Rastet e dhunës së ushtruar ndaj nxënësve apo edhe profesorëve nëpër shkollat e Kosovës nuk janë të rralla.
Një rast i rrahjes së nxënësve ka ndodhur javën e kaluar në shkollën e mesme të ultë “Kenan Halimi” në fshatin Skifteraj të Vitisë.
Sipas videos së siguruar nga Indeksonline, shihet drejtori i shkollës M.M., duke rrahur pa mëshirë një nxënës.
Familjari i nxënësit të rrahur ka thënë se drejtori ka rrahur dy nxënës, por në video shihet vetëm njëri.
“Nxënësit kanë shku me një fshat afër për të luajtu futboll dhe i kanë lënë çantat brenda në shkollë. Kur janë kthy pasdite nxënësit, ndërrimi i pasdites ka qenë duke mbajtur mësim. Dy nxënës kanë dashur t’i marrin çantat, por drejtori nuk i ka lënë të hyjnë brenda, janë sharë dhe ai ka filluar t’i rrah. Në video është nxënësi i klasës së 9-të R.I, duke u goditur nga drejtori i shkollës”, ka thënë ky familjar për Indeksonline, duke shtuar se për këtë i ka shkruar drejtorit edhe në Facebook, por që nuk ka marr përgjigje nga ai.
Për rastin, Indeksonline ka kontaktuar edhe me drejtorin e shkollës M.M., i cili ka mohuar të ketë bërë një gjest të tillë.
“Nuk është e vërtet ajo që thoni. Jeni keqinformuar”, ka thënë ai, duke mos dashur të flas më shumë.
Kujtojmë se ky rast nuk është as i pari e as i fundit që dhuna në shkolla është prezent si nga stafi i shkollave apo edhe nxënësit.