Në artikullin në New York Times, Paul Krugman, duke komentuar qëndrimin evropian ndaj eurokrizës, thekson se masat e ashpra të kursimit, në vend se të nxjerrin vendet nga kriza, po e thellojnë atë.
Duke cituar ‘urtësinë konvencionale”, të qendrave vendimmarrëse në eurozonë, artikulli, I thumbon ato, duke theksuar se po mendohet aq shumë për uljen e deficitit buxhetor, por, po harrohen njerëzit e përfshirë.
“Papritmas, Spanja dhe Greqia u kapluan nga greva dhe demonstrata të mëdha. Publiku në këto vende në fakt, thotë se është duke e arritur kufirin: Me papunësinë në nivel të Depresionit të Madh dhe me prapakthimin e shtresës së mesme, që po reduktohet në ata që kërkojnë ushqim në mbeturina, shtrëngesa ka shkuar tashmë shumë larg. Dhe kjo do të thotë se mbase nuk do të ketë fare marrëveshje”, shkruan NYT.
Disa komentojnë se qytetarët e Spanjës dhe të Greqisë vetëm sa po vonojnë të pashmangshmen, duke protestuar për sakrificat që duhet të ndodhin. Por, e vërteta është se protestuesit kanë të drejtë.
Masat e tjera shtrënguese nuk i shërbejnë qëllimeve dobiprurëse, shkruan NYT duke potencuar se personat e vërtetë të paarsyeshëm këtu janë politikanët seriozë dhe zyrtarët që po kërkojnë më shumë dhimbje.
“Shqyrtojeni mizerinë e Spanjës. Cili është problemi real ekonomik? Parimisht, Spanja po vuan nga skandali i kredive për shtëpitë, që ka shkaktuar njëherë bum ekonomik dhe pastaj një periudhë inflacioni që e la industrinë spanjolle jashtë konkurrencës me pjesën tjetër të Evropës”, shkruan NYT.
Kur, shpërtheu skandali, Spanja kishte problem në rifitimin e konkurrencës, një proces i dhimbshëm që do marrë vite. Dhe përderisa Spanja nuk e braktis euron- një hap që askush nuk dëshiron ta ndërmarrë- ajo është e dënuar me vite të papunësisë së lartë.
Por, NYT thekson se kjo vuajtje e pashmangshme dhe e diskutueshme, po ‘lartësohet me shkurtimet e ashpra’.
Pikësëpari, shkruan gazeta, Spanja nuk u fut në trazira për shkak se qeveria po shpenzonte tej mase. Në të kundërtën, në prag të krizës, Spanja kishte një suficit buxhetor dhe borxh të vogël.
Në artikull citohet një hulumtim i FMN-së, i cili thekson se shkurtimet në ekonomitë në depresion të thellë mund të ulin besimin e investitorëve, për shkak se shpejtojnë ritmin e rënies ekonomike.
Përse, atëherë kaq shumë kërkesa për më shumë dhimbje?
Një pjesë e shpjegimit gjendet në Evropë e Amerikë, ku shumë “Njerëz Shumë Seriozë”, po merren me kultin e shkurtimeve, duke besuar se deficitet buxhetore, e jo papunësia masive, paraqesin rrezik, dhe se reduktimi deficitar në një formë do të zgjidhë problemet e sjella nga shtrirja e madhe e sektorit privat.
NYT thekson se një pjesë e rëndësishme e opinionit publik në Evropë, mbi të gjitha në Gjermani, është e përkushtuar thellë për një pikëpamje false të situatës.
Në artikull argumentohet, se megjithatë, për krizën në Spanjë, një pjesë të fajit e mban edhe Gjermania, meqë në krizën e kredive të shtëpive rol të madh kanë luajtur bankat gjermane.
Por, NYT thekson se më keq akoma, është ajo që shumë votues gjermanë besojnë, kryesisht për shkak se kjo iu është thënë nga politikanët.
“Frika e një reagimi nga votuesit që besojnë, gabimisht, se ata janë duke u vënë në grep për pasojat e papërgjegjshmërisë së Evropës jugore bën që politikanët gjermanë të mos jenë të gatshëm të miratojnë huadhënien thelbësore urgjente në Spanjë dhe vende të tjera të trazuara, përderisa së pari nuk dënohen huamarrësit”, thekson NYT.
Nëse Gjermania vërtetë dëshiron ta shpëtojë euron, ajo duhet të lejojë Bankën Qendrore Evropiane të bëjë atë që është e nevojshme për të shpëtuar kombet në borxhe – dhe ajo duhet ta bëjë këtë pa kërkuar dhimbje të pakuptimtë, theksohet në artikullin e NYT.