Një sfidë për Francën: Të braktisë apo të mos braktisë vlerat themelore? – nga Ahmet Davutoğlu*
Ne kemi lënë pas dekadën e parë të një shekulli të ri. Ne jemi ende në diskutimin e ndryshimit paradigmatik që po ngjet në nivelin global në pasrrjedhën e 1989-2001, ndërsa marrim në analizë dy dekadat e fundit.
Ç’e ardhme na pret? Mbi ç’baza po ecim përpara? Si do të qëndrojmë ne përkarshi sfidave themelore? Europa – ballafaquar me krizën ekonomike – sotpërsot po kalon përmes një faze ekzistenciale të integrimit të saj. Nga ana tjetër, ngjarja tragjike në Norvegji dhe shfaqjet e terrorizmit racist në Gjermani në thyerje të të gjitha vlerave europiane, përfaqësojnë një kërcënim të ri për të ardhmen tonë, faqe të cilës duhet të qëndrojmë të bashkuar. Drejtimi që merr “Rizgjimi Arab”, që ka ngërthyer të gjithë Lindjen e Mesme, do të ndikojë në mënyrë të padiskutueshme sistemin ndërkombëtar. Shkurtimisht, ne jemi njëherësh të shqetësuar dhe shpresëmirë. Në kohë të tilla të ndërlikuara dhe të vështira, unë besoj se vetëm në vlerat thelbësore universale mund të gjejmë prehje dhe siguri. Në artikullin e tij të titulluar “Euryopa: le regard au loin,” duke theksuar kuptimin e brendshëm të Europës, filozofi francez Jean-Luc Nancy tërheq vëmendjen në ndjesinë parashikuese të Europës dhe aftësinë e saj për të parë përtej vetes. Në librin e saj “L’irrévérence,” një tjetër filozofe franceze, Ms. Chantal Delsol, duke iu referuar “Një Paralajmërimi për Europën” të Thomas Mann, shkruan: “nëse europianët humbasin mendjen e tyre kritike, nëse nuk ia dalin të qëndrojnë në emër të respektit, atëbotë do të kenë dorëzuar identitetin e tyre.”
Respekt për të drejtat dhe liritë themelore
Në fakt, kuptimi i vetëbesimit, që ne do të gjejmë në vlerat themelore, është i qartë. Universaliteti i të drejtave të njeriut dhe respekti për të drejtat dhe liritë themelore vazhdon të na udhëheqë. Standardi do mbajtur lart për të gjitha vendet. Në këtë hulli, institucionet europiane duhet të jenë në gjendje të përqafojnë një pasion të ri dhe fillime të rishta.
Në kontekstin e globalizimit dhe sfidave aktuale, një prej vlerave më të larta mes të drejtave dhe lirive themelore, që duhet ta ushqejmë, është liria e shprehjes. Sepse liria e shprehjes është e domosdoshme për zhvillimin social, ekonomik, kulturor dhe politik të individëve, ngase është një domosdoshmëri për demokracinë e vërtetë, sundimin e ligjit dhe për edukimin e shoqërive pluraliste. Liria e shprehjes dhe informimit është gjithaq një prej faktorëve kryesorë që kultivojnë mirëkuptimin mes shoqërive; lehtëson bashkëjetesën e individëve me prejardhje të ndryshme, kultura dhe besime të ndryshme dhe siguron pasurimin përmes ndërveprimit ndërkulturor. Ajo do të bëhet e pashmangshme për një Europë ku të menduarit kritik, fryt i lirisë së shprehjes, është mjegulluar, ku debati i lirë është zëvendësuar nga paragjykimet dhe tabutë, duke sjellë humbjen graduale të largpamësisë së saj.
Në epokën kur mjete të reja mediatike si interneti dhe mediat sociale janë të hapura edhe për vendet më të largëta dhe më të izoluara të botës, mbrojtja dhe shtrirja e lirisë së shprehjes është bërë një çështje madhore shumëplanëshe dhe e ndërlikuar. Rregulli që duhet mbajtur në kokë kur kërkohet përgjigje për këtë pyetje është fakti që përgjegjësia e shtetit nuk është më e kufizuar në garantimin e mosndërhyrjes në shprehjen e lirë të ideve, por sakaq përfshin përvijimin e kuadrit ligjor që garanton ushtrimin e barabartë të kësaj lirie nga të gjithë pjesët e shoqërisë dhe përforcimin e saj. Kjo përgjegjësi shtetërore ngërthen të gjithë individët, pavarësisht gjuhës, fesë, besimeve, pikëpamjeve apo mendimit politik.
Edhe kur çështja shtrohet tek kufizimi i lirisë së shprehjes, sërish shtetet kanë përgjegjësi serioze. Kufizimi i shprehjes së lirë të pikëpamjeve që nuk kërcënojnë integritetin e shtetit, rrezikojnë seriozisht rendin publik apo cënojnë sigurinë kombëtare, do të rrezikojnë të parandalojnë diskutimin e çështjeve të rëndësishme politike dhe të minojnë zhvilimin e jetës demokratike. Në të kundërt, shteti duhet të veprojë ndaj krijimit të dogmave dhe trupëzimit të ideve. Në Europën e shekullit të njëzetenjëtë, shprehja e ideve që nuk nxisin dhunën nuk duhet të kriminalizohet thjesht sepse ato janë të papëlqyeshme. Kufizimi, përmes legjislacionit penal, i lirisë së shprehjes mbi çështje me përmbajtje qartësisht politike, ligjore dhe humanitare, siç është etiketimi i ngjarjeve të caktuara historike, bazueshmëria e të cilave nuk është vërtetuar kurrë, si “genocid”, do të shkaktojnë probleme të paparashikuara, duke çuar në trajtime të ndryshme, diskriminuese dhe degraduese të shoqërive që i kanë provuar të tilla tragjedi. Ligji nuk mund të kalojë gjykimin mbi vërtetësinë e një “ngjarjeje” me anë të dispozitave që paraqet. Ligji vetëm mund të rregullojë veprimet dhe sjelljet e ardhshme, por nuk mund të rregullojë mënyrën sesi duhen diskutuar ngjarje të shkuara dhe veçanërisht nuk mund të kriminalizojë diskutime të tilla.
Mbajtja gjallë e kujtimit të ngjarjeve të shkuara tragjike nuk e bën të domosdoshëm cilësimin e tyre në terma të caktuar ligjorë. Në të kundërt, një qasje e tillë pengon diskutimin e natyrës së vërtetë të këtyre ngjarjeve dhe vë në gjumë kërkimin historik të të gjithë shoqërive të fyera. Liria e shprehjes nuk fshin kujtimin e të shkuarës, por lejon vendosjen e të vërtetës historike.
Ndërsa Franca përgatitet të drejtojë historinë drejt një rrëfimi të njëanshëm
Pse ndjej shtysën të shpreh këto pikëpamje sot? Po e bëj këtë, pasi me miratimin e projektligjit në ditët e ardhshme, Asambleja Kombëtare e Francës do të marrë masa të dënojë historinë drejt një rrëfimi të njëanshëm dhe të kriminalizojë lirinë e shprehjes.
Nëse Asambleja Kombëtare e Francës zgjedh të miratojë projektligjin, logjika nuk do të ma pranojë që kur të vij në Paris dhe të shpreh pikëpamjet e mia rreth historisë së vendit tim, unë, si ministër i punëve të jashtme, do të vihem në pozitë për të thyer ligjet e një vendi që gjermësot ka qenë djepi i lirisë së shprehjes. Apo, kur mijëra pjesëtarë të komunitetit turk që jetojnë në Francë të dalin në rrugë duke thërritur sloganin “Nuk ka patur genocid” në protestë ndaj përpjekjes për të damkosur ballin e kombit të tyre, me të cilin ato janë të lidhur fort, a e shqyrtojnë autoritetet franceze mundësinë e ndalimit dhe ndëshkimit të këtyre mijëra njerëzve? Fakti që ky projektligj do të diskutohet në Asamblenë Kombëtare më 22 Dhjetor, ditën kur diplomati turk Yılmaz Çolpan u vra në Paris nga organizata terroriste armene ASALA në 1979, pashmangshmërisht ngre pyetjen nëse kjo ditë u zgjodh qëllimisht për të kënaqur mendësinë terroriste që çoi në vrasjen e diplomatit tonë.
Këto nisma ligjore cenohen që në fillim. Një shtet që i dikton shoqërisë së tij çfarë nuk duhet të thotë përmes ligjesh dhe dogmash, gjithaq i dikton shoqërisë çfarë duhet të thotë, dhe bash këtu qëndron rreziku i vërtetë.
Edhe nëse nuk pajtohem me to, unë i kuptoj arsyet që sollën në paraqitjen e këtij ligji, përfshirë politikën e brendshme franceze. Ne të gjithë e dimë se politika, gjatë pjesës më të madhe të kohës, mbështetet mbi dëshirën për të qëndruar në pushtet. Në të vërtetë, në rrethana të tilla, interesat politike dhe përceptimi i pushtetit provohen të jenë dukshëm më të rëndësishme sesa realiteti dhe kërkimi i drejtësisë. Sidoqoftë, kjo qasje problematike ngre një numër pyetjesh:
A mund të reduktohet historia në përllogaritje dhe gjykime personale të mbështetura thjesht në interesa politike dhe perceptime mbi pushtetin?
Kush duhet të vendosë marrëdhënien ndërmjet historisë dhe ligjit dhe si duhet ta bëjë këtë?
A është funksion i parlamentit të gjykojë historinë dhe politikën mbizotëruese përgjatë historisë?
Nëse mbroni tezën se një ngjarje historike mbetet një fakt apo realitet, por jo një opinion apo gjykim, atëherë çfarë ju shtyn të mbyllni gojët e atyrë që kundërshtojnë versionin tuaj të realitetit – pra, pikëpamjeve mbi historinë dhe kujtesën – përmes ligjit?
Pse i ndalni historianët dhe shkencëtarët nga shqyrtimi, kërkimi dhe analizimi i ngjarjeve historike? Pse dëshironi të shkatërroni një sferë të diskursit të hapur dhe, mbi të gjitha, pse po e bëni këtë tani?
A është funksion i shtetit të përhapë dogma për shoqërinë dhe imponojë mënyrën si njerëzit duhet të mendojnë?
Përgjigjet e ndershme që do t’u jepen këtyre pyetjeve do të dëshmojnë mendësinë dhe kuptimin që qëndron në themel të nismës që pritet të ndërmerret në pak ditë në Asamblenë Kombëtare të Francës. Mendoni edhe njëherë cila do të jetë përgjigja e klasës politike franceze dhe Asamblesë Kombëtare dhe vendoseni në këtë kornizë.
Sërish do të doja t’i bëja thirrje popullit francez dhe Asamblesë Kombëtare: në vend që t’i mbyllet goja historisë, le të diskutohen të vërtetat historike. Ju e dini shumë mirë se cilëtdo qofshin ligjet e diktuara nga politika e brendshme, të vërtetës nuk mund t’i mbyllet goja. Përfundimisht, zëri i së vërtetës do të jetë më i larti dhe do të jehojë më shumë.
Përktheu nga gjuha angleze: Vehap Kola
Burimi: Gazeta Zaman (http://www.todayszaman.com/news-266365-a-challenge-for-france-to-abandon-or-not-to-abandon-core-valuesby-ahmet-davutoglu*.html)
*Ahmet Davutoğlu është ministër i punëve të jashtme të Turqisë.
…