3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Një histori si ajo e filmit “Terminali”, siriani i tregon çdo ditë botës si jeton në aeroport

Më të lexuarat

Një histori e ngjashme me skenarin e filmit “Terminali” është ajo e një siriani në aeroportin e Kuala Lumpurit, në Malajzi. Hassan Al Kontar jeton në terminal prej 6 marsit të këtij viti. Nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe nuk është dënuar për asgjë.

Faji i tij i vetëm është që është sirian dhe kjo i ka sjellë një varg peripecish, që e kanë detyruar të flejë çdo natë në ulëset e sallës së pritjes në zonën tranzitore të aeroportit.

Historia e tij është kjo: Hassan ka punuar në Emiratet e Bashkuara Arabe që nga viti 2011, në sektorin e marketingut. Ai është dëbuar nga ky vend në fund të vitit të shkuar dhe ka marrë vizën për në Malajzi.

Tre muaj më vonë, viza i ka mbaruar dhe me kursimet e fundit ka blerë biletën për në Ekuador, ku shtetasit sirianë udhëtojnë pa viza. Por në momentin e fundit, “Turkish Airline” nuk e ka lejuar të hipë në avion, pa i dhënë shpjegime për arsyet.

Hasan nuk mund të kthehet as në vendin e vet, sepse nuk ka fluturime drejt Sirisë. Për më tepër, atje është në kërkim për dezertim, pasi nuk i është përgjigjur kërkesës për të kryer shërbimin ushtarak. “Nuk është lufta ime dhe nuk kam ndërmend të vras askënd”, thotë ai në lidhje me këtë.

36-vjeçari jeton në aeroportin e Malajzisë prej një gati dy muajsh. Ai ha ushqimin që shërbehet në aviona dhe lahet në banjot e aeroportit.

Ai ka kërkuar ndihmë te të gjitha organizatat ndërkombëtare, si OKB, Human Rights Watch, Kryqi i Kuq, por askush nuk ka ditur t’i japë përgjigje problemit të tij.

Në videot që ka publikuar në Tuiter, ai thotë se ka për qëllim t’i tregojë botës çfarë do të thotë të jesh sirian. “Të jesh i vetëm, i dobët, i padëshiruar, i refuzuar dhe i urryer”, thotë ai.

Videot e tij janë bërë virale dhe marrin qindra komente. Pasi kanë njohur historinë e tij, shumë njerëz i shkruajnë mesazhe, ndërsa të tjerë shkojnë ta takojnë personalisht. Ai thotë se falë tyre gjen forcën për të besuar te e ardhmja.

Një histori e tillë nuk mund të mos krahasohet me subjektin e filmit “Terminali”, ku Tom Hanks luan rolin e qytetarit të një vendi (imagjinar), ku ndodh një grusht shteti ndërkohë që ai ishte në avionin që udhëtonte për në SHBA. Kur zbret në aeroportin e Nju Jorkut, pasaporta e tij rezulton e pavlefshme dhe ai nuk mund të hyjë në SHBA, por as të kthehet mbrapsht.

I detyruar të qëndrojë në terminal, ai nis përpjekjet për të mbijetuar. Por ndërkohë, dashurohet me një stjuardesë.

36-vjeçari sirian thotë se pavarësisht ngjashmërisë me filmin, realiteti është shumë më i hidhur. “Ky është realiteti. Unë nuk kam Catherine Zeta Jones (aktorja që luan rolin e stjuardesës) në krah. Nëse do të ishte ashtu, do të rrija sa të më thonin”, thotë ai duke qeshur.

Historia e Hassan Al Kontar ka bërë xhiron e botës por për të ende nuk është gjetur një zgjidhje që do t’i siguronte atij mbrojtje ndërkombëtare, e cila i lejon të nisë një punë dhe të krijojë një jetë të re.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit