8.2 C
Pristina
Monday, October 21, 2024

Nuk është e rëndësishme se si të mendojnë të tjerët por se si e sheh ti veten tënde

Më të lexuarat

Nga: Sabaudin Jashari

Nuk është e rëndësishme se si të mendojnë të tjerët por se si e sheh ti veten tënde

“Problemi nuk qëndron tek kolonizatori, por tek prirja e popujve për t`u kolonizuar” (Malik Ibn Nebij).
Teoricieni i madh Malik Ibn Nebij nuk e ka pasur të vështirë të pohojë atë që tha më sipër, pas një studimi të thellë të historisë islame, por edhe të aktualitetit islam nën hijen e versetit kuranor: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa të ndryshojnë vetet e tyre” (Rrad: 17).
Ndryshimet e fundit rrënjësore që po ndodhin  në Lindjen e Mesme islame, nuk i shpëtuan atribuimeve klasike konspiracioniste.
Jo në pak raste dëgjon apo lexon, se këto ngjarje janë komplote dashakeqe amerikano-izraelite. Madje këto pohime i gjen të shoqëruara me një “bindje të sigurt”, se s`mund të jetë ndryshe, siç i gjen të shoqëruara edhe me akuza ndaj faktorëve të brendshëm aktiv në këtë revolucion, për bashkëpunim me “komplotin” amerikano-izraelit.
Sipas këtij pohimi, këta popuj nuk kanë rrugë tjetër për të shpëtuar nga këto lloj akuzash përveç mos ndryshimit.
Ky tip akuzash ka një prapavijë të rrezikshme deterministe. E theksoj të rrezikshme, sepse ky lloj determinizmi konsiston jo me pritjen e ndryshimit vetëm nga Zoti, por konsiston në adhurimin e të fortit duke i atribuuar atij çdo të madhe e të vogël. Këtij lloj determinizmi pa t`u dridhur gjuha mund t`i thuash, se është një shokvurje ndaj Zotit.
Të pohosh se gjendja në të cilën je, e mirë apo e keqe qoftë ajo, nuk duhet ndryshuar, sepse është prej Zotit e nëse përpiqesh të ndryshosh do të thotë të ndryshosh dëshirën e Zotit, të pohosh këtë do të thotë të akuzosh Zotin për padrejtësi ndaj njeriut. Ndërsa hataja më e madhe është të pohosh, se fati i myslimanëve është i lidhur në mënyrë absolute me këtë apo atë komplot. Kësaj i thonë, t`ia atribuosh të mirën e të keqen, e madhe apo e vogël qoftë ajo, krijesave të Zotit.
Pohimi i Malik Ibn Nebiut i inspiruar nga shikimi i thellë i historisë nën hijen e Kuranit na mundëson që të krijojmë përshtypjen, se pohime të tilla janë sintezë e përjetimit të dhimbshëm të një atmosfere të brendshme inferioriteti.
Thënë ndryshe pazotësia për të ndryshuar veten, çon natyrshëm në atribuimin e ngjarjeve ndaj të tjerëve, veçanërisht ndaj të fortëve.
Injoranca me të gjitha derivatet e saj është i vetmi burim i kësaj ndjenje robëruese. Mosnjohja e ligjeve të Zotit, mosnjohja e rolit të vetes, mosnjohja e historisë, mosnjohja e tjetrit, të gjitha këto natyrshëm kanë si rrjedhojë bindjen, se çlirimin e pengjeve nuk mund ta bëjë tjetër kush, veç “Rambos” apo dorës së tij të fshehtë.
Nuk duhet të çuditemi, nëse një ditë dëgjojmë se edhe  Jermuku, Kadisija, çlirimi i Egjiptit, triumfet në Andaluzi, Sind e Indi, Hitini, Ajn Xhaluti, Kostandinopoja, beteja e Kosovës e shumë e shumë të tjera triumfe historike kanë pasur ndikime të jashtme e nuk janë realizuar nga vetë muslimanët. Madje nuk duhet të hutohemi, nëse dëgjojmë, se Abdurrahman Dalil, Salahudini, Kutzi, Muhamed Fatihu, Umer Muhtari, Abdulaziz Azami, Ahmed Jasini e shumë të tjera kanë pasur lidhje të fshehta e janë ndikuar nga masonët, mongolët, hindusët, francezët apo cionistët.
Për këtë tip psikoze nuk bën dobi e nuk hyn në punë si argument i aftësisë së myslimanëve për të ndryshuar e reformuar, as 12-13 shekuj histori të sundimit politik e shkencor të myslimanëve në botë.
Pas betejës së Hittinit, Salahudin Ejubi duke shëtitur në brigjet e Mesdheut, në Palestinë, i tha këshilltarit të tij të mençur, Abdurrahim Bejsanit: “Në më pak se tre muaj arritëm t`i thyejmë kryqtarët e tani ndodhemi pranë mureve të Kudsit”. Këshilltari i mençur, që e dinte mirë se si ndodhin ndryshimet, me shumë edukatë e delikatesë i përgjigjet: “I nderuar mbret, mendoj se Kudsi është çliruar që në momentin që ka rënë në duart e kryqtarëve. Që në atë çast nënat kanë ushqyer foshnjat e tyre me qumështin e përzier me shqetësimin për Kudsin. Sa qindra e mijëra myslimanë kanë rënë e janë ngritur me hallin e Kudsit, sa lapsa e sa bojë është harxhuar duke shkruar për të, sa mësime, predikime e sa fjalime janë mbajtur për të, sa bashkime e ndarje janë bërë për të, sa beteja, triumfe e fitore janë bërë vetëm për të dhe sa e sa jetë e shpirtra janë dhënë vetëm për të. Kështu ne, duke ngjitur këto shkallë, kemi ardhur deri këtu.
“Ke shumë të drejtë”, – i tha Salahudini këshilltarit të tij të mençur, të cilit i pohoi, se pikërisht për këtë ai këmbëngulte, që ta kishte gjithmonë pranë.
Për të mos mbetur peng i historisë, gjatë arsyetimit të këtyre ngjarjeve aktuale le t`i kthehemi sadopak dinamikës bashkëkohore të myslimanëve për të qenë vetja e tyre, duke i kërkuar ndihmë edhe urtësisë së Abdurrahimit, këshilltarit të Salahudinit.
Dialektika e jetës së myslimanëve pas rënies së Hilafetit osman tregon realisht, se myslimanët filluan të ngrihen pikërisht në momentin kur ra ky Hilafet.
Kryengritjet e ndryshme popullore, spontane dhe të organizuara në Lindjen e Mesme kundër kolonizatorëve treguan, se nuk kemi të bëjmë me popuj të vdekur apo të fjetur, por me popuj që e duan lirinë dhe e dinë, se duhet të jenë vetvetja por problemi ishte se nuk e kishin të qartë se si. Mobilizimi i myslimanëve për çlirimin e Palestinës në vitet 40-50 qe treguesi më i fuqishëm, se këta janë popuj të gjallë dhe nëse nuk do të ishte sabotimi i fitores, çështja e Palestinës dhe e Lindjes së Mesme do të ishte zgjidhur prej kohësh. Revolucionet e ndryshme të suksesshme në vitet 60-70, që patën si prapavijë popujt myslimanë, ndaj mbretërive kukulla ishin një shprehje akoma dhe më konkrete e vullnetit të këtyre popujve, për të luajtur atë mision që u takon. Përsëri popujt myslimanë të udhëhequr nga elitat e tyre ishin ata, që arritën shkëputjen e këtyre shteteve politikisht dhe ideologjikisht nga kampi komunist.
Suksesi i lëvizjes islame në zgjedhjet e organizuara në një atmosferë përkohësisht demokratike, në vende të ndryshme islame, përforcon akoma më shumë dëshirën e këtyre popujve për të qenë të lirë.
Për efekt thjeshtimi, nëse do t`i kushtonim pak vëmendje përvojës turke, kjo do të na e lehtësonte akoma edhe me tepër konstatimin e vullnetit, durimit të gjatë e largpamësisë së popujve myslimanë për të ndryshuar. Dëshira e popullit turk për të qenë vetvetja është kristalizuar që në momentin e rënies së Hilafetit në Luftën e Dytë botërore, po ashtu në vitet 60-të me iniciativën e Adnan Mandrisit.
Përvoja 25-30 vjeçare e Erbakanit, gjatë së cilës 4 herë është detyruar të formojë parti të re po ashtu ka arritur të formojë qeveri dhe njëkohësisht kjo përvojë u ka shërbyer mjaftueshëm nxënësve të tij, për t`u mbështetur në realizimin e strategjisë së tyre të thellë.
E gjitha kjo a nuk mjafton për të argumentuar, se këta popuj janë të gjallë, të vullnetshëm e më së fundi të qartë e të ndërgjegjshëm se ku duhet të arrijnë?!
S`ka pikë dyshimi, se është më se e mjaftueshme, por ajo që konkretisht urojmë është, se kjo që po ndodh të jetë sintetizimi përfundimtar i kësaj përpjekjeje thuajse shekullore të këtyre popujve për t`iu kthyer vetes.
“Nuk është e rëndësishme se si të mendojnë të tjerët, por se si e shikon ti veten tënde” Selman Audeh
“Nëse një ditë populli vendos të jetojë edhe kaderi do t’i përgjigjet” Poeti tunizian (Kasim El Shabij)
“Sa herë ndodhin transformime të mëdha në botë, perëndimi na surprizon me këshillat e tij, se duhet të mësohemi me rendin e ri global. Tani mbase i ka ardhur radha perëndimit, që të mësohet me rendin e ri arab” (Mahmud El Mubarek)
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit