1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Ngjarjet më të çuditshme dhe më interesante gjatë vitit 2012:

Më të lexuarat

TURQI – VETËM SHTATË MINUTA NË DITË NË … TUALET!!!

Shtatë minuta është koha maksimale që çdo punonjës mund të shpenzojë në tualet çdo ditë, nëse ky limit tejkalohet atëherë duhet të paguajnë.

Ky ishte njoftimi më i fundit i bërë nga drejtuesit e një fabrike tekstilesh në Stamboll, që sanksiononte pagimin e një ‘takse’ për çdo punonjës që shpenzonte në tualet më tepër se 7 minutat e përcaktuar në ditë, njoftonte e përditshmja ”Birgun”.

Aksesi në tualet kontrollohet nga punëdhënësit përmes një karte të veçantë magnetike.

Kur koha prej shtatë minutash tejkalohet, çdo hyrje në zonën e tualeteve kushton një lirë turke, rreth gjysmë euro.

Çdo muaj kompania, që ndodhet në lagjen Gaziosmanpasa në Stamboll, arkëton rreth 30-40 lira për secilin punonjës.

”Po përpiqemi të mos i përdorim tualetet”, deklaroi një punonjës për ”Birgun”.

”Ndoshta do të kemi probleme më vonë për sa i takon shëndetit, por këto para na duhen”, theksoi ai duke qeshur.

 

ANKARA – KAFEJA TURKE SI PJESË E TRASHËGIMISË KULTURORE TË ‘UNESCO’-s!

Turqia ka aplikuar për pranimin e kafesë së saj të famshme në regjistrin e ”UNESCO”-s për Trashëgiminë e Paprekshme Kulturore, njoftuan media lokale.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, Anadolli, ministria turke e Kulturës po përgatit një peticion zyrtar për organizatën me qendër në Paris, që kjo e fundit ta pranojë kafenë turke, një përbërje e trashë e zezë e përgatitur pa flitrim të materialit pluhur dhe që shijohet më mirë me sheqer, si “një demonstrim të gjallë” të trashëgimisë kulturore të vendit.

Peticioni përfshin po ashtu një kërkesë për një njohje dhe pranim të posaçëm për ”Mesir Macunu”, një preparat mjekësor i përgatitur nga bimët dhe erzat, tepër popullor në qytetin turk të Manisas.

 

ITALI – PROTESTË MBI KUPOLËN E KATEDRALES SË SHËN PJETRIT!!!

Ka fjetur mbi kupolën e Shën Pjetrit një sipërmarrës nga Trieste, i cili dje në Romë u ngjit mbi Kupolën e Madhe për herë të dytë pas dy muajsh.

Marcello Di Finizio, i cili nga ora 17:00 e ditës së djeshme po zhvillon protestën e tij mbi tempullin e krishtërimit, pasi arriti që të hipte përmes njërës nga dritareve deri në majë të një prej Kupolave të Mëdha, ku vendosi edhe një banderolë gjigante ku shkruhej: ”Ndihmë!!! Ndal Montit, ndal Evropës, ndal multinacionalizmave. Po na zhdukni të gjithëve. Zhvillimi??? Kjo është një masakër sociale”.

 

ITALI – POLICIA NË NDJEKJE TË NJË PITONI!!!

Një valë e dukshme paniku përfshiu sot një rajon të Romës, më saktë lagjen Torpignatara, ku dy gjarpërinj të llojit piton, u panë të zvarriteshin nëpër rrugët kryesore të zonës mëngjesin e sotëm, njoftuan pak më parë burime policore italiane.

”Njëri prej dy pitonëve u gjet dhe u kap ndërsa tjetri nuk është gjetur ende”, njoftuan burimet policore.

Burimet po ashtu shtuan se ishte e mundur që pitonët të ishin braktisur tek hyrja e një dyqani kafshësh ekzotike, në orët e para të mëngjesit të sotëm, para se dyqani të hapej dhe veçuan se forcat e policisë ”ishin vënë në ndjekje të pitonit tjetër”.

 

FRANCË – ARRATIA E NJË KANGURI!!!

Një kangur në arrati në Charente, distrikt në lindje të Francës.

”Një ekzemplar kanguri i llojit ualaby, specie me një masë trupore më të vogël se marsupiali australian, u largua nga një fermë private për rritjen e kangurëve dhe u zbulua tek vërdallisej pranë një arteriejeje kryesore të infrastrukturës rrugore të rajonit”, njoftonte e përsitshmja lokale ”Charente Libre”, në faqen e saj të internetit.

Në vendngjarje mbërritën ekipet e zjarrfikësve, duke qenë se banorët u trembeshin incidenteve që kanguri mund të shkaktonte, por pavarësisht disa përpjekjeve të tyre ata nuk arritën ta kapnin.

”Nuk diskutohet që është jashtëzakonisht i lëvizshëm”, tha me ironi një prej zjarrfikësve të angazhuar në ”gjueti”.

Sipas disa dëshmitarëve, kanguri ishte larguar, duke hyrë ”me kapërcime në ajër në një fushe të mbjellë me luledielli”.

Fermat për rritjen e kangurëve ualabi po marrin shumë popullaritet në Francë, falë thjeshtësisë së përkujdesit mjekësor për të cilin ka nevojë kjo lloj specie dhe hapësirës jo të madhe për të cilën ka nevojë.

 

GJERMANI – TETOR ME DËBORË NË SAKSONI, NDODH VETËM 1 HERË NË 40 VJET!

Edhe në Gjermaninë e ftohtë duket se një eksperiencë e tillë ndodhkërka vetëm një ose dy herë në jetë: të bjerë dëborë gjatë muajit tetor.

Fundjavën e kaluar, gjermanët mesa duket u gjendën përballë femomenin ”Dimër”, me të ftohtin mpirës, me rënie drastike të temperaturave, ku në Lindje të vendit ishte rekord prej 20 gradësh, por edhe me mundësinë, që krejt papritur të nxirrnin nga ‘Keller’-i, (kantina në gjuhën gjermane, shën. i përkth.) skitë dhe slitat e borës.

Nga një temperaturë vjeshtore prej 20 gradësh, termometri ka zbritur drastikisht në zero, me reshje të dendura debore, kryesisht në Saksoni.

”Rënia e temperaturave përbën një rekord më vete. Diçka e tillë ndodh vetëm një herë në 40 vjet”, deklaroi meteorologu Christoph Hartmann, për Dpa.

Në rajonin e maleve Erzgebierge, në kufi mes Saksonisë dhe Bohemisë, është regjistruar një nivel reshjesh dëbore deri në 36 centimetra, rekord federal.

Ndërkohë temperatura më e ulët e regjistruar, përgjatë natës së të shtunës, arrinte në -16,9 gradë.

Edhe në Berlin temperaturat kanë pësuar oshilacione të forta nga 5 deri në -3 gradë Celcius, ndërkohë që priten përmirësime.

 

GREQI – PA KUPON FISKAL MUND TË IKËSH NGA RESTORANTI, BARI APO DYQANI EDHE PA PAGUAR!

Ministria greke e Zhvillimit do paraqesë shumë shpejt një normativë në bazë të së cilës klientët e restoranteve, bareve apo të dyqaneve mund të largohen edhe pa paguar për atë çka kanë konsumuar apo blerë nëse më parë nuk marrin një kupon të rregullt tatimor, njoftoi sot e përditshmja greke ”Kathimerini”, e cila shtonte se ”kjo masë e paprecedent është në kuadër të eliminimit të evazionit fiskal dhe mund të vihet në zbatim duke nisur që nga java e ardhshme”.

Në rregullat e reja të tregut që Greqia duhet të verë në zbatim, të cilat janë pjesë e Memorandumit të nënshkruar nga Athina me kreditorët ndërkombëtarë, përfshihet edhe normativa që i jep konsumatorit të drejtën të mos paguajë çka ka konsumuar apo blerë nëse shitësi apo ofruesi i shërbimit apo mallit në fjalë nuk i jep më parë një faturë të rregull tatimore, një kupon që tregon qartë çmimin dhe sasinë e konsumuar apo blerë të një produkti të caktuar.

Për më tepër, gjithmonë në bazë të normativës së sipërpërmendur, bareve dhe restoranteve do t’u duhet ta paraqesin shumë qartë në menunë e tyre këtë të drejtë të konsumatorëve.

 

RUSI – NJË VILË NË FORMË ANIJEJE KOZMIKE PËR NAOMI CAMPBELL

Një vilë e gjitha me ngjyrë të bardhë dhe me formën e një anijeje kozmike, me dy kulla prej 22 metrash lartësi secila, do të ndërtohet në mes të pishave dhe panoramës së Rubliovkas, zona rezidenciale e elitës ruse në periferi në Moskës, kjo është dhurata e ardhshme e dasmës që oligarku rus Vladislav Doronin do t’i bëjë partneres së tij, top modeles Naomi Campbell, sipas tabloidit ”Komsomolskaja Pravda”.

Projekti, aktualisht në fazën e realizimit, mban firmën e arkitektetes së famshëm me origjinë irakiane Zaha Hadid, që ka realizuar edhe projektin e muzeut Maxxi në Romë.

Vila, me vetrata të mëdha xhami dhe veshje të brendshme prej druri, do të jetë e pajiur me pishinë, palestër, banjo turke dhe ruse, ndryshe e quajtur Hamam.

Kostoja nuk është ende e qartë por banesa më e shtrenjtë në zonën Rubliovka kushton rreth 74 milionë dollarë.

 

AUSTRI – NJË SHOFER I RIKTHEN GJYSHES … 390.000 EURO!

Ndodh në Vjenë, ku një drejtues autobusi linje të zakonshme shndërrohet në ”engjëllin mbrojtës” të një gjysheje duke i rikthyer asaj 390 mijë euro.

Në stacionin e fundit të linjës Wolfgang R. kishte vënë re një çantë plot me kartmonedha që ishte braktisur në ndenjësen pas vendit të drejtuesit të autobusit dhe ka njoftuar menjëherë policinë.

Falë një shenje dhe fature bankare të gjetur në brendësi të çantës u lokalizua pronarja e saj, që rezultoi të ishte një grua e moshuar, e cila u tregoi forcave policore se e kishte harruar çantën me të gjitha kursimet e jetës së saj në autobus.

 

BRITANI – ALO, SI ËSHTË KATE? JAM… MBRETËRESHA!

Një femër që prezantohet si vetë Mbretëresha Elisabeta II, gjatë një telefonate në spitalin ”King Edward VII” në Londër, ku që prej të hënës ndodhet Kate Middleton, ka arritur të informohet me hollësi mbi gjendjen shëndetësore të Dukeshës së Kembrixhit.

Ky episod ka shkaktuar një alarm të pazakontë dhe ishte shtysë për verifikime të rrufeshme të shërbimeve të sigurisë, të cilët po përpiqeshin të kuptonin se si stafi i spitalit privat arriti të binte viktimë e një kurthi të tillë, të organizuar nga një radio australiane.

”King Edward VII” është spitali ku marrin ndihmën mjekësore e gjithë familja mbretërore, ndaj rredhimisht, standartet e sigurisë dhe garantimi i privacisë janë jashtëzakonisht të larta.

Megjithëse e konfirmuan të gjithë ngjarjen, zyrtarët e lartë të insitucionit të shëndetësisë kanë garantuar se kujdesi dhe vëmendja do të jetë në një nivel të jashtëzakonshëm që sot e tutje, pavarësisht kësaj nuk është bërë asnjë koment nga pallati mbretëror apo nga zëdhënësit e William dhe Kate.

 

ZELANDË E RE – MIQTË TANË ME KATËR PUTRA I PËRSHËNDESIM NË TIMON!

Në Zelandën e Re, edhe miku më i mirë i njeriut që ka katër putra mund të drejtojë një automjet, falë një programi të posaçëm.

Mark Vette, përgjatë dy muajve, u mësoi tre qenve si të drejtonin një automjet duke treguar qartë se sa talent kishin kafshët e braktisura.

Ideja erdhi nga një agjenci publiciteti, “DraftFCB” të cilës marka e automjeteve “Mini” i kërkoi një fushatë për të luftuar paragjykimet ndaj qenve të braktisur.

Porter, Monty dhe Ginny mësuan të ulen mbi sediljen e drejtuesit.

Qentë filluan trajnimin e tyre në një automjet lodër, në mënyrë që të mësoheshin me komandat bazë, para se të hipnin mbi një veturë të vërtetë.

Mark Vette theksoi se fillimisht ishte e pabesueshme, por “nxënësit” përballuan sfidat.

 

KINË – MBI 100 MILIONË KOPJE BIBLASH TË BOTUARA NGA E NJËJTA SHOQËRI!

Kina është bërë vendi i parë në Botë për sa u takon biblave të boturara, njoftoi sot agjencia kineze e lajmeve Hsinhua, që theksoi po ashtu stampimin e kopjes së 100 miliontë të një bible në Nanchino, qytet lindor kinez, ku ndodhen zyrat qendrore të të vetmes tipografi të autorizuar në vend për shtypjen e Bibilave.

Kompania ”Amity PrintingCo.Ltd” ka njoftuar, përmes presidentit të saj Qiu Zhonghui, se kishte realizuar edhe shptyjen tipografike të ekzemplarit të 100 miliontë të një blible, në muajin korrik.

Kjo shoqëri është një ”joint venture” mes një fondacioni kinez dhe ”United Bible Societies” dhe boton kopje biblash që prej vitit 1998, me në thelb një mostaksim sipas një politike specifike të qeverisë kineze.

 

ZBULOHET ÇOKOLLATA 2 500 VJEÇARE

Në gadishullin Jukatan të Meksikës janë gjetur mbetjet e një çokollate 2 500-vjeçare.

Arkeologët kanë gjetur mbetjet e çokollatës nga fisi Maja në një pjatë.

Dihet se Majat çokollatën e përdornin si një pije freskuese, ndërsa ky zbulim tregon se ata çokollatën mund ta përdornin si salcë në ushqime.

Ky zbulim i bërë nga Institucioni Kombëtar Antropologjik dhe Historik i Meksikës, ndryshoi mendimin se çokollata në kulturat para hispanike përdorej si pije.

Besohet se këto lloj pijesh, të cilat përgatiteshin nga kokrrat dhe lëkura e kakaos, gatuheshin duke i shtypur kokrrat e kakaos dhe duke i përzier me lëngje ose me fermentimin e lëkurave të mbetura nga kokrrat e kakaos, dhe kjo pije u shërbehej personave të zgjedhur.

Arkeologu Tomas Gallareta u shpreh në një deklaratë: ”Për herë të parë u gjet kakaoja në pjatën e ushqimit. Nuk është e mundshme që kakaoja ishte në pjata për t’u bluar, sepse për bluarjen e kokrrave të kakaos majat përdornin gurë të mullirit e jo pjata”.

 

FJALA MË E KËRKUAR NË INTERNET GJATË ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE ISHTE… ”SOCIALIZËM”!

Fjala “socializëm” e ndjekur nga ajo “kapitalizëm” ka qenë fjala më e kërkuar në faqen e internetit të një fjalori reference duke arritur kulmin gjatë fushatës presidenciale, njoftoi grupi amerikan Merriam-Webster.

“Ne kemi parë një rritje të ndjeshme të kërkimeve në internet për fjalën ”socializëm” ditën e zgjedhjeve, por interesi për të dy fjalët nuk mund të mohohet gjatë gjithë vitit”, theksoi Peter Sokolowski, editorialisti i fjalorit më të rëndësishëm amerikan që publikon çdo vit 10 fjalët e vitit.

Për CBS NEWS, Sokolowki theksoi se piku i kërkimeve ka qenë veçanërisht gjatë debateve për reformën në shëndetësi, paraqitur nga presidenti amerikan, Barack Obama, që opozitarët e gjykojnë si frymëzim socialist.

“Është interesante të shikosh sesi një fjalë magjeps përdoruesit pas një debati apo një fjalimi”, sipas John Morse, president i Merriam-Webster duke shtuar se është e dukshme që për fjalën ”socializëm” dhe ”komunizëm” njerëzit shikojnë fjalorin për të kuptuar komentet.

 

PRESIDENTI AMERIKAN FESTON 20-VJETORIN E MARTESËS ME… KRAHË PULE DHE HAMBURGERA!

Presidenti amerikan, Barack Obama ftoi dje bashkëshorten e tij, Michelle në një restorant në Uashington, për të festuar 20-vjetorin e martesës, që nuk kishin mundur ta festonin për shkak të debatit kundër Mitt Romneyt.

Çifti Obama festuan ngjarjen në restorantin ”Bourbon Steak” në Georgetown, ku kaluan dy orë para se të ktheheshin në Shtëpinë e Bardhë.

Restoranti ofroi mish dhe krahë pule me gjalpë si dhe hamburgera të mëdhenj të shoqëruar me patate të skuqura, një menu shumë larg ushqimit të ekuilibruar, me fruta dhe perime, për të cilën lufton zonja e parë amerikane.

Njëzet vjetori i martesës së çiftit Obama përkoi me ditën e debatit të parë presidencial mes Barack Obamës dhe kundërshtarit të tij republikan, Mitt Romney.

Michelle Obama ishte shprehur se të marrësh pjesë në një debat presidencial, ishte mënyra më e keqe për të festuar 20-vjetorin e martesës.

 

SULEJMANI I MADHËRISHËM ”NDËRTON” NJË URË NË KROACI!

Popullariteti në Kroaci për një serial televiziv turk që flet për personazhin historik të sulltanit i ashtuquajtur Sulejmani i Madhërishëm ka kontribuar për projektin e rikonstruktimit të një ure në lindje të vendit, theksoi sot zyrtari i një shoqërie.

“Ky mund të jetë momenti më i mirë për idenë tonë. Edhe pse ne nuk kemi qenë në dijeni të transmetimit të këtij seriali në momentin kur ne kemi hartuar projektin tonë, ai na ka ndihmuar për të tërhequr mbështetjen dhe interesin për urën”, deklaroi Sinisha Maurus, nga Shoqata e Miqësisë Turko-Kroate në Osijek.

Seriali ”Sulejmani i Madhërishëm” që flet për jetën e sulltanit, transmetuar në stacionin televiziv RTL që prej disa javësh, është bërë shumë popullor në Kroaci.

Sulltani ka qenë nga viti 1520 deri në vitin 1566 në krye të Perandorisë Osmane që ka mbretëruar në Ballkan prej rreth pesë shekujsh.

Ura prej druri në Osijek e quajtur Sulltan Sulejman, rreth tetë kilometra e gjatë u ndërtua nën urdhërat e tij gjatë kohës që Perandoria Osmane kontrollonte këtë rajon.

Ajo kalonte në lumin Drava për të lidhur Osijekun me fshatin Darda.

Ura u shkatërrua në vitin 1686 nga ushtria e Habsburgëve, që ndaloi sundimin e turqve në territorin aktual të Kroacisë.

Ky projekt u mbështet nga këshilli turistik lokal si dhe ambasada turke në Kroaci.

 

PUTHJA E DORËS SË MERKELIT NGA TUSK IRRITON POLAKËT?!

Një fotografi, ku kryeministri polak, Donald Tusk i puthdorën kancelares gjermane, Angela Merkel, gjatë një takimi pune në Këshillin Evropian, ka irrituar qytetarët polakë, njoftoi sot media çeke.

Shumica e polakëve konsideron se fotografitë në mënyrë të përkryer pasqyrojnë simbolikën e asaj se ku gjendet fuqia e Evropës.

”Edhe pse etika thotë se me përkulje ndaj dorës së femrës, mashkulli vetëm sa e bën puthjen në mënyrë simbolike, ndërkohë që në të vërtetë nuk ka kontakt me lëkurën, polaku i ‘nxehtë’ nuk i respektoi rregullat shoqërore”, komentojnë polakët.

Në këtë rast shtohet se është plotësisht e papëlqyeshme që Tusk puthi dorën e Merkelit duke treguar me këtë se ajo qëndron në krye të Evropës së shqetësuar.

Në media gjithnjë e më shpesh po zë vend ideja se Merkeli dhe presidenti francez, Nikolas Sarkozy vendosin për fatet e Bashkimit Evropian.

 

HUNGARI – LLOJI I RI I TURIZMIT? AI… STOMATOLOGJIK!

Vitin e kaluar rreth 70 000 turistë perëndimorë shkuan në Hungari për të rregulluar dhëmbët e tyre duke paguar për stomatologët hungarezë një shumë me vlerë 240 milionë euro, njoftoi sot gazeta e përditshme hungareze e biznesit ”Napi Gazdasag”.

”Pjesa më e madhe e turistëve, të cilët pohuan se kursenin rreth 2 500 euro duke u kuruar në Hungari, ishin nga Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Franca”, tha gazeta.

”Rreth 90 për qind e tyre bënë implantime dhëmbësh apo zëvendësime të tyre”, shtoi ajo.

Gjatë 15 viteve të fundit, Hungaria është bërë lider i tregut evropian të turizmit stomatologjik.

 

KËRKON TË DOBËSOHESH? HA NË PJATË… TË KUQE!?

Duket absurde, por një grup kërkuesish gjermanë dhe zviceranë tregojnë se të hash dhe të pi në pjata apo gota me ngjyrë të kuqe të ndihmon të dobësohesh.

Sipas tyre, ngjyra e kuqe ndikon drejtpërdrejtë në oreksin tonë.

Shumë kërkime dhe studime japin këshilla sesi mund të humbim disa kilogramë apo çfarë të hamë që të mos shtojmë në peshë, por ka edhe nga ata që thonë se ngjyra e pjatës ndikon në sasinë e ushqimit që konsumojmë.

Në pjesën e parë të studimit, u është kërkuar 41 studentëve meshkuj të pijnë çaj në filxhanë të kuq dhe blu.

Rezultati ishte se ata që përdorën filxhanët e kuq, pinë 40 për qind më pak se ata që përdorën filxhanët blu.

Në pjesën e dytë të studimit, 109 personave iu dha të hanin në pjata me ngjyrë të bardhë, të kuqe dhe blu.

Kush kishte pjatën e kuqe hëngri më pak se të tjerët.

Shkencëtarët mendojnë se njerëzit, në mënyrë të pandërgjegjshme, e lidhin të kuqen me rrezikun ose me diçka që nuk është e lejueshme.

 

PAS KRIZËS SË NAFTËS PASON AJO E… ÇOKOLLATËS?!

Bota mund të përballet me një krizë në furnizimin me çokollatë, si rrjedhojë e paqëndrueshmërisë politike e ekonomike në zonat ku prodhohet kakaoja dhe rritjes së madhe të kërkesës nga vendet në zhvillim.

Profesori David Guest, i Universitetit të Sidnejt, paralajmëron se, nëse nuk do të gjendet një mënyrë për të modernizuar në mënyrë të menjëhershme procesin e konvertimit të kokrrave të kakaos në çokollatë, atëherë kërkesa botërore për këtë produkt nuk do të përballohet më nga prodhuesit duke nisur që nga viti 2020.

Aktualisht, rajonet ku prodhohet kakao renditen mes më pak të zhvilluarave në botë dhe fermerët përballen me sfida të shumëfishta, për kultivimin e bimës, ndërsa ka shumë pak gjasa që prodhimi të arrijë të rritet në mënyrë të ndjeshme, pa e vendosur këtë treg si përparësi në shumë shtete.

Aktualisht, kakao rritet në zonat e Afrikës Perëndimore, Amerikës së Jugut, Azisë Juglindore dhe Paqësorit, të gjitha në zona të kërcënuara nga ndryshimet klimaterike, paqëndrueshmëria politike, epidemitë dhe brejtësit e pakontrolluar.

Aktualisht, në një vit prodhohen 3,6 milionë tonë çokollatë, por në mënyrë që të përballohet rritja e pritur e kërkesës kineze deri në 2012, do të nevojitet që prodhimi të rritet edhe me një milion ton më shumë.

 

NJË KOMPJUTER ”APPLE” I VITIT 1976 SHITET… 374 000 DOLLARË!

Kompjuteri i parë i tipit “Apple”, i prodhuar në vitin 1976 dhe që është ende në gjendje pune, u shit në një ankand për 374 000 dollarë, thënë ndryshme 500 herë më shumë sesa kostoja origjinale e tij.

Kompjuteri është blerë nga një ofertues anonimin në shtëpinë e ankandit ”Sotheby’s”.

Ai ishte një nga 200 kompjuterët e ideuar nga themeluesit e ”Apple”, Steve Jobs dhe Steve Vozniak dhe një nga 50 të tillët që ekzistojnë ende.

Në vitin 2010, një koleksionist italian ka paguar 212 000 dollarë për një ”Apple 1”, që u shit me letrën shoqëruese të prodhimit origjinal, nënshkruar nga Jobs.

 

”SUN”: SHUMË BRITANIKË MENDOJNË SE EVERESTI GJENDET NË… VENDIN E TYRE?!

Nëse zbulimet tronditëse janë për t’u besuar, atëhere më shumë se një britanik në pesë është në kuptimin e plotë të fjalës injorant përsa i përket gjeografisë së vendit të tij, shkruante sot botimi elektronik i tabloidit anglez ”The sun”.

”Një në 20 persona nuk e di se Stonehenge ndodhet në Britaninë e Madhe dhe një pjesë e madhe e tyre besojnë se Everesti (maja më e lartë e botës që gjendet në Nepal – shën. përkth.) ndodhet në vendin e tyre”, thekson tabloidi.

”Rreth gjashtë persona të rritur në 10 besojnë se maja më e lartë në Britaninë e Madhe është Ben Nevis, Snowdon apo edhe Everesti”, thekson ”The sun”.

 

iPAD EDHE PËR… ORANGUTANGËT!

Në një kopsht zoologjik në Majami kanë filluar të bëhen disa eksperimente të veçanta me orangutangët, të cilëve u mundësohet shfrytëzimi i iPad-eve si mjete komunikimi.

Sipas ekspertëve, qëllimi i eksperimentit është që të ndihmojnë në tejkalimin e dallimeve mes njerëzve dhe majmunëve.

Programi që e përdorin orangutangët është i dedikuar për personat autistë, ndërsa në ekran shfaqen fotografi dhe objekte të ndryshme.

Një person thotë emrat e objekteve, ndërsa majmuni duhet ta shtypë butonin se për cilin objekt bëhet fjalë.

Punonjësit në këtë eksperiment thonë se orangutangët janë shumë të mençur, mirëpo paaftësua e tyre për të folur i kufizon në shfaqjen e inteligjencës.

”Përdorimi i iPad-eve u jep mundësinë që të tregojnë se çfarë dinë, çfarë janë në gjendje të bëjnë dhe çfarë duan”, theksojnë ekspertët.

 

NË NJË BAR VJENEZ MUND TË POROSITËSH KAFE DHE… MACE?!

Një kafe dhe një mace ju lutem!

Pasi tani është krijuar mundësia që të pish një kafe dhe në të njëjtën kohë të ledhatosh apo të luash me një mace.

Kjo bëhet e mundur në një lokal në Vjenë, që është hapur së fundmi, dhe që mban emrin “Neko Caffe”.

Lokali është hapur nga Alexander Thuer dhe bashkëshortes së tij japoneze, Takako Ishimitsu, ndërkohë që “neko” në japonish do të thotë “mace”.

Protagonistë të padiskutueshëm të lokalit janë pesë mace të marra nga një qendër strehimi kafshësh në Vjenë dhe që janë gati të tërheqin vëmendjen e klientëve.

Ato quhen Sonja, Thomas, Moritz, Luca dhe Momo.

 

NËNA MË E RE NË BOTË? 10 VJEÇE!

Një 10-vjeçare në Kolumbi është shndërruar në nënën më të re të njohur në historinë e njerëzimit, pasi lindi një vajzë të shëndetshme gjatë kësaj fundjave, njoftuan burime të ndryshme.

Megjithatë, mosha shumë e re e nënës ka skandalizuar opinionin publik shumë përtej vendit latinoamerikan.

Pjesë e një fisi indigjen që jeton në një zonë rurale, vajza e quajtur Vaju u paraqit për herë të parë tek mjeku vetëm në momentin që po lindte.

Ajo nuk e dinte se çfarë po ndodhte me trupin e saj dhe u detyrua të udhëtonte deri në qytet për shkak të dhimbjeve të forta si rrjedhim i kontraktimeve.

Duke gjykuar rrezikun e madh të përballjes së trupit të saj me një lindje të zakonshme, mjekët vendosën të realizonin një ndërhyrje cesariane, të cilën 10-vjeçarja dhe foshnja e saj e kaluan me sukses.

Ndonëse policia kolumbiane mund të ndjekë babain e foshnjes për marrëdhënie seksuale me të mitura, ka vendosur mos ta bëjë diçka të tillë, pasi krahina nga e cila vjen nëna më e re në botë ka disa të drejta të zgjeruara autonomie, që i lejojnë të ruajë kulturën e veçantë rurale.

Mosha e babait është shndërruar në një objekt spekulimi në mediat kolumbiane, me disa media që e raportojnë 15 vjeç dhe të tjera 30.

 

BRITANI – SI DO TË QUHET FËMIJA MBRET?

Lajmi për shtatzaninë e Kate Middleton ka pushtuar botën dhe të gjithë britanikët janë të gëzuar për shtimin e familjes mbretërore, edhe pse emri i ardhshëm i fëmijës së Kate dhe William po shndërrohet në obsesion për ishullorët.

Pikat e basteve kanë publikuar emrat me koeficientët e tyre përkatës sesi do të quhet foshnja.

Pa marrë parasysh a është djalë apo vajzë, emrat e mundshëm janë John, Robert, Charles, Frances, George, Louis, Richard, Anne, Maria dhe Carole.

Fëmija e çiftit mbretëror do të jetë në fron, pavarësisht se lind vajzë apo djalë.

“Nëse duka dhe dukesha bëhen prindër të një vajze, ajo mund të jetë një ditë mbretëreshë”, tha kryeministri David Cameron.

Ai ose ajo do të jenë një ditë në krye të ushtrisë, Kishës së Anglisë dhe Commonwealth-it.

 

SMS-ja FESTON 20-VJETORIN! 

Ishte urimi i teknikut të ”Vodafone”-t, Neil Papworth drejtuar shefit të tij të zyrës që hapi kështu, 20 vite më parë epokën e mesazheve në celular.

Ky ishte testi i parë i sms-së, akronim për Short Message Service, në histori, i dërguar më 3 dhjetor 1992, në Britaninë e Madhe.

Ky shërbim pati një sukses të jashtëzakonshëm duke e bërë botën të komunikonte shkurt si edhe për të kursyer telefonatat.

Gjatë vitit 2011, në Itali janë dërguar 89 miliardë sms dhe vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë dërguar 48 miliardë.

Për mesazhin e parë sms, Papworth përdori një kompjtuer dhe e dërgoi në celularin e rrjetit GSM Vodafone, ndërkohë sms-ja e parë nga celulari në celular u realizua në vitin 1993 nga Nokia.

 

IRAN – KURANI MË I VOGËL NË BOTË? 7 MM X 3 TË MIJTAT E MILIMETRIT!

Kurani më i vogël në botë pa sot ditën e botimit, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve, Mehr, duke bërë të ditura edhe përmasat e tij që janë 7 mm X 3 mikrometra (një mikrometër e barabartë me një të mijtën e milimetrit – shën. përkth.).

”Ky Kuran u prodhua në provincën e Hamedanit dhe është shkruar mbi një sipërfaqe silikoni”, shtoi agjencia.

”Teksti u shkrua nga R. Sharifi me teknikën e rrezeve lazer. Faqet e tij mund të lexohen vetëm me mikroskop”, shtoi Mehr.

 

EMRI MË I GJATË NË BOTË? 116… FJALË!

Down McManus, një 41-vjeçare amerikane, ka premtuar ta ndryshojë emrin për të nxitur mbledhjen e sa më shumë fondeve për shoqatën e saj jofitimprurëse, që e ka themeluar pas vdekjes së të birit.

”Jam e bindur se emri im i ri, që përfshin brenda tij të gjithë njerëzit që ndihmuan në veprat e mia të bamirësisë, do të jetë më i gjati në botë”, thotë McManus.

”Plot 116 fjalë”, vazhdon ajo.

Ja edhe emri i saj i plotë:

Red Wacky League Antlez Broke the Stereo Neon Tide Bring Back Honesty Coalition Feedback Hand of Aces Keep Going Captain Let’s Pretend Lost State of Dance Paper Taxis Lunar Road Up Down Strange All and I Neon Sheep Eve Hornby Faye Bradley AJ Wilde Michael Rice Dion Watts Matthew Appleyard John Ashurst Lauren Swales Zoe Angus Jaspreet Singh Emma Matthews Nicola Brown Leanne Pickering Victoria Davies Rachel Burnside Gil Parker Freya Watson Alisha Watts James Pearson Jacob Sotheran Darley Beth Lowery Jasmine Hewitt Chloe Gibson Molly Farquhar Lewis Murphy Abbie Coulson Nick Davies Harvey Parker Kyran Williamson Michael Anderson Bethany Murray Sophie Hamilton Amy Wilkins Emma Simpson Liam Wales Jacob Bartram Alex Hooks Rebecca Miller Caitlin Miller Sean McCloskey Dominic Parker Abbey Sharpe Elena Larkin Rebecca Simpson Nick Dixon Abbie Farrelly Liam Grieves Casey Smith Liam DowningBen Wignall Elizabeth Hann Danielle Walker Lauren Glen James Johnson Ben Ervine Kate Burton James Hudson Daniel Mayes Matthew Kitching Josh Bennett Evolution Dreams…

Nuk mbaron këtu!.

 

TRE VËLLEZËR NORVEGJEZË JANË LINDUR MË… 29 SHKURT!

Edhe pse ka tre djem, ditëlindjet në familjen norvegjeze Henriksen janë të rralla për një arsye të jashtëzakonshme, pasi të tre vëllezërit janë lindur më 29 shkurt, një datë që shënohet vetëm një herë në katër vjet në kalendarin gregorian.

Të ardhur në këtë botë në 1960, 1964 dhe 1968, Heidi, Olav dhe Leif-Martin ndodhen në Librin e rekordeve Guinness si e vetmja familje ku të gjithë fëmijët janë lindur më 29 shkurt.

“Të tre djemtë kanë qenë të mirëseardhur në këtë jetë”, tha nëna e tyre, Karin Henriksen për radion publike norvegjeze, NRK, pa dashur të jepte ”sekretin” për këtë.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit