3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Një studim i ri analizon mundin dhe suksesin në mësime

Më të lexuarat

Pa mund nuk ka fitim. Kjo fjalë e urtë gjermane bie poshtë nga një studim. Studentët, që mësojnë shumë nuk kanë patjetër notat më të mira. Por cilët janë faktorët e suksesit?

Pesë vjet rresht pedagogu nga Hamburgu Rolf Hochmeister ka punuar në një studim unik ndërkombëtar për mënyrën se si mësojnë studentët gjermanë. Rezultatet e paraqitura janë zhgënjyese, sepse suksesi në mësim dhe mundi i investuar kanë pak të bëjnë me njëri-tjetrin. Hochmeister bën thirrje për një reformë të mësimdhënies në universitete.

Në qoftë se suksesi në studim nuk arrihet me vullnet, nga se tjetër atëherë. A vjen nga inteligjenca?

Rolf Hochmeister: Jo, në asnjë mënyrë! Nuk është inteligjenca. Nuk është as talenti, por motivimi për mësim. Ajo pasqyrohet në mënyra të ndryshme të të mësuarit dhe tek disa bën që t’u largohet vëmendja shpejt dhe kur kanë tekste të vështira, statistikë, apo matematikë, të thonë: “Do ta bëj më mirë javën e ardhshme.” Për këtë u jep shkas edhe organizimi i mësimdhënies në lëndë të ndryshme me tetë deri dymbëdhjetë orë në javë. Studenti atëherë nuk e di, se për cilën nga orët e mësimit duhet të mësojë, siç duhet.

Në studimin tuaj, për të cilin qindra studentë kanë mbajtur ditar për mënyrën e të mësuarit, ju dalloni pesë tipe të ndryshme studentësh. Cili tip studenti ia del mbanë mirë në universitet dhe cili më keq?

Rolf Hochmeister: Më së miri ia del tipi me të ashtuquajturin “mësim i vëtëpërcaktuar”, i cili ka përqendrim të lartë dhe mund të mësojë me shumë vemendje  brenda një ore. Kështu ai arrin më shumë se të tjerët. E kundërta e tyre janë studentët, të cilët kanë një “të mësuar evitues”. Kur e kanë të vështirë, ata përdorin manovra për të larguar vemendjen, si televizioni dhe facebooku. Dhe i shtyjnë detyrat për më vonë. Vetëm pak para provimit mësohet.

Që nga viti 2009 në “studimin për ngarkesën kohore” ju hetoni kohën, që harxhojnë studentët gjermanë për të mësuar dhe suksesin e tyre. Aty ju keni zbuluar që studentët punojnë mesatarisht 23 orë në javë për universitetin. Megjithatë shumë ankohen për stres. Ka të bëjë kjo me qëndrimin e tyre ndaj të mësuarit?

Rolf Hochmeister: Kjo ka të bëjë në njërën anë me mënyrën e tyre të mësuarit, por nga ana tjetër edhe me strukturën e programeve, se si u ofrohen ato atyre. Në universitetet gjermane në një disiplinë ofrohen shumë orë në javë, të cilat merren me tema të krejtësisht të ndryshme. Shumë studentë nuk e dinë se për të cilën nga këto tema duhet të punojnë. Kësaj i shtohet fakti se katër muaj më vonë, pra në janar ose në korrik, janë provimet për të gjitha kurset e ndryshme. Kjo për shumë studentë është një kërcënim real.

Si duhet të jetë i organizuar studimi, me qëllim që studentët ta kenë më të lehtë të mësojnë?

Rolf Hochmeister: Në kuadër të studimit në disa degë inxhinierike dhe shkenca kompjuterike modulet, që përbëjnë tani programin bachelor ofrohen në bllok. Modulet jepen mësim për katër javë në bllok, duke mos i shpërndarë në 14 javë, sa zgjat një semestër me leksionet e tij. Kështu studenti mund të përqëndrohet në një temë. Me sukses: Studentët papritur nuk investojnë më vetëm 23 orë, por 34 orë për studim. Në degën e informatikës në Shën Pëlten ne mundëm të vërejmë, se studentët në provimet e mëvonshme ishin 1 ose 1,5 nota më mirë.

 A do të thotë kjo se ju jeni për mësimdhënie në bllok në universitetet gjermane. A ka kjo kuptim për të gjitha degët e studimit?

Rolf Hochmeister: Ka mjaft degë, në të cilat përveç lëndëve kryesore ka edhe lëndë fakultative, kështu që edhe këtu mund të futet mësimi në bllok. Ne e kemi bërë këtë në Universitetin Teknik Ulmenau, kur studentët kishin module në bllok vetëm për tri ditë dhe kurset fakultative në dy ditë.

Në Gjermani është diskutuar shumë për “studimin për ngarkesën kohore”. A kanë ndryshuar këto studime diçka në universitete?

Rolf Hochmeister: Në universitetin Teknik Ilmenau kanë futur një të ashtuquajtur semestër bazë, në të cilin punohet në mënyrë të ngjashme. Universitete të tjera bëjnë akoma me programet pilot dhe në Shën Pëlten, sapo u zhvillua një “ditë e mësimdhënies”, ku ishin të ftuar shumë rektorë të universiteteve austriake, të cilët ishin të gjithë të interesuar për një test pilot./DW/Kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit