5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Njeriu që kërkohej nga FBI-ja, shpërblehej në Kosovë me tender milionësh

Më të lexuarat

Që nga nëntori i vitit 2015, Imer Shahini ishte kërkuar nga FBI-ja për një skemë ku dyshohet se ai me grupin e tij kishin përfituar miliona dollarë. Miku i Enver Hoxhajt dyshohet se së bashku me grupin e tij kishin përfituar 20 milionë dollarë në distriktin e New York-ut.

Por përderisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin duke kërkuar vëllanë e bashkëshortes së Enver Hoxhajt, ai në vitin 2011 ishte ‘shpërblyer’ me tender milionësh në Kosovë, shkruan Insajderi.

Kompania “Piritpek” kishte fituar tenderin për sistemin  informativ shëndetësorë, vlera e të cilit ishte 1.5 milionë euro. Imer Shahini kishte pasur takime të shpeshta edhe me ministrin e Shëndetësisë së asaj kohe, Ferid Agani.

Agani kishte qenë në dijeni të plotë se Shahini është i afërm i ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhajt, por thoshte se në tender nuk kishte pasur asnjë ndikim lidhja e tij familjare.

Tenderi që kishte fituar kompania e Shahinit nuk kishte qenë e aftë për të kryer punimet brenda kohe. I nervozuar me situatën për ndërtimin e sistemit informativ në shëndetësi, kryetari i FSSHK-së Blerim Syla thoshte se kompania që e përfaqësonte Shahini është vetëm për t’i vjedhur paratë.

“Sa për informatën e juaj dhe të publikut se sa ata [kompania fituese e tenderit për sistemimin informativ shëndetësor v.j]  janë të gatshëm vetëm për me manipuluar me këto pare dhe me i vjedh këto pare, këto po e them haptazi për popullatën le ta merr vesh mirë”.

“Sistemi informativ nuk është i gatshëm dhe për më keq njerëzit që janë duke u ndjekur nga FBI kanë marrë tenderë për sistemin shëndetësor në Kosovë, nuk do ta përmendi emrin e atij njeriu, por ju e dini që ai është i akuzuar për 20 milionë dollarë”, kishte thënë Blerim Syla katër vite më parë, shkruan Insajderi.

Dardan Sejdiu si anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2016 kishte akuzuar Enver Hoxhajn se kishte ndikuar në dhënien e tenderit për mikun e tij që po kërkohej nga SHBA-ja.

“Në vitin 2011, Hoxhaj nënshkruan marrëveshje me Luksemburgun për ndihmë në projekte si sistemi i informimit shëndetësor. Në vitin 2012, hapet tenderi për ndërtimin e sistemit të informimit shëndetësor për blerjen e harduerit. Kontrata nënshkruhet nga 4 palë MSh, Piritpek, përfaqësohet nga Imer Shahini, Enver Hoxhaj është mik i tij.

“Ky përfaqësues nënshkruan këtë kontratë por në agjencionin për regjistrimin e bizneseve nuk figuron, nuk është përfaqësues i kompanisë. Nënshkruhet për implementim për 36 muaj. 12 muaj të sillen pajisjet për 24 muaj mirëmbajtje. Sot 4 vite me vonë kemi ardhë në situatë, ku ky zotëri ngritët kërkim nga Interpoli dhe FBI për mashtrim. Në vitin 2015, ky sistem është dashtë të jetë në funksional, tash në vitin 2016 jemi, janë dhënë 1milionë. Shkelzen Ibrahimi prokurori i rastit nuk i bënë hetimet”, kishte deklaruar Sejdiu.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, kishte konfirmuar takimet e shpeshta me mikun e Enver Hoxhajt. Kishte mohuar kategorikisht se lidhja familjare e Imer Shahinit të ndikon në dhënie të nderit.

“E kam ditur që ai është i afërm i Hoxhajt sepse kam pasur takime të shumta më të, dhe edhe pas tenderit kam insistuar që të ketë avancim të këtij sistemi të informimit shëndetësor”, kishte thënë Agani.

Agani njësoj si Hoxhaj, akuzat e VV-së i quante politike dhe se si qëllim kryesor sipas tyre kishin pasur ta paraqisnin Qeverinë e Kosovës si institucion të korruptuar.

Në kryeqytetin kosovar, Imer Shahini figuron të jetë bashkëpronar i kompanisë “Dorian & Pan Illyrian Partnership”. Ortaku i tij në këtë firmë është një nga bashkëpunëtorët e tij edhe në skemën e mashtrimeve që e ka hetuar FBI-ja, Jason Woodruff Galanis.

Sipas asaj që thuhet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës(ARBK), kjo kompani merret me shërbimet e ndërmjetësimit për letra me vlerë dhe kontrata të mallit, nxjerrjet e naftës së papërpunuar dhe me aktivitete mbështetëse për nxjerrjen e naftës

 Çfarë kishte bërë Imer Shahini që po kërkohej nga SHBA-ja

Imer Shahini sipas dyshimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte përfshirë në një skemë mashtrimi në vlerë të 20 milionë dollarëve.

Skema që ishte përfshirë Shahini, parashihte që fshehurazi të merreshin nën kontroll miliona aksione të kompanisë “Gerova Financial Group Ltd”, të cilat fshehurazi do të duhej edhe të shiteshin.

Plani parashihte që gjysma e këtyre aksioneve t’i kalonin në pronësi Shahinit. E për tu realizuar kjo skemë, Vëllezërit Galanis, po ashtu të akuzuar nga FBI-ja për mashtrim dhe përfitim të jashtëligjshëm, ishin përkujdesur t’ia hapnin një llogari Shahinit, “Shahini Accounts”, ku do të kaloheshin aksionet e shitura fshehurazi në mënyrë që në “Gerova” të mos vihej re se kush ishte pronari i vërtetë i tyre.

Rrjedhimisht, njeri prej vëllezërve Galanis, Jason, do të vazhdonte ta mbante nën kontroll kompaninë “Gerova” duke përfituar gjithashtu miliona para dhe duke vazhduar ta kontrollonte tregun edhe nga shitja e stoqeve të Gerova-s. Deri në fund të kësaj kurdisjeje, ky grup përfitoi përmes mashtrimit 20 milionë dollarë.

Për këto veprime Shahini ishte duke u kërkuar që nga viti 2015, ndërsa u arrestua vetëm  të martën nga Policia e Kosovës në Fushë Kosovë.

Një ditë pas arrestimit të Shahinit, Policia ka arritur të arrestojë edhe Binak Gjergjajn dhe Ramiz Borduniqin, po ashtu të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Binak Gjergjaj, nga Klina, dyshohet për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të gruas së tij në Amerikë, disa vite më parë, raporton Insajderi.

Ndërkaq, Ramiz Borduniqi, akuzohet nga autoritetet amerikane për mashtrime milionëshe me trafikim të narkotikëve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit