2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Një shoqëri e vetëbllokuar

Më të lexuarat

Shoqëria jonë është e dështuar edhe për një shkak themelor: elitat politike dhe intelektuale realisht kanë hequr dorë nga shqiptarizmi, nga ideologjia kombëtare, nga morali kombëtar, nga vlerat kombëtare.

Shkruan: Milazim KRASNIQI

Zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen shpejt, por ato nuk do të ofrojnë asnjë zgjidhje të problemeve të grumbulluara të shoqërisë sonë. Në këtë rast, nuk është faji i zgjedhjeve si të tilla, as vetëm faji i partive politike, po faji është edhe i vetë shoqërisë. Pse? Sepse kjo shoqëri nuk e ka aftësinë e ndryshimit të vetes, as me anën e zgjedhjeve. Kjo shoqëri nuk arrin t’i shfrytëzojë zgjedhjet për të hapur një mundësi më të mirë për veten e saj. Kjo shoqëri i shfrytëzon zgjedhjet, për të veshur me pushtet ata persona e ato grupe që e kanë sjellë në këtë derexhe të degradimit moral, kombëtar, fetar e gjithsesi edhe politik. Preokupimi kryesor i pjesës më të madhe të kësaj shoqërie, ende pa filluar fushata, është se cilët persona të fortë e arrogantë, bile edhe disa me prirje thjesht kriminale, do të dalin më të fortë nga zgjedhjet, e jo se si të largohen nga politika. Kjo pjesë e shoqërisë, që në fakt përbën shumicën, është mësuar me këtë gjendje, siç mësohen buallicat në baltak. Buallicat edhe kur lëvizin ngapak e me përtesë në baltak, vetëm sa e zgjerojnë perimetrin e ndytësisë mbi trupin e vet. Për pastrim, me ujin e pakët dhe të ndotur të baltakut, as që mund të bëhet fjalë. Si ato grupe shoqërore, që përkrahin individë e parti të dhunshme, si ato grupe që janë indiferente dhe e bojkotojnë mundësinë e ndryshimit, janë pjesë e të njëjtit baltak të ndotur moralisht.
Njëra nga arsyet pse shoqëria jonë është bllokuar në mjerimin e vet, ka të bëjë me traumën e pashëruar nga spastrimi etnik dhe gjenocidi serb. Shumica e ne shqiptarëve të Kosovës kemi kaluar nëpër përvoja të tmerrshme gjatë luftës, që nga ekzekutimet e familjarëve dhe të afërmve, dëbimeve nga shtëpitë, djegiet e shtëpive dhe të pronave të tjera, mbajtja në kampe përqendrimi, dhunimet e numërta të grave e të burrave, zhdukja e kufomave të të ekzekutuarve. Të gjitha këto tragjedi kanë mbetur të gravuara në kujtesë, pa u shëruar kurrë. Për shërim të traumës kolektive e individuale nuk ka pasur një program adekuat shoqëror rehabilitimi . Nuk ka pasur as debat të sinqertë e hapur lidhur me atë që na ka ndodhur si popull. Përkundrazi, pas çlirimit e tërë tragjedia është mbuluar si me vello nuseje nga triumalizmi, nga militantizmi dhe narracione të pavërteta. Këto narracione të pavërteta , shoqërinë e traumatizuar e ka bërë edhe shoqëri gënjeshtare. Nga ana tjetër, si ikje nga lemeria, ajo traumë e lemerishme, është konvertuar edhe në frikë nga pushtetasrët e rinj, në gjunjëzim para atyre që morën oreolin e fitimtarëve. Shoqëria jonë nuk pati energji e guxim të ngrihej në këmbë, të adresonte përgjegjësinë dhe të bëhej sovrane, në kushtet e lirisë. Vazhdoi të jetonte në frikë, të votonte në frikë, të duronte në frikë. Këtu jemi edhe tash, njëzet vjet pas injektimit të traumës, shoqëri thellësisht e traumatizuar dhe e frikësuar, një shoqëri që aktron se gjoja është shoqëri e rehabilituar nga trauma dhe e liruar nga frika, pa qenë e rehabilituar nga trauma dhe pa qenë e liruar nga frika.
Shumica e njerëzve gjetën një mënyrë hipokrite për ta maskuar traumën dhe frikën që bartin në shpirt: me anën e hedonizmit të shfrenuar dhe të konsumerizmit pa karar. Epidemia hedoniste prodhoi një peizash të tmerrshëm shoqëror: masazhhane e shtëpi publike anëkend Kosovës, bastore e kumarhane anekënd Kosovës, motele, hotele ku për të bërë seks paguhen vetëm pesë euro, restorante e salla dasmash luksoze, hyxhyme me përmasa eksodi në bregdetin shqiptar, syneti, fejesa e dasma të hallakatura, me shpenzime marramendëse, etj. E gjitha kjo jetë hedoniste e konsumeriste, me kosto financiare të lartë, mbulohet nga kreditë e konsumit me kamata ngulfatëse, nga remitancat, nga vjedhjet e fondeve publike, nga pjesëmarrja aktive e masive në ekonominë informale, nga aktivitete kriminale, nga fajdeja e në disa raste edhe nga plaçkitje ordinere. Këto turma njerëzish të përshfirë në zdërhallje hedoniste e konsumeriste, shtiren sikur janë të lumtur e të fortë, si nën efektin e drogave, por në fakt janë po ata njerëzit e traumatizuar e të frikësuar, që nuk guxojnë të ballafaqohen as me problemet reale, madje as me veten e vet. Aq më pak me pushtetin.
Shoqëria jonë është e dështuar edhe për një shkak themelor: elitat politike dhe intelektuale realisht kanë hequr dorë nga shqiptarizmi, nga ideologjia kombëtare, nga morali kombëtar, nga vlerat kombëtare. Këto kanë mbetur vetëm si relike në gojët e disa nostalgjikëve, të cilët edhe ashtu me ideologjinë majtiste kanë qenë të hendikepuar që nga fillesa, sepse komunizmi me definicion është antikombëtarizëm. Nëse doni të bindeni për sa u tha lidhur me dezertimin nga shqiptarizmi, merrini dhe shikojini librat shkollorë, letërsinë shqipe që shkruhet në Kosovë viteve të fundit, gazetarinë e viteve të fundit, muzikën, artet figurative dhe do të shihni se janë larguar tërësisht nga tematikat kombëtare, nga motivet nga kujtesa dhe nga idetë kombëtare. Merrini shikojini emrat e dyqaneve dhe do të shihni se mbi 90% nuk janë emra shqip. Merrini dhe analizojeni të folurit e politikanëve dhe do të shihni se shumica prej tyre flasin shqip, por nuk mendojnë si shqiptarë, në kuptimin kulturor e moral të fjalës. Pra, këto elita e kjo shoqëri kleptomane e konsumeriste, shqiptarizmin e kanë plagosur rëndë. Si duket ndihen të çliruar nga kufizimet morale, që ai do t’ua impononte shqiptarizmi, prandaj nuk kanë më asnjë kufi në ambiciet e shfrenuara.
Shoqëria jonë është e dështuar edhe në planin moral dhe fetar. Përkundër gjithë këtyre xhamive dhe kishave, shumica e të cilave janë ndërtuar pas çlirimit, ndikimi i hoxhallarëve dhe i priftërinjve në shoqëri e madje edhe në xhematet (grixhen) e tyre, është minimal, është i pahetueshëm. Ata nuk e kanë gjetur mënyrën adekuate të komunikimit me njerëzit, në rrethanat tona gjeokulturore, gjeopolitike dhe të kohës sonë postmoderne. Ata bëjnë monolog, në stilin si kanë folur pararardhësit e tyre para disa shekujve, duke tentuar të prodhojnë efekte psikologjike te masa, e jo edukim dhe gjykim kritik. Drejtuesit fetarë praktikisht janë shndërruar në brende të industrisë së festave: dalin në televizor në festa fetare, me mesazhe që nuk i mbështeten fare në realitet, pastaj zhduken disa muaj nga skena, deri në festën e radhës. Këtyre u shkon për shtat vargu i Alen Boskesë, “Jeta ndodhi pa ne.” Edhe pjesën më të madhe të besimtarëve e kanë tëhuajsuar, ia kanë injektuar ndjenjën e inferioritetit, e kanë mësuar që të jetë e dëgjueshme, miratuese, letargjike, nihiliste. Ia kanë lëkundur vetëbesimin dhe dinjitetin. Prandaj shoqëria as nga kjo anë nuk ka një zgjidhje, madje as ngushëllim.
Në këtë ambient të një shoqërie të traumatizuar, të çmoralizuar dhe të frikësuar, politikanët mashtrues jetojnë si veshka në dhjam. Ata dikund premtojnë, dikund kërcënojnë, dikund diçka realizojnë, dikund dëmtojnë, por e gjitha kalon pa u penalizuar nga shoqëria, që ndihet e frikësuar dhe që edhe vetë e ndjen se nuk është e pafajshme. Partitë politike në këtë ambient ndihen pronare të shtetit, pronare të shoqërisë. Nuk kanë ndonjë drojë as nga zgjedhjet, sepse e din se nuk mund të ketë ndryshime, në një shoqëri që është vetëbllokuar. Partitë e zhvillojnë betejën elektorale të radhës, për ta ndarë e rindarë pushtetin, moskokëqarëse, ndaj shoqërisë letargjike e ndaj shtetit, që vegjeton në prag të dështimit fatal. Megjithatë, në çdo cikël zgjedhor partitë freksohen me “prurje të reja”, pra persona që në ndërkohë janë pjekur që të futen në politikë,që të zhvatin diçka edhe ata. (Sintagma “prurjet e reja” ma kujton një imazh nga fëmijëria, kur përroi vërshonte dhe sillte ndoca gjëra, për të cilat thuhej: “i ka pru reka!”) Kësodore, politikanët e vjetër, të patundur në krye të partive dhe “prurjet e reja” nga gjendja turbullt morale e politike, gjithnjë janë “të gatshme” për fitoret e radhës, ani që nuk kanë as programe, as profilizisme, as platforma.
Megjithë këtë prospekt mjaft të ngrysët, Kosova vërtet ka edhe shumë njerëz të mirë, punëtorë dhe atdhedashës. Janë të shumtë ata që kanë ngritur shtëpitë, fermat e bizneset nga e para, që kanë ndihmuar e ndihmojnë njerëzit në nevojë, që paguajnë taksat, që përpiqen për punë të mira. Por, ata duhet të ndihen gjallë edhe në sferën shoqërore e politike, duhet ta mposhtin traumën dhe frikën, duhet të marrin edhe përgjegjësi qytetare. Ndryshimin mund ta bëjnë ata që deri sot nuk kanë janë përfaqësuar: rinia universitare, elita akademike, të papunët, fshatarët dhe të varfërit, në rend të parë. Në krizën tonë shoqërore, morale, ideologjike e politike, ata mund ta bëjnë diferencën, ata mund ta inicojnë daljen nga kriza, nëse zgjohen, nëse marrin përgjegjësitë që u takojnë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit