Sikur Shkupit t`ia heqësh xhamitë e vjetra otomane që i bart në organizmin e saj historik dhe urban, mund të quhet çfarëdo tjetër, por jo më Shkup.
Disa prej tyre janë shkatërruar gjatë tërmetit të vitit 1963, disa tjera nga sistemi komunist për t`u ndërtuar mbi to godina administrative, ndëkohë që ato xhami të cilat kanë mbijetuar vazhdojnë të kultivojnë jetën fetare të muslimanëve dhe njëkohësisht të paraqesin një impresion të veçantë nga e kaluara osmane e këtyre trevave.
E tillë është dhe xhamia “Isa Beu” e ndërtuar në vitin 1475/76.
Siq tregon për portalin ‘tesheshi.com’, profesori i filozofisë se artit Metin Izeti, kjo xhami është ndërtuar nga biri i Is’hak Beut, Isa Beu, emrin e të cilit dhe e mban: “Për dallim nga xhamitë tjera në Shkup, kjo dallohet për nga lloji i veçantë i arkitekturës. Xhamia ka dy kube dhe dy hapësira të cilat janë të pavarura nga pjesa qendrore e brendshme e saj, ndërsa në derën kryesore qëndron mbishkrimi: “Allah, ti që je burim i mirësive të pashtershme, na ruaj nga ajo nga e cila kemi frikë!”, tregon Izeti.
Udhëpërshkruesi osman, Evlija Çelebi, në veprën e tij të mirënjohur ‘Sejatname’ thotë: “Vendi ku është ndërtuar xhamia e Isa Beut është një hapësirë me ajër të pastër e të freskët. Është një xhami që dallon nga xhamitë tjera, për vetë faktin se ka dy kube dhe është e tipit të xhamisë së Bursës. Ajo gjithashtu na përkujton dhe xhaminë e Muradijes në Stamboll”, ka shkruar ai në memoaret për Shkupin.
Një tjetër karakteristikë e xhamisë është dhe druri i vjetër 550 vjeçar që gjendet në oborrin e saj. Legjenda thotë se ka qenë vet Isa Beu i cili e ka mbjellur, por sidoqoftë një gjë është e sigurt se rrapi i xhamisë në Shkup është nga më të vjetrit në këto troje.
Që nga viti 1993 është i mbrojtur me ligj ndërsa lartësia e tij arinë në 20 metra, ka diametër 1.3 metra dhe vëllim 7.3 metra, prandaj duke qenë një gjë e veçantë, imami i xhamisë Muharem Ismaili ka zhvendosur ligjeratat ditore nga brendia saj nën hijen e rrapit 5-shekulloë , dhe kjo ka katër vite që praktikohet, prej kur Ramazanit ka hyrë në muajt e verës.
Tërmeti katastrofal i vitit 1963 e ka dëmtuar rëndë xhaminë e cila ka patur plasaritje serioze në muret e saj, por me intervenimet e duhura nga enti për mbrojtjen e monumenteve kulturore, xhamia kthehet në gjendje funksionale në të cilën gjendet dhe sot. /tesheshi.com/