-2.1 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

O besimtarë, kur merrni borxh, shkruajeni atë

Më të lexuarat

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Të dashur vëllezër besimtarë;

Në disa hutbe të mëparshme kemi folur për ajetet që flasin për sadakën dhe kamatën, ndërsa sot me lejen dhe ndihmën e Allahut do të flasim në lidhje me borxhin.

Thotë Allahu i Plotfuqishëm në Kuran:

“O besimtarë, kur merrni borxh prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë. Dhe nga gjiu juaj le të shkruajë një shkrues i drejtë dhe të mos ngurrojë nga të shkruarit ashtu siç e ka mësuar Allahu. Le të shkruajë, ndërsa atij le t’i diktojë ai që pranon borxhin, le t’i frikësohet Allahut, Zotit të tij e të mos lërë mangët asnjë send nga ai. E në qoftë se ai që ngarkohet me borxh është i paaftë mentalisht, është i mitur ose nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë drejt kujdestari i tij. Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. (Dy gra në vend të një burri) Për atë se nëse njëra prej tyre gabon, t’ia përkujtojë tjetra. Dëshmitarët të mos refuzojnë kur të thirren. Dhe mos përtoni për ta shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë te Allahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mosdyshimit. Vetëm nëse është tregti e menjëhershme (dora-doras) që e praktikoni mes jush, atëherë nuk është ndonjë mëkat të mos e shënoni. Por, kur bëni shitblerje, dëshmojeni. E ai (pronari i pasurisë) nuk dëmton as shkruesit as dëshmitarët, e nëse bëni (dëmtimin), ai është mosrespekt i juaj (ndaj dispozitave të Allahut). Keni frikë Allahun se Allahu ju dhuron dituri (të jashtëzakonshme), Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send.” (el-Bekare, 282)

Seid ibn Musejjeb thotë: „Kam dëgjuar se ajeti më i fundit që është zbritur nga Arshi është ajeti i borxhit (ajetud-dejn).“

Të dashur vëllezër,

Ky është ajeti më i gjatë në krejt Kuranin dhe sipas mendimit të Huvejz Mendadit, i sqaron 30 rregulla të ndryshme. Duke vlerësuar kohën tuaj dhe obligimet që keni pas namazit të xhumasë, unë sot do të përpiqem pa detajuar t’i paraqes vetëm disa nga këto rregulla, kurse ju do të më falni për paraqitje të thatë të temes së sotme.

1 • Me sheriat është e lavdëruar që tu jepet borxh para ose diçka tjetër atyre që kërkojnë borxh, ndërsa ai që merr borxh nuk duhet të shoh asgjë të keqe, sepse edhe vetë Pejgamberi (savs) ka marrë borxh. Pa marrë parasysh se marrja e borxhit është e lejuar, ne si muslimanë duhet t’i shmangemi këtij lloj transaksioni, sepse Pejgamberi (savs) nuk ka dashur t’ia falë namazin e xhenazes një njeriu i cili kishte borxh derisa për të nuk e lanë borxhin, ndërsa në një hadith tjetër Pejgamberi (savs) thotë se shehidit do t’i falen të gjitha mëkatet përveç borxhit.

Nga Aishja (r.a.) transmetohet: „I Dërguari i Allahut (savs) e kishte shprehi që në namaz ta laxojë këtë lutje: ‘O Allah, unë kërkoj strehim te Ti nga dënimi i varrit, kërkoj strehim te Ti nga sprova e Mesihut Dexhallit, kërkoj strehim te Ti nga sprovat e jetës dhe vdekjes. O Allah, unë kërkoj strehim te Ti nga mëkati dhe borxhi.’ Aishja (r.a.), vazhdon dhe thotë: “Dikush e pyeti Pejgamberin (savs): ‘O i Dërguari i Allahut, pse kaq shpesh po kërkon mbrojtje nga borxhi?’ Ai u përgjigj: ‘Vërtet, njeriu kur hyn borxh (së shpejti edhe) gënjen dhe e shkel premtimin.’“

2 • Nëse dikush ka marrë borxh, por pastaj për shkak të mospasjes, jo për shkak të pakujdesisë ose shpenzimeve të tepruara, nuk është në gjendje ta shlyej borxhin, për të Allahu i Plotfuqishëm thotë: „E, nëse e dini se borxhliu gjendet në ngushticë, atëherë pritnie derisa ta përmirësojë gjendjen; por është edhe më mirë për ju, që t’ia falni borxhin, nëse e dini.“ (el-Bekare, 280)

Pejgamberi (savs) thotë: „Kishte qenë një tregtar i cili ju jepte borxh njerëzve nga pasuria e tij, por kur e shihte dikë (nga borxhlinjtë e tij) që ishte në ngushticë dhe varfëri, ju thoshte shërbyesve të tij: ‘Kapërcejeni atë (falnia borxhin e tij), ndoshta edhe Allahu do të na i falë mëkatet tona.“

3 • Malli është i lejuar, të paguhet paraprakisht, vetëm nëse blerësi e di saktësisht se çfarë lloji të mallit do të merr, sa është sasia e tij dhe në cilin vend do të dërgohet, si dhe me cilën monedhë do të paguhet. Pa këtë precizitet, është e ndaluar që malli të paguhet paraprakisht.

4 • Njeriu është harrues, prandaj Allahu i Plotfuqishëm në këtë ajet rekomandon që ta shënojmë shumën e saktë të borxhit dhe kohën e kthimit të tij, pa marrë parasysh sa është, i madh apo i vogël, për ta shmangur harresën, kurse i pari që ka harruar është stërgjyshi ynë Ademi a.s.

5 • Me rastin e marrjes së borxhit duhet ta kemi një shkrues, përkatësisht, ai i cili ju bën kontrata njerëzve. Ai është i detyruar ta shkruaj kontratën, nëse në atë vend nuk ka dikush tjetër që di të shkruajë, nëse ka edhe shkrues të tjerë, atëherë ai nuk është i detyruar derisa të merr kompensim për shërbimin e tij. Ai është i detyruar të shkruajë ashtu siç i thuhet pa asnjë shtesë ose mungesë. Shkrues nuk mund të jetë secili, por personi i besueshëm dhe i sigurt.

6 • Nëse dikush është i njohur për nga iracionaliteti, nga çmenduria, nga shpenzimet e tepruara, nga dobësia, atëherë kontratën duhet ta lidhë kujdestari i tij, në mënyrë që i sipërpërmenduri të mos mashtrohet, ose nga injoranca mos ta dëmtojë vetveten.

7 • Ai që merr borxh, duhet ta konfirmojë me deklaratën e tij se e ka marrë borxhin, kurse deklaratën e tij duhet ta konfirmojnë dëshmitarët, dhe atë dy burra ose dy gra dhe një burrë. Dëshmitar mund të jetë vetëm ai që njihet si praktikues i rregullave të Islamit, si dhe i ruajtur nga të gjitha mëkatet e mëdha. Dëshmitari është i detyruar t’i përgjigjet dëshmisë dhe duhet të dëshmojë me drejtësi.

8 • Ai që tregton sipas parimit nga dora në dorë, nuk është i detyruar të shkruajë asgjë, përveç nëse është në pyteje shitja e pasurive të paluajtshme e të ngjashme, ku ndërrohet pronari. Atëherë është e detyrueshme të bëhet kontrata.

• Dhe në fund të këtij ajeti, i Plotfuqishmi thotë:

„Keni frikë Allahun, se Allahu ju dhuron dituri (të jashtëzakonshme), Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send.” (el-Bekare, 282)

O Allah, ne kërkojmë prej Teje mbrojtje nga vuajtjet e varrit, kërkojmë prej Teje mbrojtje nga sprovat e Mesihut Dexhallit, kërkojmë prej Teje mbrojtje nga sprovat e jetës dhe e vdekjes.
O Allah, ne kërkojmë prej Teje mbrojtje edhe nga mëkatet dhe borxhet. Amin!!!

Përshtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit