0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Nga shtrëngimi i duarve te negociatat

Më të lexuarat

Nisja e një procesi të ri bisedimesh në nivele të larta politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në kohën kur në Kosovë Qeveria ka një shumicë tejet të brishtë, ndërkohë që janë thelluar edhe disa çarje te partia më e madhe në pushtet, megjithatë nga Partia Demokratike nuk shihen si pengesë dhe hendikep.

Zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, thotë se kryeministri Hashim Thaçi po përfaqëson interesat e shtetit duke përfillur Kushtetutën e vendit.

Ndërkaq, lidhur me polemikat në rritje përbrenda PDK-së, Kuçi thotë se kjo parti është mirë dhe gjithçka po zhvillohet në përputhje me debatet normale demokratike.

“Kryeministri do t’i kryejë obligimet e veta duke përfaqësuar vendin sipas Kushtetutës dhe ligjeve tona, duke respektuar edhe Rezolutën e Kuvendit. Kryeministri nuk ka fobi që të takohet me askënd dhe, po ashtu, duhet ta them që Kosova nuk ka turp që të takohet me askënd tjetër”, deklaron Kuçi.

Para fillimit të procesit të bisedimeve në nivele të larta politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që edhe ashtu paramendohej të niste me një takim formal ndërmjet dy kryeministrave, spektri politik në Prishtinë kryesisht mbështeste tezën se do të duhej ndërtuar edhe një platformë unike politike.

Megjithatë, duket se kryeministrit dhe Qeverisë i ka mjaftuar edhe rezoluta për normalizimin e raporteve me Serbinë e miratuar të enjten nga Kuvendi dhe e kundërshtuar kryesisht vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nga partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri thotë se Rezoluta paraqet vullnetin politik për normalizim të marrëdhënieve, kurse platforma e bisedimeve është diçka që përcaktohet nga Kuvendi dhe konsensusi politik ndërmjet partive politike në vend.

Derisa mbështet dialogun si mekanizmin më të mirë për normalizimin e raporteve, LDK-ja, potencon ai, nuk mbështet asnjë proces bisedimesh që kanë të bëjnë me rregullimin dhe çështjet e brendshme të Kosovës.

“Tash, si opozitë dhe si parti udhëheqëse e opozitës, ne qëndrimin e kemi bërë të qartë që me Serbinë nuk kemi nevojë të dialogojmë për kushtet që Kushtetuta i definon, për rregullat që janë vendosur tashmë dhe në veçanti që të mos lejohet që për çështje të brendshme të bisedohet me askënd”, thotë Haziri.

Sidoqoftë, takimi inicial me shtrëngim duarsh ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Ketrin Eshton, pritet që të pasohet me takime tjera ku mund të hapen edhe tema të ndjeshme politike, ndër të cilat edhe ajo e veriut të Kosovës, për ç’gjë shumë nga zyrtarë të lartë perëndimorë po kërkojnë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë që nuk cenon integritetin dhe tërësinë e Kosovës.

Andaj, besohet se vetëm atëherë do të shihet nëse Qeveria do ta ketë mbështetjen e nevojshme politike për një proces të tillë negociatash, apo do të kërkohet një formë tjetër e përfaqësimit konsensual të Kosovës në atë proces që besohet se do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian me asistencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit