Një tërmet prej 7.6 ballë sipas shkallës së Rihterit ka goditur bregun lindor të Indonezisë mëngjesin e sotëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Sutopo Purwo Nugroho për AA tha se epiqendra e tërmetit ishte regjistruar në arqipelagun e Papua-s, në një thellësi prej rreth 96 kilometra.
“Tërmeti shkaktoi panik të madh në mesin e qytetarëve të cilët me nxitim largoheshin nga shtëpitë e tyre. Situata është stabilizuar dhe nuk ka asnjë indikacion se lëkundjet e tokës në vazhdim mund të shkaktojnë probleme. Tërmetin më së shumti e kanë ndjerë banorët e Wamena-s”, tha Nugroho.
I njëjti burim thotë se autoritetet kompetente nuk kanë lëshuar paralajmërim për mundësinë e paraqitjes së cunamit ndërsa raporti i detajuar në lidhje me pasojat e tërmetit do të bëhet i ditur në orët në vijim.
Në fillim të janarit, i njëjti rajon u godit nga një tërmet prej 6 ballë sipas Rihterit dhe me atë rast u dëmtuan më shumë se 3.000 ndërtesa.
Indonezia shtrihet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrtë e Paqësorit” dhe është në qendër të tërmeteve të shpeshta dhe aktiviteteve vullkanike.
Të paktën 230 mijë njerëz humbën jetën në tërmetin prej 9 ballë që goditi bregun lindor të Sumatras në dhjetor të vitit 2004, duke shkaktuar një cunami të madh.