Numri i muslimanëve në Rusi po rritet kryesisht për shkak të nivelit të lartë të natalitetit.
Numri i muslimanëve që jetojnë në Rusi ka arritur në 25 milionë, ndërsa vit pas viti ky numër rritet vazhdimisht. Numri i muslimanëve në Rusi ka shënuar rritje kryesisht për shkak të nivelit të lartë të natalitetit dhe emigrantëve muslimanë nga vendet e Azisë Qendrore, thotë kryetari i Këshillit të Myftiut të Rusisë Ravil Gajnetdin.
Ai theksoi se shumica e muslimanëve në këtë vend jetojnë në rajonin e Moskës, si dhe në Shën Peterburg e Jekaterinburg, duke shtuar se edhe në rajonet e Tataristanit, Bashkortostanit dhe Kaukazit të Veriut jeton një numër i madh i muslimanëve.
Gajnetdin vuri në dukje se muslimanët janë komunitet autokton në Rusi, duke shtuar se gjatë historisë më shumë se 58 komunitete, popuj dhe grupe etnike kanë praktikuar islamin në këtë vend.
“Islami erdhi në Rusi në shekullin e 7. Bashkëkohësit e Profetit Muhamed (a.s.) erdhën në Rusi 22 vjet pas vdekjes së tij. Ata erdhën në qytetin që sot njihet si Derbent, dhe gjendet në Dagestanin jugor. Ezani i parë në Rusi u dëgjua pikërisht në zonën e Dagestanit”, thotë Presidenti i Këshillit të Myftiut të Rusisë.
Përndryshe, shumica e muslimanëve në Rusi janë sunnitë dhe i përkasin medhhebit Hanefi./islamgjakova/