Autor: Shejkh Sulejman Ruhejli
Pyetje: Një person e kanë kapluar vesveset e forta dhe është këshilluar që të lexojë Kuran me Tefsir që kjo te jetë shërim për të, vetëm se shejtani e largon atë nga kjo duke i futur dyshime se ai sa herë që e lexon (Kuranin) krahas dijes së pakët të tij, atij i shtohen dyshimet. Cila është këshilla juaj, Allahu ju ruajttë?
Përgjigje: Vesveset janë një nga rrugët e Iblisit. Baza e vesveseve është argument për qëndrueshmërinë e robit në fe dhe për sigurinë e zemrës. Nëse shejtani shikon se robi është i devotshëm dhe se nuk mundet që ta mundë atë me vepra, fillon duke i bërë vesvese atij. Për këtë arsye, kur iu përmend Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – kjo, ai tha:
الْحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِي رَدَّ كَيْدَهُ إِلَى الْوَسْوَسَةِ
“Lavdërimi i takon Allahut i Cili e ktheu kurthin e tij në vesvese.”
Ai (shejtani) nuk ka mundur të na mposhtë, prandaj erdhi me vesvese. Dhe ai (Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ky është imani i pastër.” Kjo është esenca e vesveseve. Që do të thotë se nëse ndodhin vesvese, kjo është argument për këtë (imanin e pastër). Por, kjo nuk do të thotë që ne t’i lavdërojmë ata që kanë vesvese, ngase t’i përgjigjesh vesveseve është sherr. Është detyrë që ta shmangim atë. Atij që i vijnë vesveset, ai është njëri nga këto dy llojet e personave:
Lloji i parë: që vesveset të mos e mposhtin atë, porse ato i vijnë dhe i shkojnë. Kjo shërohet duke kërkuar shpesh mbrojte tek Allahu. Pra, ai kërkon mbrojtje nga Allahu prej tij (shejtanit); pështynë lehtë në të majtën e tij; lexon kuran; lexon hadithe.
Lloji i dytë: që vesveset t’i shtohen njeriut saqë e mposhtin atë. Këtij nuk i bëjnë dobi shërimi me ndonjë vepër prej veprave (që u përmendën), sepse ai sa herë që bën ndonjë vepër, aq më shumë i shtohen vesveset. Edhe në qoftë se lexon Kuran, i shtohen vesveset. Si duhet të jetë shërimi për këtë? Fukahatë kanë thënë: shërimi i tij është që të largohet plotësisht.
Çfarë do të thotë largim i plotë? Që të mos bësh ndonjë vepër si pasojë e vesveseve dhe të mos e lësh një vepër për shkak të vesveseve. Edhe në qoftë se të vjen ty (shejtani me vesvese), konsideroje atë sikur një i çmendur i cili të flet nga mbrapa dhe ti je plotësisht i sigurt se ai nuk të dëmton dot. Mos bëj diçka për shkak të tij dhe mos braktis diçka për shkak të tij.
Ndonjërit nga njerëzit, nëse i vijnë vesveset, e hap Kuranin që të lexojë dhe kështu Iblisit i shtohet dëshira, dhe i bën atij vesvese në Kuran. Ai ngrihet të falet, dhe shejtani i bën vesvese në namaz. Mos lë diçka për shkak të tij (vesveseve të shejtanit). Nëse je duke lexuar Kuran dhe të vjen shejtani duke të bërë vesvese, mos e lër leximin e Kuranit, vazhdo të lexosh. Lëre leximin e Kuranit nëse dëshiron ta lësh, por që ta lësh për shkak të vesveseve, mos e lër.
Nëse vepron kështu dhe bën durim, dije se kjo çështje ka nevojë për durim. Sepse Iblisi i vjen atij që ka vesvese duke iu hequr si këshillues, si mëshirues, në namaz (shejtani) i thotë: “Ky është namaz. Ndërsa namazi është lidhje në mes robit dhe Zotit të tij! Nëse prishet namazi, çfarë të ngelet ty!? Ki kujdes! Dil nga namazi! Shko merr abdes!” Derisa t’ia prish namazin dhe ai nuk është këshillues, porse ai është Iblisi.
Prandaj, kjo ka nevojë për durim. Ki durim. Nëse ke vesvese gjatë abdesit, merr abdes (duke mos ua vënë veshin vesvesve) dhe largohu. Iblisi të vjen (gjatë abdesit) duke të thënë: “Të ka ngelur diçka (pa mos e larë)!”. Ti thuaj: “S’ka ngelur gjë”. Mos e përfill aspak. Shko dhe falu. Pasha Allahun, nuk të dëmton dot. Pasha Allahun, nuk të dëmton dot. Nëse ti je duke lexuar Kuran, dhe Iblisi të vjen duke të bërë vesvese, ti vazhdo të lexosh, lëre atë. Vazhdo së lexuari, pasha Allahun, nuk do të dëmtojë, përkundrazi, ti do të shpërblehesh për këtë, sepse ti bën xhihad me Iblisin. Pastaj, Iblisi i humb shpresat tek ty dhe të lë tek kjo derë (e vesveseve) dhe kërkon ndonjë derë tjetër.
Andaj, o ju vëllezër, sikur ky vëllai për të cilin thuhet se ka vesvese të forta, d.m.th. se vesveset e kanë mposhtur atë, shërimi i vetëm për të është: largimi i tij i plotë. E çfarë do të thotë largimi i plotë: që të besojë me gjithë zemër se ai (shejtani) nuk do ta dëmtojë atë dhe se Allahu është Mëshirues dhe se nuk është e mundur që Allahu t’i dëmtojë robërit e tij për shkak të kësaj dhe se kjo nuk është prej fesë.
Allahu ka thënë:
وَمَا جَعَلَ عَلَيْكُمْ فِي الدِّينِ مِنْ حَرَجٍ
“…dhe ai nuk ju ka bërë juve në fe vështirësi…” el-Haxh, 78
Si ka mundësi që të jetë prej fesë që njeriu të marr abdes 70 herë? Është e pamundur që të jetë prej fesë. Pra, duhet ta dish këtë dhe të jesh i sigurt për këtë, dhe me kaq mbaroi kjo punë. Ti vepron ashtu siç veprojnë njerëzit, dhe i shmangesh asaj (vesveses). Vazhdon me veprën tënde, e nuk e ndal atë për shkak të vesveseve. Mos bëj diçka për shkak të vesveseve, pasha Allahun, me lejen e Allahut, ai do të shërohet, dhe ne kemi patur përvojë për këtë.
Pasha Allahun, o vëllezër! Më erdhi një njeri, të cilit shejtani i bënte vesvese për gruan e tij, se ai po e shkurorëzonte atë. Kur ai shkonte me të tek familja e saj, dhe ai i thoshte: “Shko te familja jote”. I vinte Iblisi duke i thënë: “E ke shkurorëzuar atë.” Ai më merrte ndonjëherë në telefon në orën dy të natës, tre të natës, e më thoshte: “O Shejkh! Ajo tani është afër meje në shtrat, a është ajo gruaja ime apo e kam shkurorëzuar atë?” Në fillim i thamë: “Angazhohu duke e përmendur Allahun, derisa të largohesh prej kësaj gjëje.” Ai filloi që të përmendë Allahun, filloi Iblisi që t’i vijë, kur ai thoshte “SubhanAllah”, i Iblisi i thoshte: “Jo! Ti po thua tërthorazi se e ke shkurorëzuar atë.” Nëse ai thoshte “Allahu Ekber”, Iblisi i thoshte: “Ti po thua tërthorazi se e ke shkurorëzuar atë dhe kjo është çështje nderi.” Kur pashë se kjo çështje u shtua akoma më shumë tek ai, e këshilluam që të largohej nga vesveset. Ai largohej për një kohe nga vesveset, pastaj përsëri iu kthehej vesveseve. Ai më vinte në shtëpinë time ndonjëherë, dhe unë e përzija nga shtëpia, sepse ai, përderisa e din se ka ndonjë që e qetëson atë, do të vazhdojë që të ketë vesvese. Por ne ia dhamë atij parimin.
Pas një periudhe, lavdërimi i takon Allahut, jeta e tij u stabilizua dhe vesveset u larguan plotësisht nga ai, sepse ai qëndroi fort në këtë parim. Unë njoh shumë njerëz, ka prej tyre që kishte vesvese më shumë se 20 vite. Ai vinte tek ne dhe ne e këshillonim atë dhe kishim pak durim me të, pastaj Allahu e shëroi me këtë metodë.
Pra, këshilla ime për këtë vëlla është që të bëjë atë që përmenda. Allahu e din më së miri.
Përktheu: Jeton Shasivari
27/5/1436 H
18 Mars 2015
Medine