Leukemia, kjo sëmundje e djaloshit 10-vjeçar Idriz Zeneli nga Rezniku i Vushtrrisë, ishte më e shpejtë se sa procedurat burokratike të Ministrisë së Shëndetësisë.
Zemra e vogël e Idrizit pushoi së rrahuri, duke pritur një përgjigje të Ministrisë së Shqipërisë për ta dërguar për shërim jashtë vendit.
E, për intervenimin e tij në vendet perëndimore nevojiteshin shuma të mëdha parash, të cilat nuk i kishte familja Zeneli.
Idrizi, nxënës i klasës V, edhe pse qëndroi dy javë në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë dhe pas gjithë “alarmit” që dhanë mediet për nevojën që të dërgohet për shërim jashtë vendit, nuk arriti ta ndjejë “dorën” e shtetit, shkruan “Zëri”.
Ministria e Ferid Aganit, me procedurat burokratike që praktikon, e neglizhoi përgjigjen në kërkesën e familjes Zeneli, që çoi në varr djaloshin, i cili në prill kishte mbushur vetëm 10 vjet.
E, për vdekjen e Idrizit, familjarët fajësojnë Ministrinë, e cila, si duket, me neglizhencën e saj u bë “sebep” për vdekjen e tij. Ministria e Shëndetësisë nuk ktheu “kokën” nga kjo familje, për t’ia mundësuar dërgimin e djalit për trajtim jashtë vendit, sëmundja e të cilit ishte më e shpejtë se sa vetë procedurat e Ministrisë.
Babai i djaloshit, Bajram Zeneli, nga Rezniku i Vushtrrisë, nuk mund të përmbahej nga dhimbja që e kishte kapluar për humbjen e djalit më të vogël nga pesë fëmijët sa kishte. Ai, me lot në sy, rrëfen për sëmundjen e djalit, e cila i ishte lajmëruar të ndjerit vetëm një muaj më parë.
“Kurrë s’ka qenë i sëmurë më përpara. Ka qenë fëmijë i shëndoshë ‘si molla’. Por, para një muaji, ankohej se po lodhej shumë dhe menjëherë e dërgova këtu te mjeku në Vushtrri. Më thanë ta dërgoj në Prishtinë dhe aty u konfirmua se Idrizi vuante nga leukemia. Mjeku që punon në Klinikën e Pediatrisë, Bardhyl Abrashi, rekomandoi që të dërgohet për shërim jashtë vendit, pasi që një operacion i tillë nuk kryhej në Kosovë”, tregon Bajrami.
Babai i Idrizit tregon se, nga momenti i diagnostikimit të djalit me leukemi, nuk është ndalur për asnjë çast për të kërkuar ndihmën e të gjithëve.
“Pikërisht sot dy javë djali është shtrirë në spital dhe nga dita që kam marrë vesh se ai vuan nga leukemia s’kam pushuar për asnjë moment për të gjetur zgjidhje. Por, përkundër përpjekjeve, nuk arrita t’ia shpëtoj jetën”, thotë Bajrami.
Ai tregon se, për dërgimin e djalit për trajtim jashtë vendit, i janë dashur 60 mijë euro, mjete këto që nuk i posedonte.
“Shpresoja shumë në ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, por asnjëherë nuk arrita të marr përgjigje nga ta. Ata më kërkuan një profaturë, të cilën s’e kisha, por edhe arsyetoheshin se e kanë të harxhuar buxhetin për dërgimin e fëmijëve për trajtim jashtë vendit. Megjithatë, pas publikimeve nëpër media, të hollat nisën të sigurohen, por vdekja nuk e priti Idrizin që të ndjejë dorën e popullit. Sëmundja e tij e rëndë ishte më e shpejtë se gjithçka tjetër”, thotë i ati i Idrizit, tashmë të ndjerë.
Bajramit, ndërkaq, do t’i mbetet peng në zemër gjithë jetën ajo që nuk arriti t’ia dalë dot “dramës” së djalit për t’iu kthyer ai jetës normale.
Gazeta ka bërë përpjekje që t’i kontaktojë zyrtarët e MSH-së për të mësuar rreth arsyeve të vonesës së kërkesës së familjes Zeneli, por zyrtarët e kësaj ministrie me të kuptuar interesimin e gazetës, nuk janë përgjigjur më në telefon.
Gazeta ka telefonuar disa herë zëdhënësin e Ministrisë, Faik Hoti, i cili u është përgjigjur thirrjeve telefonike, derisa në telefon është lajmëruar asistentja e ushtruesit të detyrës të sekretarit të përhershëm të kësaj ministrie, Gani Shabanit, e cila me të mësuar interesimin e gazetës, nuk është përgjigjur më në telefon.
Fshati Reznik të hënën ishte i zhytur në dhimbje. Në shtëpinë e familjes Zeneli ishte hapur e pamja për Idrizin, i cili ishte fëmija më i vogël nga pesë fëmijët sa ishin.kohaislame