1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Njeriu i parë

Më të lexuarat

Falenderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.

Të nderuar muslimanë!

Porosia ime, për veten dhe për ju është që të jemi të devotshëm, ta kemi frikë Allahun e Lartësuar.

Njëra ndër standardet e imanit është besimi në të gjithë pejgamberët e Allahut të Lartësuar. Ai që nuk përfill këtë degë të besimit ka mohuar atë që i ka zbritur Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

إِنَّ الَّذِينَ يَكْفُرُونَ بِاللَّهِ وَرُسُلِهِ وَيُرِيدُونَ أَنْ يُفَرِّقُوا بَيْنَ اللَّهِ وَرُسُلِهِ وَيَقُولُونَ نُؤْمِنُ بِبَعْضٍ وَنَكْفُرُ بِبَعْضٍ وَيُرِيدُونَ أَنْ يَتَّخِذُوا بَيْنَ ذَلِكَ سَبِيلاً * أُوْلَئِكَ هُمْ الْكَافِرُونَ حَقّاً وَأَعْتَدْنَا لِلْكَافِرِينَ عَذَاباً مُهِيناً *

“S’ka dyshim se ata që nuk besojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, dëshirojnë të bëjnë dallim mes Allahut dhe të dërguarve të Tij e thonë: ‘Ne i besojmë disa e nuk i besojmë disa të tjerë e mes këtij duam të marrin rrugë.’ Të tillët janë jobesimtarë të vërtetë e Ne kemi përgatitur dënim të fortë e nënçmues për jobesimtarët.”

Të dërguarit e Allahut të Lartësuar në tokë janë të shumtë. Kurani përmend 25 prej tyre, të cilët kemi për obligim t’i besojmë një nga një, po edhe të tjerët ku Allahu i Lartësuar e sinjalizon Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)

وَرُسُلاً قَدْ قَصَصْنَاهُمْ عَلَيْكَ مِنْ قَبْلُ وَرُسُلاً لَمْ نَقْصُصْهُمْ عَلَيْكَ وَكَلَّمَ اللَّهُ مُوسَى تَكْلِيماً

Dhe (dërguam) të dërguar më parë që të rrëfyem për ta dhe të dërguar të tjerë për të cilët nuk të rrëfyem. E Musait i foli Allahu me fjalë.”(Nnisa, 164)

Detyrat e pejgamberëve

Detyrat e tyre ishin që të jenë në shërbim të tri çështjeve bazë, duke publikuar:

1. Besimin në Allahun e Lartësuar  dhe Njëshmërinë e Tij.

2. Besimin në Ditën e Fundit dhe llogarinë për veprat e bëra.

3. Qartësimin e ligjeve të Allahut të Lartësuar që janë në favor të njeriut.

Pra, rroli i pejgamberëve të Allahut ishte thirrja e njerëzve në çdo kohë për të besuar drejt Krijuesin, duke përmirësuar lidhjet mes Allahut dhe robit të Tij.

Qëllimi i Kuranit në përshkrimin e ngjarjeve të pejgamberëve

Kurani jep rëndësi të veçantë rrëfimit të ngjarjeve historike duke përfshirë debatet dhe diskutimet e popujve të ndryshëm me pejgamberët e Allahut të Lartësuar, duke përfshirë parimet dhe principet e thirrjes islame, gjithashtu, edhe duke e përmbajtur Muhamedin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Allahu i Lartësuar thotë:

نَحْنُ نَقُصُّ عَلَيْكَ أَحْسَنَ الْقَصَصِ بِمَا أَوْحَيْنَا إِلَيْكَ هَذَا الْقُرْآنَ وَإِنْ كُنتَ مِنْ قَبْلِهِ لَمِنْ الْغَافِلِينَ

Ne të sjellim ty (O Muhamed!) tregimet më të mira me anë të shpalljeve Tona të këtij Kurani, edhe pse para tij ishe nga të painformuarit.”(Jusuf, 3)

Qëllimi i tregimeve më të mira mbi pejgamberët e Allahut është se kjo fe është vetëm prej Allahut të Lartësuar që nga Nuhi (alejhi selam) deri te Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)

Kurani kur rrëfen tregimet e pejgamberëve, paraqet qartë materialin historik dhe ndodhitë në një stil të lartë, shtjellon bukur ngjarjen, ilustron rrjedhshëm mendimin, saktëson qëllimin dhe rizgjon ndërgjegjen, duke lënë gjurmë të thellë në veten dhe ndjenjat e njeriut. Kështu, nga fusha historike kalon në sferën fetare, duke përfshirë: besimin, moralin, edukimin dhe këshillën.

Qëllimi është që besimtari të mësohet dhe të edukohet, të përgëzohet dhe të qortohet, të udhëzohet dhe të drejtohet.

وَكُلاًّ نَقُصُّ عَلَيْكَ مِنْ أَنْبَاءِ الرُّسُلِ مَا نُثَبِّتُ بِهِ فُؤَادَكَ وَجَاءَكَ فِي هَذِهِ الْحَقُّ وَمَوْعِظَةٌ وَذِكْرَى لِلْمُؤْمِنِينَ

Të gjitha këto që t’i rrëfyem ty (O Muhamed!) nga lajmet e pejgamberëve të forcojnë zemrën tënde dhe në to ka ardhur e vërteta e këshilla, si dhe përkujtime për besimtarët.”(Hud, 120)

Besimtarë të nderuar!

Tregimet më të bukura janë të pejgamberëve me të cilat Allahu i Lartësuar ia forcoi zemrën Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe ia përkujtoi besimtarëve të vërtetën e besimit në Njëshmërinë e Allahut të Lartësuar. Pejgamberët e Allahut janë shëmbëlltyrë për të gjithë dhe ne duhet të njihemi me të dërguarit e Allahut.

Ne, në këtë hytbe do të njihemi me njeriun e parë, babain e njerëzimit, Ademin (alejhi selam). Së bashku të gjithë me një kënaqësi të veçantë shpirtërore do ta kujtojmë krijimin dhe pozitën e lartë të babait tonë.

Krijimi i Ademit (alejhi selam) dhe ndershmëria e tij

Tregimi i rrëfimit të krijimit të Ademit (alejhi selam) fillon me kuvendimin bashkëbisedues mes Allahut të Lartësuar dhe engjëjve. Allahu i Lartësuar i lajmëron engjëjt për krijimin e një zëvendësi në tokë dhe që do të jetë në pozitë udhëheqjeje brez pas brezi. Ata u habitën me këtë lajm dhe shprehën reagimin menjëherë duke thënë: “A do të krijosh atë që bën padrejtësi dhe derdh  gjak, ndërsa ne të madhërojmë, të lartësojmë dhe të falendërojmë?!” Allahu i Lartësuar i përgjigjet engjëjve duke i thënë se Unë di atë që ju nuk e dini. T’i lexojmë fjalët e Allahut të Lartësuar në Suren Bekare, ajeti 30:

وَإِذْ قَالَ رَبُّكَ لِلْمَلائِكَةِ إِنِّي جَاعِلٌ فِي الأَرْضِ خَلِيفَةً قَالُوا أَتَجْعَلُ فِيهَا مَنْ يُفْسِدُ فِيهَا وَيَسْفِكُ الدِّمَاءَ وَنَحْنُ نُسَبِّحُ بِحَمْدِكَ وَنُقَدِّسُ لَكَ قَالَ إِنِّي أَعْلَمُ مَا لا تَعْلَمُونَ

“Dhe (Përkujto o Muhamed!) kur Zoti yt u tha engjëjve: ‘Vërtetë që Unë do të çoj në tokë zëvendësues.’ Ata i thanë: ‘A do të vendosësh atje ata të cilët bëjnë shkatërrime dhe derdhin gjak, ndërsa ne të madhërojmë ty me lavdërime dhe falënderime dhe të shenjtërojmë.’ Ai (Allahu) u tha: ‘E vërteta është që Unë di atë që ju nuk e dini.’” (Bekare, 30)

Allahu Fuqiplotë në Kuran na pasqyron elementet e krijimit të Ademit (alejhi selam) ishte baltë-argjilë e zezë ku edhe merr formën, pastaj shpirti që Allahu e ka krijuar dhe kështu njeri prej gjaku, mishi dhe ndjenja.

وَإِذْ قَالَ رَبُّكَ لِلْمَلائِكَةِ إِنِّي خَالِقٌ بَشَراً مِنْ صَلْصَالٍ مِنْ حَمَإٍ مَسْنُونٍ * فَإِذَا سَوَّيْتُهُ وَنَفَخْتُ فِيهِ مِنْ رُوحِي فَقَعُوا لَهُ سَاجِدِينَ *

Dhe (përkujto) kur Zoti yt engjëjve u tha: “Unë po krijoj njeriun nga balta e tharë, e zezë e me erë. E kur Unë e përsosë atë në formën e tij dhe t’i kem fryrë atij shpirtin që është krijesë e Imja, atëherë ju bini atij në sexhde (për nderim).” (Hixhër, 28-29)

Allahu i Lartësuar na tregon për tre nderimet e njohura që ia bëri Ademit (alejhi selam):

–  E krijoi vetë me duart e Tij.

– Ja dhuroi shpirtin vet Allahu i Lartësuar.

– Urdhëroi engjëjt për sexhde nderimi.

Allahu i Lartësuar i sfidoi edhe engjëjt me Ademin (alejhi selam) duke ia mësuar emrat e të gjitha gjërave. Kur ani na tregon për këtë ngjarje:

وَعَلَّمَ آدَمَ الأَسْمَاءَ كُلَّهَا ثُمَّ عَرَضَهُمْ عَلَى الْمَلائِكَةِ فَقَالَ أَنْبِئُونِي بِأَسْمَاءِ هَؤُلاء إِنْ كُنتُمْ صَادِقِينَ * قَالُوا سُبْحَانَكَ لا عِلْمَ لَنَا إِلاَّ مَا عَلَّمْتَنَا إِنَّكَ أَنْتَ الْعَلِيمُ الْحَكِيمُ * قَالَ يَا آدَمُ أَنْبِئْهُمْ بِأَسْمَائِهِمْ فَلَمَّا أَنْبَأَهُمْ بِأَسْمَائِهِمْ قَالَ أَلَمْ أَقُلْ لَكُمْ إِنِّي أَعْلَمُ غَيْبَ السَّمَوَاتِ وَالأَرْضِ وَأَعْلَمُ مَا تُبْدُونَ وَمَا كُنتُمْ تَكْتُمُونَ *

E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve), pastaj ata ua prezantoi engjëjve dhe u tha: ‘Më tregoni për emrat e këtyre (sendeve të emërtuara), nëse jeni të drejt (në atë që mendoni)?’. (Engjëjt) Thanë: ‘Ti je i pa të meta, ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na mësove Ti. Vërtetë, Ti je i gjithëdijshmi, i urti!’ (Zoti) Tha: ‘O Adem! Njoftoi ata (engjëjt) me emrat e atyre (sendeve)!’ E kur u tregoi atyre për emrat e tyre, (Zoti) tha: ‘A nuk u kam thënë juve se Unëcmë së miri e di fshehtësinë e qiejve e të tokës dhe më së miri e di atë që ju e publikoni dhe atë që e mbani të fshehtë.”(Bekare, 31-33)

Përulja e engjëjve

Engjëjt bën nderim Ademit (alejhi selam) duke kryer urdhërin e Allahut të Lartësuar për të rënë në sexhde. Këtë urdhër e theu vetëm iblisi nga arroganca dhe mendjemadhësia. Kur u pyet se përse veproi kështu, u arsyetua duke thënë se unë jam krijuar prej zjarri, ndërsa Ademi nga balta; kështu pra, baza e krijimit tim është më e mirë. Allahu e mallkoi iblisin deri në Ditën e Fundit, për shkak të mendjemadhësisë.

فَسَجَدَ الْمَلائِكَةُ كُلُّهُمْ أَجْمَعُونَ * إِلاَّ إِبْلِيسَ اسْتَكْبَرَ وَكَانَ مِنْ الْكَافِرِينَ * قَالَ يَا إِبْلِيسُ مَا مَنَعَكَ أَنْ تَسْجُدَ لِمَا خَلَقْتُ بِيَدَيَّ أَاسْتَكْبَرْتَ أَمْ كُنتَ مِنْ الْعَالِينَ * قَالَ أَنَا خَيْرٌ مِنْهُ خَلَقْتَنِي مِنْ نَارٍ وَخَلَقْتَهُ مِنْ طِينٍ * قَالَ فَاخْرُجْ مِنْهَا فَإِنَّكَ رَجِيمٌ * وَإِنَّ عَلَيْكَ لَعْنَتِي إِلَى يَوْمِ الدِّينِ *

Engjëjt, të gjithë së bashku i ranë në sexhde me nderim. Vetëm iblisi që ishte kryelartë dhe që u bë prej jobesimtarëve. (Allahu) i tha: ‘O iblis! Çfarë të pengoi ty të mos i biesh në sexhde atij të cilin Unë e krijova me Dy Duart e Mia? A u bëre kryelartë, apo je prej të lartëve?’ (Iblisi) tha: ‘Unë jam më i miri se ai, Ti më ke krijuar nga zjarri, e atë e krijove nga balta.’ (Allahu) Tha: ‘Dil pra prej tij (xhenetit), ti je i mallkuar!” (Sad 73-77)

Ademi dhe iblisi

Pasi që iblisi nuk respektoi urdhërin e Allahun u mallkua dhe ai kërkoi hapësirë për ta ushtruar aktivitetin e vet duke i humbur njerëzit nga rruga e vërtetë. Kërkesën e tij na e përshkruan Allahu i Lartësuar në Kuran, njëkohësisht edhe përgjigjen e marrë nga Allahu i Lartësuar.

قَالَ أَنظِرْنِي إِلَى يَوْمِ يُبْعَثُونَ * قَالَ إِنَّكَ مِنْ الْمُنظَرِينَ * قَالَ فَبِمَا أَغْوَيْتَنِي لأَقْعُدَنَّ لَهُمْ صِرَاطَكَ الْمُسْتَقِيمَ * ثُمَّ لآتِيَنَّهُمْ مِنْ بَيْنِ أَيْدِيهِمْ وَمِنْ خَلْفِهِمْ وَعَنْ أَيْمَانِهِمْ وَعَنْ شَمَائِلِهِمْ وَلا تَجِدُ أَكْثَرَهُمْ شَاكِرِينَ * قَالَ اخْرُجْ مِنْهَا مَذْءُوماً مَدْحُوراً لَمَنْ تَبِعَكَ مِنْهُمْ لأَمْلأَنَّ جَهَنَّمَ مِنْكُمْ أَجْمَعِينَ *

“(Iblisi) Tha: ‘Më jep kohë deri ditën kur ringjallen (njerëzit)! (Allahu) Tha: ‘Ti je prej atyre që u është dhënë afat.’ (Iblisi) Tha: ‘Për shkak se më humbe mua, unë do t’u jem në prit kundër atyre në rrugën Tënde të drejtë.’ Pastaj do t’u sillem atyre përball dhe pas shpine, nga e djathta dhe e majta, e shumicën e tyre nuk do ta gjejsh që të falënderojnë (të besojnë). (Allahu) Tha: ‘Dil jasht prej tij (xheneti), i përbuzur, e i përjashtuar. Kush prej tyre (njerëzve) vjen pas teje, Unë kam për ta mbushur xhehenemin me ju të gjithë së bashku.” (Araf, 14-18)

Pasi përfundoi debati, Allahu i Lartësuar urdhëroi që Ademi (alejhi selam) me bashkëshorten e vet Havanë që të dy të banojnë në xhenet dhe t’i shfrytëzojnë të mirat e tij, të hanë dhe të pijnë çfarë të dëshirojnë, vetëm se një peme mos t’i afrohen dhe të jenë të kujdesshëm mos të jenë keqbërës se mund të pasoj dënimi.

Iblisi filloi ta ushtroj aktivitetin duke filluar nga pema e ndaluar

وَيَا آدَمُ اسْكُنْ أَنْتَ وَزَوْجُكَ الْجَنَّةَ فَكُلا مِنْ حَيْثُ شِئْتُمَا وَلا تَقْرَبَا هَذِهِ الشَّجَرَةَ فَتَكُونَا مِنْ الظَّالِمِينَ *فَوَسْوَسَ لَهُمَا الشَّيْطَانُ لِيُبْدِيَ لَهُمَا مَا وُورِيَ عَنْهُمَا مِنْ سَوْآتِهِمَا وَقَالَ مَا نَهَاكُمَا رَبُّكُمَا عَنْ هَذِهِ الشَّجَرَةِ إِلاَّ أَنْ تَكُونَا مَلَكَيْنِ أَوْ تَكُونَا مِنْ الْخَالِدِينَ * وَقَاسَمَهُمَا إِنِّي لَكُمَا لَمِنْ النَّاصِحِينَ  * فَدَلاَّهُمَا بِغُرُورٍ فَلَمَّا ذَاقَا الشَّجَرَةَ بَدَتْ لَهُمَا سَوْآتُهُمَا وَطَفِقَا يَخْصِفَانِ عَلَيْهِمَا مِنْ وَرَقِ الْجَنَّةِ وَنَادَاهُمَا رَبُّهُمَا أَلَمْ أَنْهَكُمَا عَنْ تِلْكُمَا الشَّجَرَةِ وَأَقُلْ لَكُمَا إِنَّ الشَّيْطَانَ لَكُمَا عَدُوٌّ مُبِينٌ *

“(Ne i thamë) o Adem, ti dhe bashkëshortja jote banoni në xhenet, hani nga të doni e mos iu afroni kësaj peme, sepse do të bëheni prej zullumqarëve (të vetes tuaj). Shejtani i nxiti ata të dy (i mashtroi), që t’ua zbulojë atyre pjesët e turpshme që kishin të mbuluara dhe tha: ‘Zoti juaj nuk ua ndaloi juve këtë pemë, por vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.’ Dhe ju bëri be atyre (duke u thënë) se unë jam këshillues për ju. Atëherë me mashtrim i zbriti (në nivel të palakmueshëm). E kur e shijuan pemën u zbulua vendturpi i tyre dhe filluan të mbulojnë atë (duke vënë gjeth mbi gjeth) nga gjethet e (pemëve të) xhenetit. Zoti i tyre i thirri (duke u thënë): ‘A nuk ua ndalova ju dyve atë pemë dhe a nuk ju thashë ju dyve se shejtani është armik i hapur për ju?!’”

Gabimi i Ademit (alejhi selam)

Ademi dhe Havaja harruan se iblisi ishte armiku i tyre dhe kështu ranë në kurth dhe hëngrën prej pemës së ndaluar. Ademi (alejhi selam) me bashkëshorten iu lutën Allahut për falje. Ai ia pranoi pendimin dhe kështu i zbriti prej xhenetit në Tokë ku do të jetojnë dhe do të vdesin.

قَالا رَبَّنَا ظَلَمْنَا أَنفُسَنَا وَإِنْ لَمْ تَغْفِرْ لَنَا وَتَرْحَمْنَا لَنَكُونَنَّ مِنْ الْخَاسِرِينَ

Ata të dy thanë: ‘Zoti ynë! Ne i bëmë të padrejtë vetvetes, në qoftë se nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne padyshim do të jemi prej të humburve!” (Araf, 23)

فَتَلَقَّى آدَمُ مِنْ رَبِّهِ كَلِمَاتٍ فَتَابَ عَلَيْهِ إِنَّهُ هُوَ التَّوَّابُ الرَّحِيمُ

E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin), s’ka dyshim se Ai është Mëshiruesi, Pendimpranuesi.”(Bekare, 37)

قَالَ اهْبِطُوا بَعْضُكُمْ لِبَعْضٍ عَدُوٌّ وَلَكُمْ فِي الأَرْضِ مُسْتَقَرٌّ وَمَتَاعٌ إِلَى حِينٍ * قَالَ فِيهَا تَحْيَوْنَ وَفِيهَا تَمُوتُونَ وَمِنْهَا تُخْرَجُونَ *

“(Allahu) tha: ‘Zbritni ju (Ademi, Havaja dhe shejtani), jeni në armiqësi mes njëri-tjetrit. Në tokë ju e keni vendqëndrimin (vendbanimin) dhe përjetim deri në një kohë. Ai u tha: “Atje (në tokë) do të jetoni dhe etje do të vdisni dhe prej saj do të nxirreni (do të ringjalleni).” (Araf, 24-25)

قَالَ اهْبِطَا مِنْهَا جَمِيعاً بَعْضُكُمْ لِبَعْضٍ عَدُوٌّ فَإِمَّا يَأْتِيَنَّكُمْ مِنِّي هُدًى فَمَنْ اتَّبَعَ هُدَايَ فَلا يَضِلُّ وَلا يَشْقَى

“(Allahu) u tha: ‘Zbritni prej aty (xhenetit në tokë) të gjithë, do të jeni armiq të njëri-tjetrit (njerëzimi dhe shejtani). Nëse ju vjen te ju udhëzim prej Meje, atëherë kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në dynja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër).” (Taha, 123)

Të nderuar vëllezër!

Ç’mësojmë nga kjo ngjarje historike?

Allahu i Lartësuar i tregon Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe besimtarëve për të dhënat historike të pejgamberëve të më parshëm:

وَكُلاًّ نَقُصُّ عَلَيْكَ مِنْ أَنْبَاءِ الرُّسُلِ مَا نُثَبِّتُ بِهِ فُؤَادَكَ وَجَاءَكَ فِي هَذِهِ الْحَقُّ وَمَوْعِظَةٌ وَذِكْرَى لِلْمُؤْمِنِينَ

“Të gjitha këto që t’i rrëfyem ty (Muhamed) nga lajmet e pejgamberëve, janë që të forcojnë zemrën tënde dhe në to ka ardhur e vërteta e këshilla, si dhe përkujtime për besimtarët.”(Hud, 120)

Mësimet dhe këshillat që i dedikohen besimtarëve muslimanë nga kjo ngjarje po i përmbledhim në vazhdim:

·        Nderimi dhe respekti i njeriut

Tregimi i Ademit (alejhi selam) në Kuran prej fillimi deri në mbarim ngre lart vlerën e krijesës njeri dhe orienton qëllimin e krijimit të tij. Allahu na tregon për qëllimin e krijimit që të jetë zëvendësues në tokë dhe të luaj rrol konstruktiv në shoqërinë njerëzore. E përgatiti me të gjitha mjetet e mundëshme për të mund ta realizoj misionin duke ia mësuar Ademit (alejhi selam) të gjitha emrat e sendeve.

Forma tjetër e respektit u shpreh kur Allahu i Lartësuar urdhëroi engjëjt për të bërë sexhden e nderimit. Kështu u nderua lloji njerëzor.

وَلَقَدْ كَرَّمْنَا بَنِي آدَمَ وَحَمَلْنَاهُمْ فِي الْبَرِّ وَالْبَحْرِ وَرَزَقْنَاهُمْ مِنْ الطَّيِّبَاتِ وَفَضَّلْنَاهُمْ عَلَى كَثِيرٍ مِمَّنْ خَلَقْنَا تَفْضِيلاً

“Ne, vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam.”(Isra, 70)

·        Pasojat e mendjemadhësisë

Kjo ngjarje na mëson për përfundimin e keq të mendjemëdhenjëve. Iblisi kur u bë mendjemadh dhe nuk e përfilli urdhërin e Allahut të Lartësuar u mallkua dhe poshtërua. Mendjemadhi nuk pranon t’i nënshtrohet të vërtetës dhe t’i pranoj sygjerimet prej askujt. Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë dhe ata meritojnë ndëshkimin dhe njëkohësisht nxirren nga grumbulli e besimtarëve dhe grumbullohen në kopenë e të mallkuarve.

Mendjemadhësia  shfaq apo tegon mendjelehtësinë e njeriut, sa që të mençurit thonë: “Aq sa shtohet mendjemadhësia po aq rritet edhe mendjelehtësia.”

·        Largohu prej të keqes

Allahu i Lartësuar në këtë ngjarje na tregoi për armiqësinë e Iblisit ndaj babit tonë, Ademit (alejhi selam) dhe na mësoi se nëpërmes pemës së ndaluar shejtani i mallkuar mashtroi Ademin (alejhi selam) dhe kështu përjetoi ai pasojat, duke u larguar nga xheneti. Ne jemi bijtë e Ademit (alejhi selam) nëse nuk jemi të kujdesshëm ndaj kurtheve të shejtanit do të jemi viktima, ashtu siç ishte viktimë babai i njerëzimit.

Lufta mes të mirës dhe të keqes do të ekzistojë, por njeriu duhet ta japë provimin duke kërkuar mbrojtje prej Allahut të Lartësuar që ta ruaj prej dyshimeve të shejtanit.

Shejtani është vendburim i sherrit, thirrës dhe organizator i shkatërrimeve në tokë. Me mjeshtëri zbukuron të keqen, shkatërron familjet, përçan vëllezërit, ndan burrin prej gruas, në mënyrë perfekte mbjell armiqësinë mes grupeve dhe shoqërive. Allahu na tërheq vërejtjen prej shejtanit se ai nuk është mik dhe dashamir i besimtarëve duke na thënë:

يَا بَنِي آدَمَ لا يَفْتِنَنَّكُمْ الشَّيْطَانُ كَمَا أَخْرَجَ أَبَوَيْكُمْ مِنْ الْجَنَّةِ يَنزِعُ عَنْهُمَا لِبَاسَهُمَا لِيُرِيَهُمَا سَوْآتِهِمَا إِنَّهُ يَرَاكُمْ هُوَ وَقَبِيلُهُ مِنْ حَيْثُ لا تَرَوْنَهُمْ إِنَّا جَعَلْنَا الشَّيَاطِينَ أَوْلِيَاءَ لِلَّذِينَ لا يُؤْمِنُونَ (27)

“O bij të Ademit! Mos lejoni t’ju mashtrojë kurrsesi shejtani sikurse i nxori prindërit tuaj nga xheneti, zhveshi prej tyre petkun e tyre që t’ju dalë në shesh lakuriqësia e tyre. Vërtetë ai dhe shoqëria e tij ju sheh, ndërsa ju nuk e shihni. Ne i kemi bërë shejtanët eulija (miq, shok) të atyre që nuk besojnë.”(Araf, 27)

إِنَّهُ لَيْسَ لَهُ سُلْطَانٌ عَلَى الَّذِينَ آمَنُوا وَعَلَى رَبِّهِمْ يَتَوَكَّلُونَ

Vërtet, ai (shejtani) nk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe i janë mbështetur Zotit të tyre.”  (Nahl, 99)

Ai i cili e kujton Allahun e Lartësuar kërkon mbështetje dhe falje prej Tij do të dominojë e mira mbi të keqen dhe do të përfshihet në mëshirën e Mëshiruesit dhe pendimin e Pendimpranuesit.

فَتَابَ عَلَيْهِ إِنَّهُ هُوَ التَّوَّابُ الرَّحِيمُ

“..Prandaj Ai ia fali (gabimin), s’ka dyshim se Ai është Mëshiruesi, Pendimpranuesi.(Bekare, 37)

Muslimanë të nderuar!

Përjetuam disa momente historike të njeriut të parë, babait  të njerëzimit. Këto ishin mësime dhe këshilla për ata që mendojnë. Së fundi Allahu im të lutem me emrat e Tu të bukur, më ndihmo të të përkujtoj, të të falenderoj dhe të të adhuroj. Unë kërkoj falje prej Teje.

Hytbe e mbajtur në Xhaminë e Bujanocit më18.11.2005

Përgatiti:Ulvi Fejzullahu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit