3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nisja e dialogut, shpresë për rikthimin e gjykatësve në veri

Më të lexuarat

Status quo-ja në pjesën veriore të Kosovës përgjatë pesë vjetëve, që pas shpalljes së pavarësisë së së Kosovës, ka shkaktuar një ngërç në punën e sistemit gjyqësor atje, thonë drejtuesit e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë.

Vështirësitë aktuale, sipas tyre, janë pasojë direkte e bllokadës së objekteve të gjykatave nga protestuesit serbë pak kohë pas aktit të shpalljes së pavarësisë dhe nga kundërshtimi i vazhdueshëm i serbëve për ta pranuar autoritetin shtetëror të Kosovës.

Shpresat për zgjidhjen e kësaj problematike duket të jenë ringjallur me nisjen e bisedimeve politike ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Një optimizëm i tillë mund të vërehet të paktën në radhët e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si mekanizëm që rregullon funksionimin e sistemit gjyqësor.

Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor, thotë se janë në pritje të marrëveshjes politike ndërmjet palëve për t’i rikthyer gjykatësit vendorë në gjykatat në veri të vendit.

Enver Peci
​​“Diçka konkrete nuk ka sa i takon funksionalizimit të asaj pjese të gjykatave. Ju e dini se ndoshta ndërlidhet me procese politike dhe me këto bisedimet e fundit që do të fillojnë. Jemi në atë përpjekjen që si Këshill Gjyqësor, të koordinohemi edhe me faktorin ndërkombëtar në disa çështje”.

“Përpjekjet janë në kuptimin e saj që janë duke u zhvilluar biseda, po asnjë nga faktorët vendimmarrës, si Qeveria, edhe faktori ndërkombëtar, po edhe Këshilli Gjyqësor, ende nuk e kanë ndonjë strategji të qartë se si t’i qasen asaj pjese”, thotë Enver Peci.

Gjykata e Qarkut në veri të Kosovës momentalisht funksionon vetëm me praninë e përfaqësuesve të misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, ndërsa stafi vendor qysh moti qe zhvendosur në Gjykatën e Qarkut në komunën e Vushtrrisë.

Nevojën për një marrëveshje për kthimin e gjykatësve e prokurorëve vendorë në veri e patën shprehur edhe zyrtarët e EULEX-it, duke thënë se ajo duhet të gjendet në kuadër të një marrëveshjeje politike ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Kryetari i Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, Xhevdet Abazi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se çështje e rikthimit të funksionimit të gjykatave në veri të Kosovës, nuk duhet të ndërlidhet me dialog, e as me çështje politike.

“Nëse priten bisedime, unë jam shumë pesimist. Bisedimet me siguri që do të shkojnë gjatë dhe për qytetarët do të jetë edhe më keq. Mendoj se do të duhej që para bisedimeve, vetë organet tona kompetente të marrin iniciativë dhe të rregullohet kjo çështje. E kam fjalën për çështjen e Gjyqësorit, pa e përzier fare politikën”, shprehet Xhevdet Abazi.

Abazi thekson se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk ka vendosur se kur do të mund të fillojnë punën gjyqtarët në veri. Sipas tij, mosushtrimi i detyrave në gjykatat në veri po paraqet vështirësi të dukshme në punën e punonjësve të drejtësisë, ndërsa po ngadalëson dinamikën e zgjidhjes së rasteve.

“Pengesë janë kryesisht kushtet e sigurisë. Momenti që të sigurohet objekti dhe të lejohet që ne të shkojmë atje, ne jemi të gatshëm. Por, këtë Këshilli Gjyqësor nuk është duke e bërë një herë për një herë. Do të thotë është e bllokuar në tërësi sistemi i drejtësisë në regjionin e Mitrovicës. S’ka punë fare, është një 10 përqindësh i punëve që kryhen dhe kryesisht merremi me lëndë nga paraburgimi, lëndët e tjera janë në pritje”, sqaron Abazi.

Rikthimi i gjykatësve vendorë në ato institucione është kundërshtuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, të cilët kanë paralajmëruar destabilizimin e situatës në rast të realizimit të një plani për funksionimin e këtyre organeve të drejtësisë.

Aktualisht, në ndërtesën e Gjykatës Komunale dhe asaj për Kundërvajtje të Vushtrrisë, punën e tyre, me sistem rotativ, e zhvillojnë punonjësit vendorë të Gjykatës e Prokurorisë së Qarkut, Gjykatës e Prokurorisë Komunale dhe Gjykatës për Kundërvajtje të Mitrovicës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit