Pyetja:
Allahu ju shpërbleftë për punën që po bëni. Kam 6 muaj prej kur kam filluar të falem dhe i fal rregullisht të gjitha kohët e namazit, por assesi nuk mund të largohem nga dëgjimi i muzikës dhe a mund të dënohem për këtë në Ditën e Gjykimit. Jam gati 15-vjeçar.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vëlla i nderuar, fillimisht dëshirojmë t`ju bëjmë me dije se për muslimanin që kryen ndonjë ndalesë të caktuar nuk është e drejtë e jona që ta gjykojmë atë prerazi se do të dënohet ose nuk do të dënohet. Kurani na mëson se personi mëkatar i kanoset rrezikut të dënimit dhe ne frikohemi për të se do t’i nënshtrohet dënimit, por nuk lejohet që të deklarojmë prerazi se ky do të dënohet, respektivisht nuk do të dënohet, pasi kjo punë është vetëm në dijen e Allahut dhe Ai kë do e dënon dhe kë do e fal. Prandaj, pa u zgjeruar në këtë më shumë, ju këshillojmë që të mos dorëzoheni në mundin që po jepni që të largoheni nga dëgjimi i muzikës, pasi nëse dorëzoheni, atëherë dijeni se keni humbur betejën me shejtanin dhe tani ai është duke festuar fitoren. Ju rekomandojmë që të lexoni më shumë për mirësitë e mirëfillta dhe lumturinë e vërtetë së cilës i gëzohet besimtari i sinqertë dhe të mos merreni me kënaqësitë mashtruese me të cilat preokupohen njerëzit e tjerë. Gjithashtu ju porosisim që të zgjidhni shoqëri të pastër, që i përmbahet mësimeve islame dhe të largoheni nga shokët me të cilët jeni shoqëruar më herët, pasi me ta është vështirë t’i harroni shprehitë e vjetra.
Lus Allahun e Lartësuar që të ta mundësojë kryerjen e veprave të mira, lënien e mëkateve dhe fund të mirë. Amin!
Alaudin Abazi
1.3.2009