1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Një vit tjetër i padobishëm për Republikën

Më të lexuarat

Shoqëritë që janë përfshirë në konflikte të armatosura, bartin mbi supe barrë të rëndë historike. Hesapet e së kaluarës, të mbushura me elemente të dhimbshme, nganjëherë mund të shndërrohen në burgje për atë që përballet me to. Prandaj në këto shoqëri, praktikat e ndërtimit të shtetit janë të rëndësishme. Sikurse thotë Mishel Fuko, bota nuk na paraqet një fytyrë të qartë dhe të lexueshme, ajo na lë thjesht ta deshifrojmë; nuk funksionon ekzaktësisht sipas asaj që njohim. Kjo lë të kuptohet se kurdo që flitet për ngjarje në kontekste të caktuara, sado që zhytemi në shpjegim dhe pavarësisht pretendimeve për të ofruar një shëmbëlltyrë perfekte, nuk arrijmë t’i shmangemi interpretimit. E kur interpretojmë, çështjet i trajtojmë prej një këndi ku “Ne” jemi identiteti i krijuar dhe si të tillë jemi kontekst i preferuar për politikën, meqë kjo e fundit na lejon edhe të shkruajmë kundra saj. Ky shkrim nuk mëton përgjithësimin, por vë në dukje vështirësitë që pengojnë rikthimin e normalitetit brenda një shoqërie pa demokraci politike, në prag të “datëlindjes” së Republikës. Ndërsa kujtojmë të kaluarën në shërbim të së tashmes, vërejmë se prej mbarimit të luftës, Kosova u ngrit mbi kulturën e bashkëjetesës ndëretnike midis popujve që dikur ishin armiq, ndërsa sot vija që i ndan viktimat nga dhunuesit është pothuajse e padukshme. Mekanizmat e harresës kanë punuar efektivisht në neutralizimin dhe uzurpimin e kujtesës kolektive. Në këtë pikë, nuk mund të mos e përmendim pozicionin e viktimave të luftës, të cilët, përveç dinjitetit dhe respektit, nxjerrin në dritë të vërtetën dhe drejtësinë.
 
Atëherë, çfarë ndodh në Kosovë me viktimat e luftës?
 
Gjenocidi dhe lufta qeniet njerëzore i detyrojnë të jenë njerëzore, deri në atë shkallë sa ato durojnë me qenë dëshmitare të çnjerëzores. Megjithatë, dëshmia dhe dëshmitarët e vërtetë nuk jetojnë më. Ata përfaqësohen nga e folura e pseudodëshmitarëve, të cilët meritat, lavdin dhe krenarinë e mveshin nën petkun e “krahut të luftës”. Me aq dëshmi sa kanë mbetur, fatkeqësisht një pjesë e mirë e atyre që luftuan për çlirimin e Kosovës jetojnë në kushte të mjerueshme, madje të harruar prej shoqërisë e institucioneve relevante. Kurse komandantët e gjallë, që kujtesën kolektive e kanë reduktuar në idealizimin e “hero-izimit” vazhdojnë të korrin fuqi e pushtet, ata janë udhëheqës dhe uzurpues pozitash. “Krahu i luftës” nën dhëmbët e forcës mban poste kyçe në proceset vendimmarrëse, ndërkohë që nëpërmjet këtyre funksioneve shtetërore kanë arritur të terezisin mrekullisht edhe shumë punë të tjera private, ndërsa populli që i ka zgjedhur për “shitje mendsh” në parlament, i  paguan sa herë që këta të fundit mund të mblidhen për të shqyrtuar tek-tuk punët nëpër komisione.
 
Këtu s’ka kurrgjë, veç me dal jashtë
 
Një lexues mesatarisht i kujdesshëm mund ta kuptojë lehtë se zelli i shqiptarëve për t’u kthyer në Kosovë pas mbarimit të luftës ishte i admirueshëm. Përtej vështirësive ekonomike dhe mundësive të cunguara, shpresa për rimëkëmbje dhe ndërtim ishte goxha e madhe. Veç një dekadë e gjysmë mbrapa, dhe ne përballemi me një realitet rrënjësisht të ndryshëm dhe padyshim, shqetësues. Destabilitet politik, misione ndërkombëtare të korruptuara dhe mijëra shqiptarë që emigrojnë… Zakonisht, emigrimi është parë si një procesi shtytës-tërheqës, në të cilin oportunitetet ekonomike të një vendi peshojnë mjaft në anën e tërheqjes, ndërsa varfëria dhe papunësia së bashku me sigurinë dhe të tjerë faktorë, llogariten në anën e shtytjes. Modeli “çlirues” i politikanëve shqiptarë që ka të bëjë me kërcënimin, detyrimin, zhvatjen, përfitimin është padyshim faktor shtytës për largimin e qytetarëve nga vendi, por a është ky përkufizimi më afër të vërtetës?
 
Zori që i shtyn qytetarët të ikin duket se është i rëndë. Një shoqëri që nuk arrin të merret vesh me vetveten, aq më pak mund të krijojë relacione mirëkuptimi me të tjerët. Kështu, situata e rënduar në Kosovë i ka prekur pothuajse të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve. Qytetarët që po ikin, pak nga mendjelehtësia e shumë nga vështirësitë, janë brumë i ardhur prej mjerimit që politikanët e kanë gatuar bashkë me rrymën e përrallave postmoderne. Ata që e kanë pranuar këtë realitet e ndjejnë vetën të pafuqishëm, por megjithatë janë të vetëdijshëm se ku po jetojnë dhe pse vazhdojnë të mos lëvizin, kurse  Qeveria i ka mbyllur sytë, a në mos e konsideron ikjen si sezon pikniku, ekskursion nëpër vendet e Bashkimit Europian e më gjerë.
 
Nuk do mend se faktorët e këtij përshkallëzimi janë ciklikë. Një situatë e tillë është tregues i qartë i lodhjes shpirtërore dhe mendore. Përtej premtimeve që u bënë gjatë zgjedhjeve, rrjedhjet ekonomike kanë qenë të pakta si pasojë e ngritjes së çmimit të produkteve ushqimore, moskrijimit të vendeve të mjaftueshme të punës, korrupsionit, “haraçit”, mosefikasitetit të ndihmës sociale, etj. Gjithsesi mesatarja vjetore e rritjes ekonomike duhet shikuar edhe në raport me krizën botërore. Nga ana tjetër, ngërçi politik që e pllakosi vendin për muaj me radhë e që u çlirua prej formimit të koalicionit,  u kritikua fuqishëm anise partitë në pushtet, nuk e kanë për herë të parë “nderin e lëvizjes së karriges”. Opozita fatkeqësisht akoma mbetët në një rreth vicioz teorik, me pak mundësi operimi në një terren të mbisunduar nga “të fortët”.
 
Këto ditë vërehen se nuk janë të paktë qytetarët që largohen edhe me pretekstin se i frikësohen rritjes së ekstremizmit fetar. Ata fqinjët me gjasë i shohin si armiq potencialë, prandaj strehimi në Gjermani ose Austri, i duket “shpëtim”. Në anën tjetër, ka qytetarë që po ashtu ikin se ndjehen të pambrojtur nga shteti për të ushtruar lirshëm besimin e tyre. Qytetarët largohen dhe ngaqë nuk ndihen më rehat për të jetuar në një vend ku deputetët bartin më shumë se tri poste, dhe ku Trusti Pensional është institucion i pabesueshëm. Dallimi mes pagave normale dhe atyre të qeveritarëve është stratosferik. Shto këtu edhe fenomenin e stendave nëpër spitalet e Kosovës si dhe kaosin që e solli në një farë mënyre humbja e legjitimitetit të EULEX-it. Fatkeqësisht, duket sikur edhe misionet ndërkombëtare kanë arritur në një fazë ku pasqyrohen në shumicë dështimet e tyre eksperimentale. Megjithatë, në tërë këtë kaos, faktori kryesor si duket do të mbetet mungesa e mundësive për zhvillim intelektual, kulturor, e shëndetësor.
 
Sistemi i arsimit publik ka dështuar në përgatitjen e kuadrove të afta për tregun e punës. Mungesa e një sistemi të mirëorientuar dhe të formatuar ka vënë në dukje mospërputhjen e drejtimeve të studiuara me nevojat e tregut. Ka vite që UP-ja  (Universiteti i Prishtinës) nuk ka investuar seriozisht në mendimin kritik, shkollat e mesme profesionale janë rrënuar dhe kthyer në fole problemesh si dhe shkollat fillore ku mësimi zhvillohet sa “për sy e faqe”. Shumica e atyre që kryejnë studimet, përfundojnë duke punuar si kamerierë, punëtorë krahu ose hapin sallone bukurie meqë kështu sigurojnë një soj mbijetese, kurse drejtimet inxhinierike janë anashkaluar dhe prandaj nuk është e habitshme më që ka pak inxhinierë të kualifikuar e të aftë për tregun. Me pak fjalë; zhvillimi njerëzor nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie, deri më tani.
 
Kultura jonë pothuajse çdo gjë e lidh me pamjen “e jashtme”,  ndaj përpjekjet për ta mbrojtur vlerën e njeriut, sikur po e përshpejtojnë procesin e zhdukjes së tij. Kjo për arsye se njerëzit priren t’u ngjasojnë në formë dhe model atyre që kanë “një jetë të lehtë” ose ngadhënjimtarëve (lexo: politikanëve dhe shtresës së pasur) prandaj domosdoshmërisht përpiqen ta përmbysin rendin e tyre, në kërkim të një jetë më të qytetëruar, më perëndimore. Me aq sa duket, shkollat tona njerëzve ua zgjerojnë horizontin e njohurive, por në ndërkohë i përforcojnë edhe themelet e mosditurisë. Prandaj, ikjet edhe justifikohen duke e ditur se është gati e kotë pritja që shqiptarëve t’i sjellin dritë ata që nuk e dinë (ose nuk duan ta dinë) as se cilët janë faktorët që e errësojnë jetën e qytetarit.
 
Duke i mbyllur sytë prej kësaj pamjeje të errët, larg zërave që thonë se “kurrë s’ka me ndërru ky vend”, kuptojmë se jeta jonë reduktohet nga kornizat që ne ia kemi fiksuar vetës sonë e që lidhen me elemente modernë të një qytetërimi të ngushtësuar. Nuk mund të çlirohemi duke ikur prej vendit, e as nuk mund të presim që çështjet të zgjidhën vetvetiu, duke qëndruar indiferent kundrejt zhvillimeve që na prekin edhe ne. Kjo nuk është thirrje e dëshpëruar për atdhedashuri. Përkundrazi. Shqiptarët s’kanë për të shpëtuar nga “fantazma mitizuese e Gjermanisë” derisa nuk shkëputen nga imazhi i “hipopotamit” kur bie fjala te shteti si aktor.
 
Boshatisja e Kosovës do ishte një plus i madh për diplomacinë serbe, e cila në çdo moment do e përdorë për argument paaftësinë e të bërit shtet dhe paqëndrueshmërinë e forcimit të tij. Paralelisht, mund të dalin pengesa për njohjen e Kosovës nga vendet që refuzojnë një akt të tillë dhe për pasojë populli do vazhdojë të izolohet brenda kufijve. Punëtorët shqiptarë të pakualifikuar që po hyjnë nëpër vende të BE-së, për një kohë të padhënë do detyrohen të punojnë në kushte të pabarabarta me të tjerët si dhe të pambrojtur. Më e rëndë se ikja, për shqiptarët do jetë “dëbimi-rikthimi” dhe periudha e rehabilitimit në Kosovë. Këto janë mjaftueshëm shenja për të reflektuar mbi konceptet tona idealiste si dhe pritshmëritë tona. Zhvillimi ekonomik kërkon dhëmbë për dhëmbë zhvillim njerëzor, intelektual, mendor, kritik.
 
* Sado i trishtë të jetë fati i Kosovës nëpër këto vite, shenjtërimi i saj shekullor prej mendjeve të mëdha nuk mund të hidhet poshtë. Përtej mjerimit, korrupsionit e depresionit, në çdo datëlindje të Republikës së Kosovës do gjunjëzohemi para jetëve të dhëna për hir të lirisë; do ringjallen lutjet e ditë-netëve të gjata për më shumë dritë, dhe dëshmitë e atyre që s’janë e që mungojnë do jenë qirinj për ata që ngrihen mbi dhimbjen.

Fjolla Spanca*

 
*Studente në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare/ Studime Strategjike në Universitetin Europian të Tiranës
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit