Tarifat e Shteteve të Bashkuara mbi mallrat e Kinës, në vlerë prej 34 miliardë dollarësh, hynë në fuqi, duke sinjalizuar fillimin e një beteje të gjithanshme tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
Taksa 25% në importet kineze hyri në fuqi në mesnatë, sipas kohës në Uashington.
Kina u kundërpërgjigj duke vënë tarifë të ngjashme prej 25% në 545 produkte amerikane, gjithashtu me vlerë prej 34 miliardë dollarësh.
Pekini e akuzoi SHBA-në për, siç tha, fillimin e “luftës më të madhe tregtare në historinë ekonomike”.
“Pasi Shtetet e Bashkuara i aktivizuan tarifat e tyre kundër Kinës, masat e Kinës kundër Shteteve të Bashkuara hyjnë në fuqi menjëherë”, tha Lu Kang, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Pekin.
Bart Hordijk, analist i tregut në kompaninë Monex Europe, me seli në Londër, tha se me hyrjen në fuqi të tarifave, “është e qartë se konflikti tregtar është real”.
“Kërcënimet nuk kanë mbetur boshe dhe retorika tregtare e presidentit amerikan, Donald Trump, dëshmon të jetë më shumë sesa një hap që çon drejt negociatave”, tha Hordijk për BBC-në.
Tarifat amerikane janë rezultat i përpjekjeve të presidentit Trump për të ruajtur vendet e punës në SHBA dhe për të ndalur, siç thotë ai, “transferimet e padrejta të teknologjisë amerikane dhe pronës intelektuale në Kinë”.
Shtëpia e Bardhë tha se do të shqyrtojë tarifa edhe për prodhime të tjera të Kinës, në vlerë rreth 16 miliardë dollarë, të cilat, sipas presidentit Trump, mund të hyjnë në fuqi në ditët e ardhshme.
Trump tashmë ka vënë tarifa mbi importet e çelikut dhe aluminit nga Bashkimi Evropian, Meksika dhe Kanadaja.
Ai ka thënë se me këtë veprim synohet të mbrohen interesat e sigurisë kombëtare në SHBA, por, sipas evropianëve dhe të tjerëve, ai është thjesht proteksionizëm dhe thyen rregullat globalë të tregtisë.
Bashkimi Evropian – blloku më i madh tregtar në botë – e ka çuar rastin në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe ka ndërmarrë tarifa hakmarrëse ndaj SHBA-së nga 1 korriku.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se Bashkimi Evropian do të bëjë çdo përpjekje për të shmangur luftën tregtare me Shtetet e Bashkuara, porse edhe Uashingtoni duhet t’iu bashkohet këtyre përpjekjeve.
Sipas saj, funksionimi i mirë i ekonomisë botërore varet nga vendet që punojnë së bashku si partnerë.
Vënia e tarifave amerikane mbi mallrat e Kinës ka pasur pak ndikim në tregjet e aksioneve në Azi – së paku deri më tash. Indeksi Shangai e përfundoi javën me rënie për 3.5 përqind, por kjo është java e shtatë me radhë që mbyllet me humbje.
Tokio u mbyll 1.1% më lart, ndërsa Hong Kong ra 0.5% në tregtimin e vonshëm./REL