AGIM BAÇI
Gara për dhënien e qëndrimeve morale pas ngjarjeve të ndryshme nuk mund të shmangej në realitetin shqiptar as këtë herë me dhënien e çmimit “Nobel” për 2019 për austriakun Peter Handke. Është e natyrshme për botën e qytetëruar, e veçanërisht në hapësirën shqiptare, që të ketë një reagim të fortë për vlerësimin që i bëhet nga një akademi aq e rëndësishme një njeriu që ka shprehur hapur konsideratat e tij për një nga njerëzit, për të cilin nuk ka pasur dyshime, por gjykime dhe vendime, se ka qenë udhëheqës i gjenocidit, vrasjeve dhe dhunimeve, në Bosnje dhe Kosovë. Srebenica, Celina e Rahoveci, janë vetëm disa nga kryeqendrat e terrorit dhe gjenocidit të tmerrshëm, ndërkohë që qindra e qindra të dhunuar e dhjetëra fshatra e qytete të shkretuara vetëm sa do të bënin këdo me pak arsye të ndihej i turpëruar që ka qenë dëshmitar i kohës së Millosheviçit, e jo më të kalonin në krah të mbrojtjes së tij. Mirëpo, ja që austriaku Handke, i cili edhe pas marrjes së Nobelit nuk ka shfaqur ndonjë pendesë që ka mbrojtur atë që njihet tashmë “kasapi i Ballkanit”, është një realitet para syve tanë, ndaj të cilit është e nevojshme të kemi një qëndrim me zë të lartë kundër asaj të keqeje që ai mbështet, pasi një çmim i tillë rrezikon t’u japë moral qëndrimeve të tij të pamoralshme dhe të kobshme për arsyen njerëzore.
Por, a jemi ne si shoqëri të ndershëm në këtë reagim ndaj Handkes? Nuk dua të ndalem aspak te vepra, për të cilën kritika botërore është e një mendjeje se ai është një i talentuar. Dua veç të ndalem te deklaratat, si ai i llojit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që iu drejtua Akademisë së Nobelit, duke shprehur hapur indinjatën për vlerësimin e një njeriu me qëndrime të tilla pro vrasësve dhe dhunuesve. Ne kemi nevojë të madhe që institucionet e mendimit të jenë pararojë e ndëshkimit dhe diskreditimit të së keqes, të së pamoralshmes në jetën tonë, ndaj dhe deklarata të tilla duhej të ishin në qendër të qëndrimeve të tilla nga një institucion si Akademia. Por, a është e besueshme Akademia jonë kur në gjithë këto vite, pas vitit 1990, nuk ka bërë as një deklaratë të vetme për të dënuar krimet e diktaturës së Enver Hoxhës dhe gjithë makinerisë së tij vrasëse dhe denatyruese. A mundet të jetë kjo Akademi kaq e indinjuar ndaj Handkes që adhuron Sllobodanin kur në mesin e tyre ka shërbyes të drejtpërdrejtë të atij regjimi, të cilët nuk kanë mundur as të distancohen e as të artikulojnë diçka për fytyrën kriminale që përdhunoi, dhunoi, burgosi dhe shpërfytyroi bashkëkombësit tanë, përfshi këtu edhe shitjen e hapur të interesave kombëtare, qofshin këto edhe në rastin e Kosovës dhe Çamërisë? A është e ndershme deklarata e kësaj akademie që është thuajse inekzistente në jetën e përditshme shqiptare, duke mos dënuar, të paktën, as vjedhjen intelektuale, e jo më degradime të tjera që lidhen me funksionimin e shoqërive?
Institucionet e mendimit paguhen si të tilla për të qenë barriera morale që shoqëria të mos krenohet me të keqen. Fatkeqësisht, sot shoqëria është e rrezikuar nga krenimi i shumëkujt se mund të jetojë lirshëm me ligësinë, se është normale të shkelësh mbi dinjitetin e tjetrit, me bindjen se e ardhmja u përket vetëm fituesve. Një shoqëri e tillë ka nevojë urgjente për qëndrime të ashpra nga të gjithë ata që duan të jetojnë me dinjitet, e sidomos nga institucionet që paguhen me taksat e qytetarëve për të ruajtur dhe paralajmëruar shoqërinë nga devijime të tilla, duke mbrojtur fort dinjitetin njerëzor dhe marrëdhëniet me të vërtetën. Mirëpo, fatkeqësisht, në institucionet e mendimit shqiptar ka vijuar, për fat të keq, mentaliteti i shkollës ideologjike të së shkuarës, dhe akademikët apo edhe njerëz të tjerë të shquar për nga talenti, nuk kanë mundur të jenë edhe një shembull moral për të tjerët. Në këtë aspekt, dënimi moral për një të talentuar, si në rastin e Handkes, por që konsiderohet një katastrofë morale me mbrojtjen që ai i bënë së keqes, do kishte vlerë nëse do të ishin paraprirë edhe më parë nga të tilla qëndrime ndaj kujtdo që ka tentuar të përkrahë apo bashkëjetojë me të keqen, në Shqipëri apo gjetkë.
Por kjo hipokrizi nuk është karakteristikë e shoqërisë apo institucioneve të mendimit në Shqipëri. Mjafton të kujtojmë faktin se shoqëritë që sot bëjnë peticione kundër Akademisë që vlerësoi Handken, kanë heshtur për një nga nobelistët dhe shkrimtarët më të njohur në të gjithë botën, Gabriel Garsia Markez, i cili jo vetëm që ka qenë një adhurues i Fidel Kastros, por edhe ka heshtur në rastin e dënimit të poetit Herberto Padillas, që Kastro e shpalli kundërshtar të regjimit. Askush nuk ka folur kundër figurës së Markezit, edhe pse Padilla i kërkoi ndihmë që të firmoste një peticion që ishte kundër dënimit të tij e që e kishin firmosur dhjetëra shkrimtarë të tjerë të udhëhequr nga Vargas Llosa. Kjo heshtje e shoqërive moderne ka vlejtur edhe për adhurimet e Sartrit ndaj Stalinit e Maos apo të Ezra Paundit ndaj Musolinit.
Këto janë shembuj për të kujtuar se e keqja nuk duhet të jetë e seleksionuar, por kërkon më së pari një ndëshkim me ndershmëri qëndrimesh. Kjo vlen edhe për çdo individ që kërkon të ndezë dritat e qëndrimeve morale te shoqëritë e tjera, ndërkohë që nuk ka as edhe një qiri moral të ndezur në shoqërinë ku jeton, në përditshmërinë e tij, teksa sheh se si e keqja dhe amoralja shitet si zhvillim dhe shumica vetëm duartroket.
Ne të gjithë kemi nevojë ta dënojmë figurën e Handkes apo edhe të gjithkujt tjetër që ka përkrahur apo bashkëpunuar me të keqen, pa u ndikuar nga talenti dhe gjenia e tyre në të shkruar apo në fusha të tjera të artit. Është e vërtetë, që talenti as nuk rritet e as nuk zhduket me peticione, por qëndrimet morale e bëjnë çdo shoqëri që të zvogëlojë kufijtë e denatyrimit njerëzor, kufijtë e humbjes së dinjitetit – kufij që kanë aleat heshtjen tonë dhe dekurajimin tonë përballë së keqes. Ndryshe, nëse heshtim, vetëm sa kemi bashkëjetuar me hipokrizinë tonë, një hipokrizi që e rijetojmë sa herë shfaqet ndonjë dallgë qëndrimesh për ngjarje larg përditshmërisë dhe shoqërisë ku jetojmë.