Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, priti sot në një takim Zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, raporton Anadolu agency (AA). Në njoftimin zyrtar nga Presidenca bëhet me dije se Nishani në këtë takim vlerësoi lart krijimin e qeverisë së re të Kosovës, si vendimin me të drejtë dhe me të arsyeshëm për perspektivën e Kosovës dhe për partneritet me miqtë ndërkombëtarë dhe si një tregues të qartë të sfidave që sjell demokracia. “Ky vendim i pjekur i lidershipit politik të Kosovës është një progres në konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe sovranitetin e Kosovës,” – u shpreh Presidenti Nishani. Presidenti Nishani vlerësoi edhe kontributin e Zëvendëskryeministrit Thaçi për afirmimin e një imazhi me vlera pozitive të Kosovës në qendrat e diplomacisë botërore si dhe në trajtimin me maturi të sfidave të brendshme që kalon Kosova. Presidenti theksoi karakterin strategjik të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, të cilat synohet t’i shndërrojmë në marrëdhënie model në rajon, në përputhje me aspiratat për integrime në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Presidenti sugjeroi bashkëpunim më të ngushtë në mes të dy qeverive lidhur me diasporën shqiptare në botë si një pasuri e madhe e kombit shqiptar. Zëvendëskryeministri Thaçi falënderoi për kontributin dhe ndihmën e Presidentit Nishani në konsolidimin dhe çuarjen përpara të marrëdhënieve mes dy vendeve si dhe për përkrahjen dhënë Kosovës dhe institucioneve të saj. Edhe Kryetari i Partisë Demokratike tw Shqipwrisw, Lulzim Basha priti sot në takim zv/Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi. Duke i uruar suksese qeverisë së re të Kosovës, Basha përshëndeti marreveshjen për bashkqeverisje të arritur ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.