-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Një grup nga Turqia në Tiranë për ti dhënë dorën e fundit Xhamisë së Namazgjasë

Më të lexuarat

Vitin tjetër Festa e Bajramit do t’i gjejë besimtarët myslimanë me një xhami të re.

Punimet në Xhaminë e Namazgjasë janë në fazën e tyre përmbyllëse të rifiniturave, instalimeve elektrike, mekanike, si edhe veshjes me gurë, të cilat pritet të mbyllen brenda 2 muajsh. Ndërsa, një grup që do të vijë nga Turqia do të kryejë dhe punimet e kaligrafisë, të vizatimeve dhe punimet e allçisë për t’i dhënë kështu dorën e fundit shtëpisë së re të besimtarëve myslimanë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, inspektuan punimet që po kryhen në Xhaminë e Namazgjasë, e cila është afër përfundimit.

“Në 1 km2 kemi të gjitha shtëpitë e besimit, si atë të vëllezërve myslimanë, të atyre ortodoksë dhe atyre katolikë, ku mjafton të shikosh nga parvazi i Xhamisë së Namazgjasë dy majat e objekteve të tjera të kultit. Do të thotë se edhe për një turist që është i tërhequr nga Shqipëria për turizmin fetar, për vëllazërinë religjioze që kemi me njëri-tjetrin, e ka kollaj sepse brenda Unazës së Vogël mund t’i shohë të tre këta tempuj”, u shpreh kreu i bashkisë së kryeqytetit.

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, u shpreh: “Ajo për të cilën më vjen mirë është plotësimi i aureolës së besimit në kryeqytetin tonë me Xhaminë e Namazgjasë, e cila ndodhet paralel apo krahas katedrales së vëllezërve ortodoksë dhe katolikë. Xhamia u jep lehtësi besimtarëve myslimanë, por edhe qytetarëve, qoftë për frekuentimin e saj pas përfundimit të plotë të punimeve pas disa muajsh, qoftë për hapësirat në funksion të qytetarëve, përfshirë pjesën e parkimit që ndodhet nën xhami dhe aksesin në qendrën kulturore brenda ambienteve të xhamisë”

Parkimet nentokësore

Kryebashkiaku tha se xhamia e re do të krijojë edhe më shumë mundësi për parkim në Tiranë. Veliaj shtoi se parkingu nëntokësor i xhamisë, ashtu si edhe ai që po ndërtohet te “7 Xhuxhat”, do të lehtësojnë trafikun e makinave në Rrugën e Elbasanit. “Bashkia po përfundon parkingun te “7 Xhuxhat”, ndërkohë tashmë ka përfunduar parkingu i Xhamisë së Namazgjasë. Pra, ka dobi edhe për qytetin sepse përtej ditës së xhumasë, kur besimtarët janë frekuentuesit kryesorë, kjo hapësirë me vende parkimi do të sqarojë njëherë e mirë trafikun në një nga nyjet më të vështira, si nyja e Rrugës së Elbasanit. U jam shumë mirënjohës inxhinierëve, punëtorëve, supervizorëve, kontraktorëve që kanë ecur me ritme të jashtëzakonshme dhe mezi pres që Bajramin tjetër të kemi një xhami të re dhe më në fund të gjithë besimtarët e Tiranës të kenë shtëpinë e tyre dinjitoze, të bollshme dhe një stoli për qytetin tonë”, përfundoi ai.

/Ora News.tv/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit