Transmetohet nga Ebi Seid Huderiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Isha në një mexhlis të ensarëve, kur papritmas erdhi Ebu Musa Eshariu, i cili dukej si i frikësuar dhe tha: Kam kërkuar leje (trokitur) nga Omeri për të hyrë tri herë dhe nuk më është përgjigjur, pastaj jam kthyer. Omeri më tha se çfarë të pengoi që u ktheve (dhe nuk prite)? Unë i thash se kërkova leje tri herë dhe nuk më është lejuar, prandaj u ktheva, për arsye se profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju kërkon leje (tri here) dhe nuk i lejohet atij, le të kthehet”. Omeri më tha: “Për Zotin, do të më sjellësh argument për këtë që thua.” Prandaj, a ka në mesin tuaj ndonjë që e ka dëgjuar këtë hadith nga Profeti (Bekimi dhe paqja qofshin mbi të!)? Ubej ibën Kabi i përgjigjet: “ Për Zotin, nuk do të ngrihet ndonjëri për të dëshmuar për këtë hadith, vetëm se më i vogli nga ne.” Unë (thotë transmetuesi) isha më i vogli në tubim dhe u ngrita e i tregova Omerit se Profeti (Bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) e ka thënë këtë hadith”. (Transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi etj.)
Komenti i hadithit
Nga ky hadith nxjerrim një normë të rëndësishme rreth kërkimit të lejes që për fat të keq shumë nga muslimanët nuk i përmbahen.
Derisa Ebu Seid Huderiu ishte në një tubim të ensarëve, vjen Ebu musa Eshariu dhe tregon se kërkoi leje për të hyrë tek Omeri tri here, por ishte i zënë në ndonjë punë nuk arriti t’i japë leje për të hyrë menjëherë.
Duke e patur parasysh Ebu Musa hadithin e Profetit “Nëse ndonjëri nga ju kërkon leje (tri here) dhe nuk i lejohet atij, le të kthehet.” ai u kthye, mirëpo Omeri kur kuptoi se Ebu Musa ka shkuar, kur e takon më pas e pyet shkakun se pse ka shkuar dhe nuk ka pritur derisa omeri t`i përgjigjet. Ebu Musa ia tregoi hadithin për të cilin Omeri nuk e kishte dëgjuar më parë, prandaj iu duk i çuditëshëm hadithi dhe kërkoi nga ai që të sjellë dikë që do të dëshmojë për këtë hadith.
Ebu Musa i pyeti njerëzit që ishin në tubim i frikësuar nga kërkesa e Omerit se a e ka dëgjuar dikush këtë hadith, që të dëshmoj tek Omeri.
Ubej ibën Kabi që ishte më i respektuari i tubimit u betua se për këtë do të dëshmoj më i vogli nga ata për të treguar se ky hadith është i njohur te të gjithë, prandaj Ebu Seidi që ishte më i vogli në tubim shkon dhe dëshmon.
Dobitë nga hadithi
1. Nga hadithi kuptojmë se në shtëpitë e banura nuk lejohet të hyhet pa kërkuar leje nga banorët.
2. Kërkimi i lejes bëhet tri here (me trokitje apo rënie të ziles) dhe nuk lejohet të bëhet më shumë, përveç në raste të domosdoshme.
3. Nuk lejohet të insistojmë në kërkimin e lejes te dera, por nëse pronari nuk është në gjendje të na takojë, atëherë kthehemi duke patur mirëkuptim.
4. Kërkimi i dëshmisë nga Omeri nuk ishte për shkak se nuk i besonte Ebu Musës, apo se e akuzonte për gënjeshtër, por ai dëshironte të vërtetohej nga kjo thënie që nuk e kishte dëgjuar më parë dhe ta mësojë umetin se është e nevojshme të vërtetohen në saktësinë e haditheve që transmetohen nga Profeti (salallahu alejhi ue selem).
Përgatiti: Alaudin Abazi