5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Numri i fëmijëve që kërkojnë shërim po rritet

Më të lexuarat

Numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në Ministrinë e Shëndetësisë, për t’u trajtuar jashtë institucioneve publike shëndetësore, është mjaft i madh.
Vetëm gjatë vitit 2013, kanë aplikuar gjithsej 1400 pacientë, ku prej tyre 722 kanë marrë trajtimin mjekësor, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Faik Hoti, drejtor i Departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit të ri, ka kërkesa për trajtim jashtë vendit për disa patologji që nuk mund të trajtohen në vendin tonë, mirëpo e rëndësishme është se vitin e kaluar numri më i madh i pacientëve janë shëruar në institucione private në vend”, ka thënë Hoti.

Por, rastet me ato sëmundje që kërkojnë trajtim jashtë vendit, po shtohen cdo ditë e më shumë. Së fundmi, nga pamundësia për t’i përballuar shumat e mëdha të parave, familjarët e të sëmurëve, kryesisht fëmijë, kanë gjetur edhe alternative tjera, duke u organizuar përmes organizatave humanitare për të kërkuar të holla nga qytetarët që duan të ndihmojnë.

Xhevrije Mehmeti, është familjare e një fëmije të sëmurë nga një lloj kanceri,iI cili kërkon trajtim jashtë vendit. Ajo thotë se Ministria e Shëndetësisë ka ofruar një shumë prej 30 mijë eurosh, mirëpo operacioni kushton më shumë se 200 mijë euro. Sipas zonjës Mehmeti, kjo familje ka gjetur alternativë tjetër për të kërkuar ndihmë , meqë këto shpenzime nuk mund t’i mbulojnë.

“Shërimi kushton rreth 200 mijë euro, e Ministria e Shëndetësisë na ka ndihmuar me 30 mijë euro. Lëvizja ‘Rinia’, organizatë joqeveritare, kanë organizuar të kërkojnë ndihmë për fëmijët që kanë nevojë të shërohen jashtë vendit dhe kanë dalë në Shesh vullnetarisht. Shumë ka vullnet të qytetarëve, edhe pse ka shumë raste të fëmijëve me sëmundje të ndryshme që duhet të trajtohen jashtë vendit. Shqiptarët nga të gjitha anët e botës po ndihmojnë, qoftë me kesh, qoftë përmes bankës”, tregon Xhevrie Mehmeti.

Së fundmi, edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend , Berat Buzhala, ka vendosur që fjalimin e tij t’ia kushtojë sëmundjeve të fëmijëve që po rritet në Kosovës, e që, sipas tij, Ministria e Shëndetësisë nuk po ndërmerr masa për këtë.

“Është e pamundur që të kalojmë kah sheshi, e të mos shohim nxënës duke kërkuar para për ndihmë të shokëve. Është e pamundshme që një njeri me ndjenja normale të kalojë kah sheshi, e të mos preket nga ata nxënës që kërkojnë. Si po mund të jenë indiferente institucionet e shëndetësisë, kur fëmijët po detyrohen të kërkojnë mjete gjithkah?!”, ka thënë Buzhala.

Ndërkaq qytetarja Diana Gashi, një kalimtare rasti që takuam në Prishtinë, thotë se i vjen mirë që ka vullnet të njerëzve për t’i ndihmuar fëmijët, meqë institucionet relevante nuk po kanë shumë vullnet dhe mundësi për ta bërë një gjë të tillë.

“Interesimi i qytetarëve kanë qenë i madh, për t’i ndihmuar fëmijët në nevojë, pasi që shteti nuk ka ofruar ndihmë maksimale për fëmijët në nevojë. Njerëzit që i kanë fëmijët e sëmurë, kanë gjetur mbështetje në diasporë , meqë ata iu kanë ndihmuar shumë financiarisht”, shprehet Diana.

Edhe një tjetër qytetare, Zamire Lama, banore në Prishtinë, thotë se secili duhet të ndihmojë, aq sa ka mundësi:

“Unë, si qytetare, mendoj që është dashur shteti të ketë një buxhet të veçantë. Unë mund t’iu ndihmoj vazhdimisht aq sa kam mundësi, por nuk e di sa u kryen punë ndihma ime pasi që është simbolike. Fëmijët e shkollave të mesme po organizohen edhe po dalin në rrugë të kërkojnë ndihmë për fëmijët ose moshatarët e tyre. Shteti duhet të merret më seriozisht me këtë çështje”.

Fondi për shërimin e pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore publike është 3.8 milionë euro.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit