjinë tonë edukuese. Prej këtyre qëndrimeve është edhe ky, me një djalosh, i cili i erdhi atij për t’i kërkuar që t’i lejonte atij zinanë (imoralitetin).

Ebu Umame, (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë se një i ri erdhi tek i Dërguari i Allahut dhe tha:

“O i Dërguari i Allahut, më lejo të bëj zina (imoralitet).” Njerëzit i bërtitën dhe Pejgamberi tha: “Ndaloni!” I Dërguari i Allahut tha: “Lëreni të qetësohet. Eja këtu!” Ai shkoi dhe u ul para të Dërguarit të Allahut, i cili i tha: “Do ta doje këtë për nënën tënde?” Ai tha: “Jo”.  Ai tha: “Dhe të tjerët gjithashtu nuk do ta donin një gjë të tillë për nënat e tyre. Do ta doje për vajzën tënde?” Ai tha: “Jo”. Ai i tha: “As të tjerët nuk do të donin që diçka e tillë t’u ndodhte vajzave të tyre. Do ta doje për motrën tënde?” Ai tha: “Jo”. Ai tha: “As të tjerët nuk do ta donin një gjë të tillë për motrat e tyre. Do të doje t’u ndodhte tezeve tua?” Ai u përgjigj: “Jo”. Pejgamberi i tha: “As të tjerët nuk do të donin t’u ndodhte tezeve të tyre. Do të doje t’u ndodhte hallave tua?” Ai u përgjigj: “Jo”. Ai i tha: “As të tjerët nuk do të donin t’u ndodhte hallave të tyre.” Pastaj i Dërguari i Allahut e vuri dorën në kraharor dhe tha: “O Allah falja gjynahet, pastroja zemrën dhe bëje të pastër.”

Shokët e Pejgamberit u tronditën kur dëgjuan kërkesën për zina nga djaloshi, sa që ata bërtitën dhe e qortuan, mirëpo Pejgamberi e trajtoi në mënyrë tjetër duke i sqaruar dëmet e kërkesës së tij dhe fundin e keq të saj.

Këtu ka udhëzim për mësuesit, edukatorët dhe thirrësit, që të jenë të butë karshi injorantit para se ta mësojnë, sepse kjo është më e dobishme sesa qortimi dhe sharja. Madje, s’ka arsye për qortim për atë që s’di. Bindja me butësi dhe urtësi është metoda e saktë për t’i larguar mendjet dhe zemrat nga kundërshtimet.

Pejgamberi i Zotit nuk e shikoi djaloshin se i ka humbur turpi dhe mirësia, por kuptoi realitetin e brendisë së epshit dhe ndjeu anën e mirësisë tek ai. Prandaj, u soll me të me mënyrën e bindjes logjike e shoqëruar me dhembshuri e dashuri, e drejtoi kah udhëzimi, e ktheu në rrugën e ndershmërisë derisa u bë refuzues i të keqes dhe urryes i saj.

Ky qëndrim përmban një metodë sentimentale në thirrje dhe edukim nga ana e Pejgamberit me këtë djalosh. Kjo manifestohet me fjalët e tij: “Eja këtu, afrohu”, “Ai u afrua”, “u ul”, “I Dërguari i Allahut e vuri dorën në kraharor”, “O Allah falja gjynahet, pastroja zemrën dhe bëje të pastër”.

Nuk ka dyshim se diskutimi sentimental në shumë raste bëhet çelës i rëndësishëm për bindje. Pejgamberi nuk u mjaftua për ta bindur vetëm me metodën sentimentale, por i bashkoi edhe bindjen me metodën logjike me fjalët e tij: “Do ta doje këtë për nënën tënde?”, “Do ta doje për vajzën tënde?”, “Do ta doje për motrën tënde?”, “Do të doje t’u ndodhte tezeve tua?”, “Do të doje t’u ndodhte hallave tua?”.

Pejgamberit do t’i mjaftonte t’i thoshte vetëm: “Do ta doje këtë për nënën tënde?”, mirëpo ai i numëroi atij edhe femra të tjera që e ka të ndaluar martesën me to, që të jetë akoma më bindës, duke argumentuar se nga këto femra që kërkon të bësh zina, o mund të jetë nënë, o vajzë, o hallë, o teze e dikujt.

S’ka njeri në këtë jetë pa gabime, të qëllimshme apo të paqëllimshme. Ky është ligj i Allahut te njeriu se ai është gabimtar, sikur që thotë Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:

“Çdo bir i Ademit mund të gabojë, por më i miri prej të gabueshmëve ëshë pendimtari.”(Shënon Tirmidhiu)

Njeriu gabimtar ndonjëherë nuk ndjen se ka gabuar, prandaj duhet hequr mbulesën nga sytë e tij në mënyrë që të dijë se ka gabuar. Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton:

“Një arab beduin hyri në xhami dhe fali dy rekate. Ai pastaj tha: “O Allah, ki mëshirë ndaj meje dhe Muhamedit dhe mos ji i mëshirshëm ndaj ndokujt përveç nesh”. Kështu, i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve sel-lem, u kthye dhe tha: “Vërtet, ti ke kërkuar diçka që lë jashtë shumë njerëz. Pastaj nuk vonoi shumë deri kur ai urinoi në xhami, kështu që njerëzit ia mësynë atij. I Dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, u tha atyre: “Vërtet, unë jam dërguar për t’i bërë gjërat të lehta dhe nuk jam dërguar për t‘i bërë të vështira”, dhe ai derdhi mbi të (urinën) një kovë me ujë.” (ShënonEbu Davudi)

Nuk ka dyshim se shoqëria ka obligime ndaj gabimtarit, injorantit dhe mëkatarit. Ky obligim manifestohet duke e këshilluar dhe udhëzuar atë, duke i përmirësuar gabimet e tij në mënyrën më të mirë të mundshme.

Në qoftë se muslimanët, e sidomos thirrësit dhe mësuesit, do ta merrnin për model të Dërguarin e Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe t’i këshillonin dhe mësonin këto kategori njerëzish me këtë metodologji pejgamberike, me butësi e dhembshuri, me mëshirë e urtësi, do të ndikonin me metodologjinë dhe mësimin e tyre, saqë ata do t’i përgjigjeshin thirrjes së Allahut  dhe udhëzimit të Pejgamberit, sikur që rezultoi në këtë rast me atë djalosh, i cili kishte ardhur për t’i kërkuar leje për zina, kështu ai u largua dhe zinaja u bë gjëja më e urryer për të.

Vërtet, jetëshkrimi i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është i mbushur me këso qëndrimesh edukative dhe ndriçuese me të cilat duhet të stolisemi ne gjatë mësimit, edukimit dhe thirrjes sonë. Të vërtetën e ka thënë Allahu:

Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Ahzabë: 21)

Përshtati:  Almedin Ejupi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit