-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

“Një treg i vetëm afrikan ka fuqinë për të projektuar kapitalin global”

Më të lexuarat

Politikanët dhe ekspertët marrëveshjen e Zonës së Tregtisë së Lirë të kontinentit të Afrikës (AfCFTA), të nënshkruar nga 44 shtetet anëtare të Unionit Afrikan, e konsiderojnë si kryengritje të Afrikës ndaj sistemit global tregtar.

Shtetet e përfshira në marrëveshje do të kontrollojnë lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve nëpërmjet një mekanizmi të përbashkët në zonën e tregtisë së lirë që po planifikohet të formohet. Me marrëveshjen që synon tregun e përbashkët dhe monedhën e përbashkët, shtetet anëtare do të riformësojnë artikujt e importit dhe eksportit të Afrikës në favor të kontinentit.

Kryesisht vendet si Nigeria, e cila është një nga ekonomitë më të mëdha të Afrikës, përfshirë edhe Eritrean, Burundin, Namibinë dhe Sierra Leonen, distancohen të nënshkruajnë marrëveshjen duke deklaruar se marrëveshja mbart rrezik për ekonomitë e tyre.

Ministri i Ekonomisë dhe Planifikimit të Zhvillimit të Çadit, Issa Doubragne duke folur për Anadolu Agency (AA) tha se duhet të përqendrohen më shumë në mundësitë që do të sjellë marrëveshja se sa tek rreziqet. Ai u shpreh se Afrika me popullsinë prej 1.2 miliardë dhe me një vëllim të përgjithshëm ekonomik afër 2.5 trilionë dollarë, mund të jetë një forcë e madhe ndërsa marrëveshja hap rrugën për këtë.

Duke treguar se minierat, nafta, bujqësia dhe blegtoria kanë rëndësi të madhe në eksportimet e shumë vendeve të Afrikës, Boubragne tha se fuqitë e mëdha që importojnë këto produkte tregtinë e menaxhojnë sipas interesave të tyre.

“Sipas statistikave më të fundit të Unionit Afrikan, vetëm 16 për qind e tregtisë në Afrikë bëhet ndërmjet vendeve të kontinentit. Me AfCFTA njohim përparësi në investim dhe bashkëpunim tregtar në vendet afrikane. Ky rajon do t’i sigurojë kontinentit afrikan një ekuilibër të forcës në marrëdhëniet tregtare me pjesën tjetër të botës”, është shprehur Doubragne.

Në lidhje me shqetësimin e disa vendeve afrikane se marrëveshja mund të krijojë probleme me kufijtë e vendit, Doubragne tha se “AfCFTA nuk nënkupton ndryshimin e kufijve të shteteve anëtare. Heqja graduale e doganave do të sigurojë një rritje prej 60 për qind në tregtinë midis vendeve afrikane deri në vitin 2022”.

Nga ana tjetër, duke nënvizuar se zona e tregtisë së lirë duhet të krijohet me një infrastrukturë ligjore që do të ruajë ekuilibrin mes vendeve, Doubragne tha se “Qëllimi i zonës së tregtisë së lirë është mbrojtja e interesave të përbashkëta të kontinentit duke u dhënë privilegje shteteve afrikane në aktivitetet tregtare. Megjithatë, këto qëllime do të jenë të mundshme nëse marrëveshja zbatohet në mënyrë të balancuar midis shteteve nënshkruese”.

“Nën këto vendime qëndron një sfidë kundër neo-imperializmit perëndimor”

Nënkryetari i Shoqatës së Hulumtuesve për Afrikën (AFAM) dhe profesor në Universitetin “İstanbul Medeniyet”, Muhammed Tandoğan theksoi rëndësinë simbolike të shteteve që udhëheqin marrëveshjen.

“Është për t’u habitur që vendet si Nigeri, Çadi, Kongo dhe Sudani, që kanë nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë, e cila cilësohet si historike, mbajnë gjurmët e përgjakshme të kolonializmit në historinë e tyre. Në fakt, nën marrjen e këtyre vendimeve qëndron një sfidë kundër neo-imperializmit perëndimor”, tha ai.

“Në samitin e jashtëzakonshëm të Unionit Afrikan është e rëndësishme që të vihet në zbatim marrëveshja e cila parashikon formimin e AfCFTA-s, e cila do të jetë zona më e madhe tregtare e lirë në botë (STB). Në të njëjtën kohë, nuk është e pazakonshme që Ruanda të jetë një nga vendet e para që do të ndez fitilin për të shkuar në ndryshimin e hartës gjuhësore koloniale dhe preferena e Ruandës në pikën e marrjes së një vendimit në fjalë nuk është në rastësi”, tha Tandoğan.

Ai tha se nuk duhet të harrohet se gjuhët zyrtare aktuale (lingua franca) kanë filluar të bien në sfond për shkak të arsyeve politike dhe ekonomike. Tandoğan thekson se marrëveshja është një kryengritje kundër sistemit kolonial që ka vazhduar për qindra vite në rajon.

Duke tërhequr vëmendjen në tregun e planifikuar për t’u formuar në Afrikë, Tandoğan tha se “Krijimi i një tregu të vetëm afrikan ka fuqinë për të projektuar jo vetëm tregjet e brendshme afrikane por edhe kapitalin global. Ajo që unë dëshiroj të theksoj është se kjo situatë ka potencialin për të thyer fuqinë e kompanive ndërkombëtare që monopolizojnë në Afrikë dhe për të hapur rrugën për shoqëritë afrikane në pikën e një ndarjeje të drejtë”.

“Nëse vendet anëtare të cilat kanë një popullsi prej 1.2 miliardë banorë dhe një prodhim vendor bruto prej 2.5 trilionë dollarë, do të vendosin në zbatim marrëveshjen, pritet që të ulet papunësia në popullatën rinore dhe tregtia e brendshme do të rritet në masë”, tha ai.

“Tregtia botërore është e bllokuar në konkurrencën dhe politikën proteksioniste të vendeve në zhvillim”

Poashtu edhe ekonomisti nga Kameruni, Bernard Maiboulam tërhoqi vëmendjen se Afrika mund të mbijetojë duke vepruar kolektivisht brenda ekuilibrit të fuqisë ekonomike globale.

“Vendet afrikane nuk duhet të rrezikojnë veten e tyre duke vepruar në mënyrë të pavarur në aktivitetet e tyre tregtare me pjesën tjetër të botës. Tregtia botërore është e bllokuar në konkurrencën dhe politikën proteksioniste të vendeve në zhvillim që janë në kërkim të tregjeve të reja”, tha ai.

Maiboula tha se me projektin e Zonës së Lirë shpresojnë që shtetet afrikane mund të gjejnë vendin e tyre në tregun botëror duke siguruar balancin e fuqisë në tregti.

Duke thënë se 55 vende në Afrikë mund të krijojnë një treg botëror më harmonik në saje të këtij projekti, Maiboula theksoi se falë kësaj mund të shfrytëzohen në mënyrë të përbashkët burimet e përbashkëta natyrore dhe burimet nëntokësore në kontinent.

Marrëveshja e zonës së lirë është e rrezikshme për disa vende

Gjithashtu edhe ish-sekretari i Përgjithshëm i Komunitetit të Afrikës Lindore, Richard Sezibera, ka bërë një vlerësim në lidhje me mos nënshkrimin e marrëveshjes kryesisht nga Nigeria dhe vendet si Eritrea, Burundi, Namibia dhe Sierra Leone.

Sezibera tha se disa vende përjetojnë tensione pavarësisht se e dinë që marrëveshja do të krijojë shumë mundësi.

Ai tha se këto shqetësime bazohen në arsye të drejta. “Shtetet me kapacitete të mëdha prodhuese mund të sigurojnë rritje ekonomike dhe përfitime të konsiderueshme në sektorin e prodhimit me marrëveshjen, por vendet me ekonomi të vogla dhe më pak të zhvilluara mund të përballen me humbje të konsiderueshme tatimore dhe rënie të industrive lokale”, thekson Sezibera.

Objektivat e AfCFTA

Në kuadër të marrëveshjes AfCFTA, synohet krijimi i një tregu të përbashkët në të gjithë Afrikën deri në vitin 2028. Marrëveshja AfCFTA ka cilësinë që të jetë marrëveshja e zonës së lirë tregtare me numrin më të madh të vendeve pjesëmarrëse që nga themelimi i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).

Në fund të vitit, në kuadër të marrëveshjes bisedimet e së cilës kanë nisur fillimisht në vitin 2015, do të nisin diskutimet për çështjet si investimi, konkurrenca dhe të drejtat e pronësisë intelektuale. Me tregun e përbashkët synohet që deri në vitin 2022 të rritet pjesa e vendeve afrikane në tregtinë brenda kontinentit nga 16 për qind në 60 për qind.

Krahas tregut të përbashkët dhe njësisë së monedhës, një tjetër element që tërheq vëmendjen në mesin e objektivave të marrëveshjes është edhe objektivi që aktivitetet tregtare të zhvillohen nëpërmjet gjuhëve rajonale. Parashikohet që gjuhët dominuese në kontinent, anglishtja dhe frëngjishtja, mund të ndikohen negativisht nga kjo situatë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit