8.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Një miqësi e rrallë në Gaza: i krishteri bëhet shikimi i një muslimani të verbër

Më të lexuarat

Kamal Tarzi, 55 vjeç, është një i krishterë nga Gaza, i cili për asnjë moment nuk ndahet nga miku i tij musliman gjithashtu nga Gaza, farmacisti 45-vjeçar Hatem Khreis, i cili pesë vjet më parë humbi shikimin e tij ndërsa po përgatiste një recetë. Tarzi thotë se ai është shoku më i ngushtë i Hatemit, si dhe shikimi i tij. “Hatem dhe unë kemi qenë miq për 15 vjet, dhe kemi kaluar së bashku nëpër gëzim dhe dhimbje”, thotë Tarzi. “Unë e shoqëroj atë në çdo kohë, dhe njerëzit habiten kur mësojnë se unë jam i krishterë kurse ai musliman, duke marrë parasysh miqësinë tonë të ngushtë”.

“Duke u rritur, Hatemi filloi të shkonte në xhami rregullisht”, thotë ai. Por, pas incidentit pesë vjet më parë, gjërat ndryshuan, pasi nuk kishte askënd në dispozicion që do ta shoqëronte atë atje.

E pashë se si i rridhnin lotët saherë që thirrej ezani për namaz nga xhamia. Andaj, vendosa ta dërgoj në xhami për namaz, njëjtë siç vepronte në të kaluarën.

“Ditën e parë që i ndihmova të shkonte në xhami, katër vjet më parë, ishte aq i lumtur sa donte të fluturonte nga gëzimi. Prandaj, i premtova se do ta shoqëroja në xhami çdo ditë, për çdo kohë të namazit. Kur dëgjoi vendimin tim, u gëzua sikur të kishte gjetur diçka që kishte humbur për një kohë të gjatë”, vazhdon Tarzi.

Në mëngjesin e hershëm, Tarzi shoqëron Hatemin në treg, për t’i ndihmuar atij që të blejë atë që i nevojitet. Pasi të bëjë pazar, Tarzi shkon në shtëpinë e mikut të tij, dhe të dy ulen së bashku për të lexuar titujt e gazetave. Tarzi thotë se nëse do të ishte i mundur një transplantim i syrit me të cilin do t’i kthehej të pamurit mikut të tij, ai me kënaqësi do të sakrifikonte njërin nga sytë e tij, vetëm e vetëm që shoku i tij të mund t’i shihte sërish pesë fëmijët e tij.

“Kur humba të pamurit, nuk isha në gjendje të bëja asgjë”, thotë Khreis. “Nuk mund shkoja as në xhami, ku falem zakonisht. Ndaluam së takuari me miqtë e mi për shkak të preokupimit të tyre me gjëra të tjera. Jeta ime ndryshoi shumë. Në fillim, isha i mërzitur dhe i trishtuar, pasi nuk isha në gjendje të bëja atë që bëja më parë. Por, pasi miku im i krishterë, Abu Elias vullnetarisht më ndihmoi të shkoj në xhami dhe filloi të kalojë shumicën e kohës me mua, fillova të ndihem më mirë për shkak se boshllëku me të cilin luftoja, filloi të mbushet”.

Khreis preferon shoqërinë e Tarzit mbi miqtë dhe të afërmit e tij të tjerë, sepse ai ndihet i lumtur me të. Khreis, megjithatë, ndonjëherë detyrohet t’i drejtohet dikujt tjetër për ndonjë nevojë apo kërkesë, kur Tarzi është i sëmurë ose i zënë.

Khreis thotë se ajo çfarë Tarzi bën për të, flet më së miri për faktin se palestinezët nuk bëjnë dallime midis muslimanëve dhe të krishterëve, të cilët ndajnë pothuajse të njëjtat zakone, tradita dhe jetën e tyre të përditshme. Tarzi është dakord, dhe thotë, “Asgjë nuk i dallon të krishterët nga muslimanët në Gaza. Të krishterët dhe muslimanët në Gaza përballen me të njëjtin realitet. Në kohëra të vështira nëpër të cilat kalojnë, të krishterët nuk mund të shpëtojnë nga situata të cilën e përjetojnë edhe gazasit e tjerë, sidomos kur kushtet ekonomike ndikojnë si tek krishterët ashtu edhe tek muslimanët. Të krishterët në Gaza mbrojnë muslimanët ashtu si muslimanët mbrojnë të krishterët. Ata janë të bashkuar. Ata mbështesin njëri-tjetrin dhe gëzohen për njëri-tjetrin. Ata vuajnë nga okupimi i njëjtë dhe bllokada e njëjtë”.

Tarzi thotë se, si çdo palestinez tjetër që e do Palestinën, as ai nuk bën dallim mes vetes dhe miqve muslimanë, sepse është rritur me ta nën të njëjtat rrethana. Ai pohon se të krishterët në Gaza respektohen, vlerësohen dhe trajtohen mirë nga të gjithë. Ata kryejnë ritualet e tyre fetare lirisht dhe gëzojnë mbrojtje ligjore për këtë.

Nga 2 milion banorë sa jetojnë në Gaza, rreth 3,500 janë të krishterë. Ekzistojnë tre kisha, të cilat u dëmtuan nga bombardimet izraelite gjatë luftës së vitit 2014, por u rinovuan përsëri. Ata janë një pjesë integrale e strukturës së shoqërisë palestineze./Tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit