1.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Një polak në krye të EULEX-it

Më të lexuarat

Bashkimi Evropian pritet që shumë shpejt të emërojë në krye të EULEX-it një zyrtarë nga Polonia. Procedurat për emërimin e shefit të ri të misionit që deri tash është udhëhequr nga dy gjeneralë francezë, kanë filluar javë më parë dhe se brenda pak kohësh BE-ja pritet që të zyrtarizojë emërimin. Vendimi përfundimtar pritet që të merret nga Komiteti për Politika dhe Siguri i BE-së, pas një rekomandimi që do të marrin nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, baronesha Catherine Ashton.

Burime nga BE kanë shpjeguar se përveç shefit të ri, misioni më i madh i BE-së do të ketë një figurë të re edhe për zëvendësshef.

Dy udhëheqësit e deritanishëm francezë të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe Yves de Kermabon, kanë qenë të angazhuar më herët në Kosovë edhe në kuadër të KFOR-it. Shefi i ri që është nga Polonia, do të ndërpresë këtë traditë. Burime të gazetës kanë bërë të ditur se ai nuk ka qenë më herët i angazhuar në Kosovë, por ka kryer disa shërbime në Qipro, shkruan “Koha Ditore”.

Derisa shefi i parë, Yves De Kermabon, do të mbahet mend si njeriu që ka funksionalizuar misionin më të madh në historinë e BE-së, shefi i dytë i këtij misioni Marnhac, ka pasur shumë vështirësi gjatë mandatit të tij. Si rezultat i vështirësive të misionit, vendet anëtare kanë kërkuar që misioni të hyjë në një proces të ristrukturimit, në mënyrë që t`i zgjatet mandati deri në vitin 2014.

Që nga 15 qershori, EULEX-i do të jetë i ristrukturuar, gjë që përfshin ndërrimin e dy shefave, zvogëlimin e stafit ndërkombëtar deri në 40 për qind, si dhe mbylljen e të gjitha qendrave regjionale, pos asaj në veri të Kosovës.

Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, ka thënë se mbyllja e qendrave regjionale nuk do të pamundësojë operimin e misionit në gjithë Kosovën.

“EULEX-i do të vazhdojë të operojë në gjithë Kosovën, sidoqoftë disa nga bazat regjionale do të mbyllen gradualisht”, ka thënë Hawton.

Misioni do të lejohet që pas 15 qershorit të ketë në maksimum 1.250 pjesëtarë ndërkombëtarë, ndërkaq që numri i atyre vendës nuk mund të jetë më shumë se 1000.

Reduktimi ndjeshëm i stafit, sipas zëdhënësit të këtij misioni nuk do të ndikojë në efikasitetin e EULEX-it. Sipas tij, pakënaqësitë brenda misionit për kontratat e reja dhe zhvillimet e reja, janë normale.

“Në procesin e rikonfigurimit disa pozita nuk do të ekzistojnë më fare, disa të tjera do të ndryshohen. Natyrisht që kjo ka efekt shqetësues te stafi. Megjithatë, anëtarët e stafit që do të preken nga këto ndryshime do të kenë mundësi që të riaplikojnë në punët aktuale dhe ato të ardhshme. Kjo vlen si për stafin ndërkombëtar ashtu edhe për atë vendës”, ka thënë Hawton. /koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit