Kur ka kaluar një vit nga ngajrja e lartpërmendur, Kumanova është një qytet i qetë ndërsa qytetarët dërgojnë mesazhe paqeje duke theksuar se qyteti i tyre ka një traditë shumëshekullore të bashkëjetesës ndëretnike.
Në ditën e sotme një vit më parë në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë ndodhi përleshja e armatosur mes një grupi të armatosur dhe policisë. Përleshja zgjati dy ditë dhe për epilog kishte 8 pjesëtarë të vrarë të policisë dhe 37 të plagosur, ndërsa nga ana tjetër, 10 pjesëtarë të grupit të armatosur mbetën të vrarë nga të cilët nëntë ishin shtetas të Kosovës.
Incidenti frikësoi popullatën civile të lagjes, ndërkohë që 15 shtëpi pësuan dëme të konsiderueshme materiale.
Mbrëmjen mes nëntë dhe dhjetë majit u dëgjuan krismat e para, shpërthime të fuqishme të cilat zgjatën me orë të tëra. Një grup i armatosur kishte qenë i vendosur në një shtëpi e cila ishte cak i një kontrolli policor. Aksioni zgjati edhe ditën në vijim, mëngjesin e së cilës dëgjoheshin krisma, ndërkohë që policia kishte ndaluar qarkullimin e qytetarëve në lagje.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë (MPB) atëherë njoftoi se ka nisur një aksion për zbulimin e një grupi të madh të armatosur i cili sipas të dhënave operative dyshohej se do kryente sulme mbi institucionet e shtetit. Në atë kohë MPB-ja informoi se të dhënat të cilat i posedon dëshmojnë se grupi i armatosur është futur në vend mënyrë ilegale nga një shtet fqinj, ndërsa me ndihmën e përkrahësve ka gjetur strehim në Kumanovë për tu përgatitur për sulmet. I njëjti burimi MPB-së kishte theksuar se bëhet fjalë për një grup të armatosur mirë dhe të trajnuar për të tilla përplasjesh.
Në arsyetimin për aksionin e policisë, zyrtarët e MPB-së deklaruan se policia kishte hasur në një rezistencë të ashpër nga grupi i armatosur i cili kishte sulmuar me pushkë automatike, bomba dore dhe snajperë. Pas përfundimit të aksionit policorë dhe dorëzimit të grupit të mbetur, Gjykata Themelore në Shkup u caktoi masën e arrestit 30 ditorë, 30 pjesëtarëve të grupit.
Në njoftimin e gjykatës theksohej se në mesin e të arrestuarve 18 janë shtetas të Kosovës, dy shtetas të Maqedonisë me vendbanim në Kumanovë si dhe nëntë shtetas të Maqedonisë dhe një shtetas i Shqipërisë me vendqëndrim në Gjermani. Pjesa dërmuese e tyre, sipas njoftimit të gjykatës kanë pranuar të kenë kaluar ilegalisht kufirin.
Ndikimi i ngjarjes së majit mbi situatën politike në Maqedoni-
Ngjarja e hidhur ndodhi në vrullin e krizës politike në Maqedoni duke përkeqësuar në mënyrë shtesë situatën e përgjithshme në vend. Tre ditë nga incidenti i armatosur në Kumanovë, nën ndikimin e faktorit ndërkombëtar ministri për Transport dhe Lidhje, Mile Janakievski, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska dhe shefi i Shërbimit për Kundërzbulim, Sasho Mijallkov dhanë dorëheqje nga postet e tyre, ku u shprehën se me këtë gjest të tyre synojnë të kontribuojnë për stabilizimin e situatës politike në vend.
Më 17 maj të vitit të kaluar në organizim të partive opozitare dhe sektorit civil, në Shkup u mbajtën protesta masive në të cilat u shpreh pakënaqësia lidhur me situatën e përgjithshme në Maqedoni. Pjesëmarrës në këto protesta ishin qytetarë nga përkatësi të ndryshme etnike të cilët bashkërisht shprehën dëshirën për përmirësimin e gjendjes, stabilizimin e shtetit me një shpresë për paqe, siguri dhe bashkëjetesë.
– Procesi gjyqësor për “Lagjen e Trimave”-
Lidhur me zhvillimet në Lagjen e Trimave më 09 shkurt 2016 në Gjykatën Themelore Shkupi 1 filloi procesi gjyqësor kundër 29 personave, konsideruar nga kjo gjykatë si pjesë e “grupit të armatosur kriminal”, të cilët ngarkohen me akuzën “Organizatë Terroriste” nga neni 394, si dhe për veprën “Terrorizëm” nga neni 394 -b nga Kodi Penal.
Pas hetimeve disamujore Prokuroria Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit në nëntor të vitit të kaluar ngriti padi kundër 29 të akuzuarve, të cilët në prononcimin para gjykatësit thanë se nuk ndjehen fajtorë. Mbrojtja nga ana tjetër thotë se rasti duhet ti lihet Prokurorisë Speciale sepse “motivi nuk është terrorizëm dhe se të akuzuarit janë viktima të një tjetër skenari”.
Pas pesë orë të marrjes në pyetje të akuzuarit hodhën poshtë akuzat të cilat u ngarkoheshin atyre. Më datën 25.02.2016 me dëgjimin e disa dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria në Gjykatën Penale Shkupi 1 vazhdoi procesi gjyqësor për përplasjen në Lagjen e Trimave. Disa nga dëshmitarët u morën në pyetje nga prokurori Publik. Sipas deklaratave të avokatëve mbrojtës të disa të akuzuarve, qëllimi i prokurorisë ka qenë që me dëshmitarët të dëshmohet se zhvillimet e 9 majit te një pjesë e qytetarëve që kanë jetuar në afërsi të vendngjarjes ka shkaktuar frikë dhe pasiguri. Procesi gjyqësor është në vazhdim e sipër.
– Kumanova pas një viti-
Kur ka kaluar një vit nga ngjarja e lartpërmendur, Kumanova është një qytet i qetë, ndërsa qytetarët dërgojnë mesazhe paqeje duke theksuar se qyteti i tyre ka një traditë shumëshekullore të bashkëjetesës ndëretnike dhe se do të vazhdojë të jetë i tillë. Ata besojnë se ngjarja e hidhur nuk do të përsëritet, sepse bashkëjetesa është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kumanovës dhe Maqedonisë në përgjithësi, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare.
Sidoqoftë, pas një viti të gjithë janë në pritje të një epilogu të drejtë, ndërsa shumë çështje të cilat janë në interes të opinionit më të gjerë akoma kanë mbetur të pasqaruara.