Shumica e prindërve të rinj shpesh e pyesin veten nëse pamja, ngjyra që kanë feçet e fëmijës së tyre është normale. Për t’ju dhënë një ide rreth pamjes normale dhe jo normale të feçeve, kemi përgatitur guidën e mëposhtme.
Ngjyra e jashtëqitjes së fëmijës:
1. Feçet e zeza
Gjatë ditëve të para pas lindjes ngjyra e jashtëqitjes do të jetë jeshile në të zezë, e ngjashme me vajin motorik. Këto jashtëqitje përbëhen nga lëngu amniotik, mukusi, qelizat e lëkurës, si edhe përbërje të tjera që bebi ka marrë në barkun e nënës, të cilat nuk kanë aromë. Pas 2-4 ditëve feçet fillojnë të bëhen më të zbehta, gati në ngjyrë ushtarake dhe më pak ngjitëse. Kjo është një shenjë treguese se qumështi i nënës apo i formulës ka filluar të tretet dhe trakti intestinal është në rregull.
2. Jashtëqitja e një fëmije që ushqehet me gji
Nëse fëmija do të ushqehet ekskluzivisht me gji, jashtëqtitjet do të jenë me ngjyrë të verdhë ose jeshile shumë të çelët, si edhe me qëndrueshmëri të butë dhe kremoze, te lëngshme, te ngjashme me një përzierje mustarde dhe gjize, si edhe me aromë jo të keqe. Nëse fëmija ushqehet me gji, brenda normales mund të konsiderohen pamje të ndryshme. Ndryshimi i ngjyrës së jashtëqitjes në jeshile, është tregues se nëna ka konsumuar diçka ndryshe nga ushqimet e dietës së përditshme, dhe nëse fëmija nuk shfaq simptoma të tjera nuk duhet të shqetësoheni. Jashtëqitjet me ngjyrë jeshile te theksuar dhe në formë shkume të ngjashme me algat, tregojnë se fëmija është duke pirë më shumë nga qumështi i fillimit i cili nuk përmban shumë kalori dhe yndyrë. Kjo vjen si pasojë e një qëndrimi jo normal në secilin gji, duke mos arritur të pihet qumështi i fundit, ai që përmban gjithë yndyrën. Duhet t’ju kujtojmë se çdo vakt duhet të nisë me gjirin tjetër, dhe jo me atë që ka përfunduar vakti i mëparshëm.
3. Jashtëqitjet e një fëmije që ushqehet me qumësht formule
Fëmijët që ushqehen me qumësht formule kanë feçe kremoze, me ngjyrë të ngjashme me gjalpin e kikirikut ose në spektrin e kafes, e verdhë në kafe, e gjelbër në kafe, ose bezhë në kafe. Këto jashtëqitje do të jenë më të ashpra se ato të fëmijëve që ushqehen me gji dhe më pak të ashpra se feçet e fëmijëve që ushqehen me ushqime të ngurta, duke pasur gjithshtu edhe një aromë karakteristike.
4. Feçet e një fëmije që po merr një suplement hekuri
Nëse jeni duke i dhënë fëmijës tuaj një suplement hekuri, duhet të dini se feçet mund të jenë me ngjyrë jeshile të errët, gati në të zezë. Kjo nuk ndodh shpesh, por është një variant shumë normal nëse fëmija merr hekur. Nëse feçet e fëmijës kanë ngjyrë gati në të zezë, ndërkohë që ai nuk është duke marrë suplement hekuri, duhet t’i drejtoheni mjekut.
5. Feçet e një fëmije që ushqehet me ushqime të ngurta
Në momentin që do t’i filloni fëmijës ushqimet e ngurta, miell orizi, pure banane etj, do të vini re një ndryshim në feçe, sidomos nëse deri tani fëmija është ushqyer vetëm me gji. Ato kanë tendencë të jenë kafe ose kafe e errët dhe më të trasha se gjalpi i kikiriku, por gjithsesi të buta dhe me aromë të keqe.
6. Feçet e një fëmije që nuk e ka tretur si duhet ushqimin
Ndonjëherë feçet e fëmijës mund të përmbajnë disa pjesë të patretura ushqimi, të cilat mund të jenë me ngjyrë të kuqe, portokalli ose blu të errët. Ngjyra portokalli zakonisht shfaqet nëse fëmija ka konsumuar karrotë dhe bluja nëse fëmija ka konsumuar boronicë. Kjo ndodh kur fëmija zakonisht konsumon ushqime të ndryshme gjatë ditës ose nëse nuk e përtyp si duhet ushqimin. Duhet t’i drejtoheni mjekut nëse tek feçet e fëmijës vihen re copa të plota ushqimi të patretur. Mjeku do të bëjë kontrollin për të parë nëse zorrët e fëmijës janë duke përthithur ushqimin dhe substancat ushqyese në mënyrën e duhur.
7. Feçet e një fëmije me diarre
Tek fëmijët, feçet gjatë diarresë janë shumë të lëngshme, dhe me ngjyrë të verdhë, jeshile ose kafe, të cilat mund të dalin edhe jashtë bebelinës. Diarreja mund të jetë shenjë e një infeksioni ose alergjie, dhe nëse nuk trajtohet mund të shkaktojë dehidratim. Duhet t’i drejtoheni mjekut nëse fëmija është 3 muajsh ose më i vogël, dhe ka pasur 2-3 sekuenca diarreje gjatë ditës. Gjithashtu duhet të shkoni tek mjeku nëse tek feçet vihen re shenja gjaku apo mukusi.
8. Jashtëqitjet e një fëmije me konstipacion (kaspllëk)
Nëse feçet e fëmijës tuaj janë të forta dhe të ngjashme me një guralec, bëhet fjalë për konstipacion apo kapsllëk. Fëmija juaj mund të ndiejë vështirësi në jashtëqitje si edhe mund të ketë shenja gjaku në feçe. Nëse fëmija defekon 3 herë apo më shumë në mënyrë të tillë duhet të shkoni për vizitë tek mjeku. Kjo mund të ndodhë në momentet e para të prezantimit të një ushqimi të ngurtë, mund të jetë shenjë treguese e ndjeshmërisë që fëmija mund të ketë ndaj sojës apo proteinave të qumështit, ose një intolerancë ndaj qumështit të gjirit ose formulës. Doktori mund t’ju këshillojë t’i jepni fëmijës ujë lëng kumbulle.
Çfarë duhet të dimë tjetër rreth jashtëqitjeve?
• Feçet me mukus mund të jenë treguese të një infeksioni ose alergjie tek fëmija.
• Feçet normale me gjurmë gjaku mund të jenë tregues i një alergjie ndaj proteinës së qumështit.
• Feçet e ngurta dhe me gjurmë gjaku mund të shkaktohen nga hemorroidet.
• Diarreja e përzier me gjakun mund të jeta shenja treguese e një infeksioni bakterial.
• Gjaku ndonjëherë mund të shfaqet në ngjyrë të zezë, gjë e cila tregon se është tretur. Kontaktoni mjekun nëse vëreni të tilla simptoma tek fëmija juaj.