2.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Njëzetekatër komuna në balotazh

Më të lexuarat

Sipas rezultateve paraprake, dhjetë komuna tashmë kanë zgjedhur kryetarët e tyre. Ende është e paqartë çështja e votimeve në veri të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi rezultatet paraprake të zgjedhjeve të së dielës për pushtetin komunal në Kosovë.

Në bazë të rezultateve paraprake ku nuk janë përfshirë votat nga komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe dhe a votat e hedhura me kusht, 24 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarët e tyre, meqë nuk kanë siguruar shumicën e domosdoshme.

Ndërkaq, në dhjetë komuna të Kosovës, kryetarët janë zgjedhur që në raundin e parë të votimeve, raporton Zëri i Amerikës.

Zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, kanë qenë të vlefshme edhe për zgjedhjen e deputetëve të kuvendeve komunale.

Votimet në veri u dëmtuan nga incidentet e së dielës mbrëma, kur persona të maskuar ndërhynë dhe shkatërruan kutitë e votimit në disa vendvotime në veri të Mitrovicës, duke detyruar largimin e komisionit të zgjedhjeve dhe të përfaqësuesve të Misionit të OSBE-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të materialeve para se të vendosë nëse votimet në veri janë të vlefshme, nëse do të ketë votim të pjesshëm apo do të ketë zgjedhje tërësisht të reja në veriun e Mitrovicës.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarët e komunave pritet të zhvillohet më 1 dhjetor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pohon se pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte për 100 mijë votues më e lartë sesa zgjedhjet e kaluara. Gjithsej 814 mijë e 780 votues apo 45 për qind e mbi 1 milion e 700 mijë votuesve të regjistruar morën pjesë në votime.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka thënë se OSBE nuk ka dështuar në organizimin e zgjedhjeve sepse, sipas saj, janë katër komuna në veri dhe bëhet fjalë vetëm për një qendër të votimit në të cilën pa fajin e OSBE-së ka ndodhur ndërprerja, shkaku i sulmeve fizike.

Daka ka thënë se nuk kanë rezultate se cila parti është e para në nivel vendi, transmeton Kosovapress.

Sipas saj, “materiali zgjedhor për tërë pjesën veriore ka ardhur në Prishtinë dhe posa të procedohet sipas procedurave të parapara, do të dihet gjendja e këtij materiali, nëse është i dëmtuar, sa është i dëmtuar dhe në cilat komuna”, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Kur është fjala te balotazhi, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike do të ballafaqohen në tetë komuna. PDK-ja shkon në raundin e dytë me LDK-në në Gjilan, Prizren, Dragash, Lipjan, Ferizaj, Viti, Klinë dhe Kamenicë.

Raund të dytë do të ketë edhe Vushtrria, Rahoveci dhe Suhareka në të cilat do të garojnë kandidatët e PDK-së, të LDK-së dhe të AAK-së.

Kandidati i AAK-së do të përballet në raundin e dytë të zgjedhjeve me kandidaten e AKR-së, Mimoza Kusari Lila, në Gjakovë. Mitrovica (jugu) çon në balotazh PDK-në me AKR-në.

Komuna e Junikut, Obiliqit dhe Pejës do të ballafaqojë kandidatët e LDK-së dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Iniciativa Qytetare për Malishevën e ndarë nga PDK-ja pak para zgjedhjeve, po kështu është në balotazh me LDK- në.

Edhe në kryeqytetin kosovar do të votohet në raundin e dytë. Kandidati Isa Mustafa nuk e kaloi 50 përqindëshin e votave në Prishtinë duke shkaktuar kështu një përballje të dytë me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti, transmeton Koha.

Interesante është fakti se në këto zgjedhje, PDK-ja fitoi në raundin e parë vetëm në katër komuna, LDK-ja në tri dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në vetëm një komunë. Vetëvendosje përveç që s’e fitoi asnjë komunë edhe balotazhin do ta ketë vetëm në Prishtinë.

Komunat në të cilat do të qeverisë PDK-ja në mandatin e ardhshëm janë Kaçaniku, Skënderaj, Shtimja, dhe Drenasi. Istogun, Fushë Kosovën dhe Podujevën e fitoi në raundin e parë LDK-ja.

Kandidati i pavarur Rufki Suma ndërkaq fitoi sërish në raundin e parë Komunën e Hanit të Elezit. Edhe partia turke ka fituar në komunën e Mamushës. Sa i përket komunave me shumicë serbe, shihet qartë se Lista Serbe e krijuar këtë vit me mbështetjen e shtetit serb ka gjetur përkrahjen e komunitetit serb.

Kështu kjo listë shkon në balotazh në Novobërdë me kandidatin e LDK-së Bajrush Ymeri, në Partesh Kllokot dhe Graçanicë me Partinë e Pavarur Liberale Serbe e cila drejtohet nga zëvendëskryeministri Slobodan Petrovic. Ky i fundit ka rastin të ballafaqohet në raundin e dytë me partnerin e tij të nivelit qendror, partinë e kryeministrit Thaçi në komunën e Shtërpcës.

Rezultatet ende nuk dihen për katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë do të zhvillohet me 1 dhjetor.

Rezultatet, sipas KQZ-së, për kryetar komune janë:

Deçan, AAK-LDD me 54.05 për qind, LDK 35,15 për qind

Gjakovë, AKR 43.43 për qind, AAK-LDD 35.80 për qind

Drenas, PDK 63.08 për qind

Istog, LDK 51.01 për qind

Kaçanik, PDK 25.57 për qind, AAK 17.99 për qind

Klinë, PDK 42.26 për qind, LDK 24.59

Fushë Kosovë, LDK 64 për qind

Kamenicë, LDK 33.0 për qind, PDK 32.52 për qind

Rahovec, PDK 39.11 për qind, LDK 22.09 për qind

Mitrovicë e Jugut, PDK 42.80 për qind, AKR 21.83 për qind

Lipjan, PDK 35.38 për qind, LDK 35.33

Podujevë, LDK 50.06,

Skenderaj, PDK 88.45 për qind

Suharekë, LDK 34.80 për qind, AAK 30.24 për qind

Malishevë, IQM 42.19 për qind, LDK 25.81 për qind, PDK 25.71 për qind

Han i Elezit, Refki Suma 54.17 për qind

Viti, LDK 37.7 për qind, PDK 23.7për qind

Ferizaj, PDK 39.20 për qind, LDK 34.3 për qind

Pejë, LDK 40.85 për qind, AAK 36.12 për qind

Prishtinë, LDK 43.00 për qind , VV 31.58 për qind

Prizren, PDK 37.08 për qind, LDK 25,22 për qind

Gjilan, LDK 40.13 për qind, PDK 26.15 për qind

Dragash, LDK 35.15 për qind, PDK 34.05 për qind

Novobërdë, LDK 32.56 për qind G.I.Srpska 25.30.

/REL/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit