-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Njeriu në rradhë të parë

Më të lexuarat

Selman Aude

Njëherë kur isha duke udhëtuar me aeroplan, pranë meje u ul një djalosh që sillej ndryshe nga ç’mund të sillet njeriu në kushte normale. Ai dukej i mërzitur, i pikëlluar dhe rrinte i veçuar nga të tjerët. Dukej sikur kishte frikë nga kushdo që ulej pranë tij, bisedonte apo takohej me të. Sikur ruhej nga një e keqe që mund ta godiste në çdo çast.

Mendova se ky djalosh është një shtëpi e mbyllur me dryna. E nëse ti dëshiron që të hysh në këtë shpëti duhet me patjetër që të kesh çelësat e duhur.

Ndoshta ti dëshiron që të depërtosh tek ky njeri apo tek dikush tjetër për të qenë ortak me të në një marrdhënie tregtare, projekti teknik apo programi kulturor. Ose ke dëshirë që ta ftosh atë për tek e mira apo ta mbrosh nga gjërat e këqija. Ose dëshiron të përfitosh prej tij ngaqë ai është i suksesshëm në një profesion, ose do t’i shërbesh për diçka që ai ka nevojë.

Ti mund të kesh përballë një njeri të pasur, inovator, lexues, pervers, lypës apo çfarëdo lloj njeriu tjetër..

Para së gjithash ai është njeri përpara se të jetë dikushi. Ai ka lindur duke mos patur asgjë me vete. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë.”[1] Po ashtu në një ajet tjetër ka thënë: “Tashmë na vini veç e veç, ashtu siç ju krijuam herën e parë..”[2]

Çdo përpjekje që bën për të kapërcyer parimin e të qenurit njeri ka për të dështuar. Fati i mirë që edhe ti je njeri, je në dijeni të nevojave, gjërave të domosdoshme, ndjenjave dhe emocioneve që ka njeriu.

Është prej Urtësisë hyjnore që Allahu i Lartësuar i ka zbritur të Dërguarit të Tij si njerëz që hanë, ecin në treg, martohen e bëhen me fëmijë, janë të shëndetshëm, sëmuren dhe vuajnë.

Çdo njeri ka mure të cilat nuk duhet të prishen e as të kapërcehen. Ai ka portat e duhura nga ku mund të hysh. Por që të hysh duhet të jesh i butë, të kesh vizion dhe të hysh në formën më të mirë. Profeti (a.s) ka thënë: “Kush dëshiron të shpëtojë nga Zjarri dhe të hyjë në Xhenet le të vdesë duke qenë besimtar tek Allahu dhe Dita e Fundit. Ai duhet të sillet me njerëzit ashtu sikurse dëshiron që të tjerët të sillen me të.”[3] Me këto fjalë, Profeti (a.s) shpalos një program të mrekullueshëm për krijimin e raporteve me të tjerët: Ta vendosësh veten në pozitën e personit që ke përballë. Kur ti dëshiron të krijosh raporte me të; cila është ajo gjë që atij i bën përshtypje tek ti?

Duhet të flasësh fjalë të mira për të duke qenë i sinqertë dhe duke mos shtuar asgjë në fjalët që thua. Nuk ka dyshim se çdo njeri ka cilësi të mira, për të cilat ka dëshirë që t’ia vësh në dukje. Duhet ta bësh atë që ta ndjejë se ti e do dhe e vlerëson atë. E si mos ta nderosh një njeri të cilin Zoti e ka nderuar, përzgjedhur dhe e ka krijuar në formën më të bukur. Allahu i Lartësuar thotë: “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit; ua e kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar.”[4] “Pastaj, Ne ua dhamë Librin robërve Tanë të zgjedhur. Disa prej tyre i bëjnë dëm vetes duke bërë vepra të ndaluara, disa janë në rrugë të mesme, ndërsa disa, me lejen e Allahut, shkojnë përpara me të mira. Kjo është dhuntia më e madhe.” [5] “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer.”[6]

Shikoje atë në sy, buzëqeshi me ëmbëlsi, takoje përzemërsisht dhe zgjidh fjalët më të bukura!

Përpara se t’i japësh lekë, apo t’i kryesh një nevojë, dhuroi fytyrën, zemrën, respektin dhe vlerësimin tënd. Allahu i Lartësuar thotë: “Fjala e mirë dhe falja e gabimit janë më të vlefshme se lëmosha që përcillet me fyerje.”[7] Vepro kështu me bashkëshorten tënde, shoqen e jetës tënde! Vepro kështu me fëmijën tënd i cili ka personalitetin dhe përgjegjësitë e tij në këtë botë dhe në botën tjetër. Vepro kështu me kolegun tënd në punë. Vepro kështu me komshiun që e takon çdo ditë. Vepro kështu me shërbëtorin apo shoferin e taksisë pa e nënvleftësuar aspak atë. Mendo se nëse Allahu të ka bërë që të dallohesh nga ai për shkak të pasurisë apo pozitës në këtë botë, mundet që ai të jetë më i mirë se ty në çështjet e besimit, devotshmërisë, sinqeritetit apo një vepre të mirë që ka kryer.

Vepro kështu edhe me një të huaj që e shikon për herë të parë dhe ndoshta nuk mund të të jepet shansi që ta shikosh më asnjëherë! Duke vepruar kështu, ti i dhuron atij një imazh të mirë për veten tënde apo të rrethit të cilit i përket. Dhuroji atij kënaqësi, lumturi, gëzim dhe hare. Dërgoi atij mesazhe lumturie e Allahu ka për të ta shpërblyer! Ai i cili dhuron fiton më tepër se ai që merr e Ahireti është më i mirë se kjo botë.

Vepro kështu gjithmonë me ata të cilët dëshiron t’i orientosh për tek e mira, apo me ata të cilët dëshiron t’i këshillosh duke qenë një këshillues i mirë. Mjerë ti nëse akuzon apo sillesh ashpër! Sepse në këtë rast ti ke për të dështuar përpara se të fillosh. Imam Ahmedi ka thënë: “Rrallëherë mund të ndodhë që një person ta pranojë fjalën tënde, nëse ti e ke zemëruar atë më parë.”

Të gjithë edukatorëve, ftuesve dhe reformatorëve ju dhurojmë këto fjalë të bukura që burojnë nga thellësia e përvojës, që përputhen me udhëzimin dhe mesazhin e të gjithë profetëve dhe ajetet e Kuranit.

Lusim Allahun të na dhurojë urtësi, largpamësi dhe të na ruajë nga të këqijat e veprave tona!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit