Kohët e fundit një vëlla erdhi tek unë dhe ndau me mua përvojën e tij të sprovës me namaz.
Ai tha se kishte sprovë me namaz aq shumë sa që e kishte pikëlluar derisa ishte lutur: “O Allahu im, më lejo të kënaqem dhe ta ndjej ëmbëlsinë e namazit.”
Ai tha se ishte përpjekur që ta falte namazin me kohë, por nganjëherë e kishte lëshuar namazin, dhe kjo kishte zgjatur një periudhë. Një ditë kishte pasur ndjesi si shpim gjilpërash në kofshë. Kjo i kishte zgjatur derisa e gjithë këmba i ishte mpirë, e më pastaj edhe e gjithë ana e djathtë e trupit. Kështu kishte vazhduar për disa kohë derisa ishte zgjeruar edhe në anën e majtë të fytyrës. Ai nuk mund të punonte më. Nuk mund të falej si duhet dhe ishte detyruar të shkonte te mjeku.
”Mjekët ma kontrolluan shtyllën kurrizore dhe nervat, por nuk gjetën asgjë derisa nuk ma bënë incizimin CT. Pas incizimit, gjetën se kisha sklerozë të shumëfishtë, por, elhamdulil-lah, pasi mora barëra mu shëruan 90 % pjesët e trupit që ishin të paralizuara.”
Ai thotë: “Gjatë asaj kohe dhe më pas… e vlerësova aftësinë për të lëvizur. Begatinë e shëndetit. Begatinë që kam mundur kokën time ta lëshojë në tokë dhe t’i falem Allahut. E vlerësova çdo namaz, dhe pikërisht tani e kam gjetur ëmbëlsinë e namazit dhe e vlerësoj çdo moment të tij.”
Ai shton: “Ne begatitë që i kemi i marrim si të gatshme, vetëm sikur ta mendonim se kjo do të na ndihmonte të jemi më falënderues dhe ta gjejmë ëmbëlsinë që e kërkojmë.”
I lutemi Allahut që të na japë shëndet të mirë dhe të na lejojë të kënaqemi dhe ta ndjejmë ëmbëlsinë e namazit.
Hasib Nur; IslamBosna.ba
Përkthim: Miftar Ajdini