2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nuk e duam më lirinë e skllavit!

Më të lexuarat

Njerëz me ambicie të vogël ose pa ambicie fare, për t’u ngritur dhe zhvilluar, si individë dhe komunitet, arsyen e parë dhe të fundit që ngrenë, për të shuar dhe sabotuar çdo nismë që synon të drejtën dhe më të mirën e mundshme, është refreni: “ata po na lënë të lirë të punojmë”, “askush nuk po na pengon të punojmë” apo edhe shprehja të tjera të ngjashme me këtë justifikim.

E gjitha kjo mendësi justifikimi, që kërkon mos ndryshimin e gjendjes aktuale të drejtimit të një institucioni, e konsideron çuditërisht vlerë dhe mirësi të madhe lirinë negative, pra mos pengimin e një aktiviteti të caktuar!

Shtetit, si garantues i lirive dhe të drejtave të njerëzve, i atribuohen liri negative, pra mos pengim që njerëzit të kryejnë këtë apo atë aktivitet. Bie fjala shteti është neutral në çështjet e besimit dhe nuk pengon asnjë njeri të besoj ose jo dhe të predikoj dhe ushtroj besimin ose jo të tij. Duke qenë neutral prej tij nuk pritet të mbështesë besimin ose mosbesimin dhe aktivitetet që bëhen në këtë drejtim, përderisa ai thjesht i lë të lirë njerëzit të besojnë dhe të bëjnë çfarë të duan, për aq sa nuk cenojnë ligje të tjera.

Një institucion drejtues fetar nuk është shteti laik dhe as nuk mund të konsiderohet si i tillë nga pjesëtarët e tij, sepse ai nuk mund dhe nuk duhet të jetë neutral dhe të ofrojë liri negative aktiviteti për punonjësit e tij, sepse kjo bie ndesh me vetë thelbin e ndërtimit të këtij institucioni, që është ngritur për të zhvilluar dhe administruar aktivitetin fetar të bashkësisë së tij.

Një institucion fetar komunitar që “të lë bësh ç’të duash” është një institucion i vdekur ose indiferent, që nuk kërkon asgjë, ndaj dhe nuk ofron asgjë tjetër veç lirisë negative, që në thelb është vetëm se neglizhencë, indiferencë, ose paaftësi dhe pafuqi. Kjo gjendje i ngjan një familje ku i pari i saj nuk i pengon pjesëtarët e familjes të bëjnë ç’të duan, por ndërkohë nuk bën asgjë që ata të rriten dhe zhvillohen të shëndetshëm, duke u treguar indiferent ndaj tyre dhe për rrjedhojë edhe ata janë indiferent ndaj drejtimit të tij.

Kjo është jo vetëm gjendja mjerane, por edhe mendësia mjerane ku ndodhet KMSH sot dhe shumë nga punonjësit e saj. Përderisa ata na lënë rehat edhe ne jemi rehat, ky është refreni që thonë me fjalë ose me vepra si drejtuesit e KMSH ashtu edhe punonjësit e saj. Ndryshe kjo do të thotë se, ata që janë në krye s’ka arsye të lëvizin apo të ndryshojnë, përderisa gjëja më e madhe që kërkojmë prej tyre qenka të mos na pengojnë nga ajo që bëjmë!

Një marrëdhënie e tillë e degraduar deri në këtë pikë, nuk është më një marrëdhënie komunitare mes një bashkësie dhe përfaqësuesve të saj, por një marrëdhënie robërie, mes padronit dhe skllavit, apo çifligarit dhe argatit, ku padroni kurrë nuk ndryshon, ndërsa robërit kënaqen me indiferencën dhe lirinë negative që u ofron padroni. Kjo është kështu, sepse vetëm në një marrëdhënie padron rob, çifligar bujkrob, pronar punonjës, pozicionet e gjithsecilit nuk ndryshojnë kurrë dhe as nuk kanë shpresë dhe as bëhen përpjekje të ndryshojnë.

Kështu është shndërruar edhe KMSH-ja jonë, ku gylenistët në mënyrë abuzive janë kthyer në padron absolut të institucionit komunitar islam shqiptar, duke e shndërruar atë në çiflig të kultit të tyre, ndërsa pjesa tjetër, që janë shumica e kanë pranuar de fakto këtë status dhe “kënaqen” (ose jo) me faktin se janë “të lirë të punojnë, duke mos i penguar askush në misionin e tyre”!

Një “urra” pra për gylenistët drejtues të KMSH që na lënë të lirë dhe nuk na pengojnë të bëjmë davet!
Na rrofshin sa malet se mezi i kemi!
Rrofshin që nuk na respektojnë dhe nuk na dëgjojnë!
Rrofshin që na injorojnë dhe nuk na përgjigjen!
Rrofshin që na manipulojnë dhe nuk na përfaqësojnë!
Rrofshin që nuk na lënë të zgjedhim ata që duam!

JO. Kurrsesi, ne nuk duam një institucion të tillë që të “na lërë të lirë”, por duam një komunitet të vërtetë, ashtu siç e ka emrin, ku të jemi realisht de jure dhe de fakto të përfaqësuar, ku të na përfaqësojnë më të denjët që vetë i kemi zgjedhur, ku të ketë gjithëpërfshirje të drejtë dhe ku të dëgjohet zëri i lirë i imamëve dhe xhematit, ku të punojmë së bashku si vëllezër të barabartë dhe jo si hyzmeqar dhe padron.
Vetëm një institucion që ka liri dhe demokraci të brendshme mund të zhvillohet dhe ecë përpara, KMSH me çifligarë e padron në njërin krah, dhe hyzmeqar dhe robër në krahun tjetër vetëm drejtësi, mbarësi dhe zhvillim kurrsesi nuk mund të ketë.

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit