Edhe përkundër fushatave e reklamave të shumta të bëra nga Policia e Kosovës me qëllim të vetëdijesimit të shoferëve gjatë vozitjes dhe parandalimin e aksidenteve, numri i aksidenteve në komunikacion ka shënuar rritje.
Përdorimi i telefonave gjatë vozitjes po rrezikon jetën e qytetarëve. Qytetarët thonë për KosovaPress se përdorimi i telefonit nga shoferët gjatë vozitjes duhet të evitohet.
Vetëm brenda këtij viti në Kosovë janë shënuar 60 aksidente në komunikacion, ndërsa janë shqiptuar 207,913 gjoba, ku një përqindje e këtyre gjobave është dhënë për shoferët të cilët përdorin telefonin gjatë vozitjes.
Njohës të sigurisë rrugore dërgojnë mesazh për shoferët me moto “hap sytë në rrugë, mos hap telefonin”.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha për KosovaPress tha se numri i aksidenteve është shqetësuese. Ai ka theksuar se Ligji për Siguri në Komunikacionin Rrugor ia ndalon shoferëve përdorimin e telefonit gjatë vozitjes.
Ligjëruesi i lëndës së drejtës në komunikacion në Kolegjin “Tempulli”, Muhamed Krasniqi për KosovaPress tha se përdorimi i telefonit gjatë ngasjes së veturës është faktorë kontribues në shkaktimin e aksidenteve në komunikacion.
“Realisht përdorimi i telefonave mobil gjatë ngasjes mund të jetë faktorë apo në raste të tjera edhe si faktorë kontribuues në shkaktimin e aksidenteve në komunikacion, për shkak se përdorimi i telefonit mobil në rast të paraqitjes së rrezikut drejtpërdrejt ngadalëson kohën e reagimit marrjen e veprimeve të duhura…Mendoj që këto fushata ndikojnë në rritjen e sigurisë në rrugë. Ne bashkërisht me Policinë e Kosovës kemi lansuar disa fushata të tilla…ndërsa si këshillë e imja do të ishte që “më mirë të hapim sytë në rrugë, se sa të hapim telefonin”, tha Krasniqi.
Përdorim i i telefonit gjatë vozitjes përveç që e rrezikon vetë jetën e shoferit, sipas artistit kosovar Fatmir Spahiu, rrezikon edhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion. Ai tha se edhe vetë e përdor telefonin gjatë vozitjes por që për këtë veprim mundohet të mos e bëjë herë tjetër.
“Shumë, është njëra prej pengesave kryesore në komunikacion në krejt botën jo vetëm te na. Ne si vend jemi kështu që i ekzagjerojmë gjërat, pra e ekzagjerojmë edhe përdorimin e telefonit, e smartfonëve, ku e di unë. Ndonëse e ka lehtësu jetën edhe me pas një smartfonë është si me pas një zyre të vogël me veti por në komunikacion jam i sigurt që nuk është e preferueshme. Ndonëse e zë vetën nganjëherë ndoshta edhe vetë duke e lexuar ndonjë mesazh ose diçka, po mundohem me i ra shumë shpejtë pishmanit edhe me lënë sepse me të vërtet jo vetëm jetën tënde por edhe të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion”, tha Spahiu.
Hoxha nga Policia e Kosovës ka treguar se për tetë muaj të këtij viti, Policia ka shqiptuar 207, 913 gjoba ku një përqindje e tyre është për përdoruesit e telefonit gjatë vozitjes.
“Sa i përket përdorimit të telefonave celular, ligji për siguri në komunikacionin rrugor e ndalon një gjë të tillë, pra shoferit të mjetit motorik gjatë kohës së ngasjes nuk i lejohet përdorimi i telefonit, dhe natyrisht Policia e Kosovës kudo që has këto kundërvajtje ndërmerr masa të nevojshme ligjore.. duke përfshirë shqiptimin e gjobave të parapara sipas ligjit dhe ne vetëm mund të konfirmojmë që në periudhën janar-gusht 2015, Policia e Kosovës ka shqiptuar 207,913, e që një përqindje e caktuar e tyre janë edhe pà «r përdorimin e paligjshëm të telefonit gjatë vozitjes”, tha Hoxha.
Edhe taksisti nga Prishtina, Skënder Maloku tha se përdorimi i telefonit është një nga shkaktarët kryesor të aksidenteve në rrugë. Maloku tha se ai vetë nuk e përdor telefonin.
“Kjo është një nga arsyet kryesore që po shkaktohen aksidentet….Asnjëherë nuk e përdori telefoni në përjashtim kur kemi porosi diçka. Telefoni gjatë vozitjes nuk përdoret. Kur parkona e marrë e këqyri sms ose flas…Për fat të keq nuk është bërë shprehi, por unë nuk e përdori gjatë vozitjes…Për fat të keq e përdorin shumë”, tha Maloku për KosovaPress.
Në periudhën kohore janar- shtator 2014 në Kosovë janë shkaktuar 12.300 aksidente trafiku. Nga këto aksidente si shkaktar përdorimi i telefonave gjatë ngasjes 99 persona kanë humbur jetën nga ta 43 shoferë, 29 pasagjerë, 27 këmbësorë. Kurse, 7.308 persona janë lënduar.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.