0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Nga Shpend KURSANI: Një përgjigje e detyruar për Stephen Shwartz-in

Më të lexuarat

Një përgjigje ndaj vështrimit kritik që Stephen Shwartz ka bërë për raportin e fundit të QKSS-së për kosovarët që luftojnë në Siri dhe Irak i është dërguar “The Weekly Standard”-it, ku z. Shwartz ka botuar fillimisht vështrimin e tij kritik për raportin. Përgjigjja i është dërguar me 30 prill 2015, mirëpo “The Weekly Standard” nuk e ka botuar atë, por as ka dhënë ndonjë arsye për këtë. Autori i raportit në fjalë ka tentuar t’i kontaktojë ata përsëri nëpërmjet e-mail-it më 7 maj 2015, mirëpo sërish nuk pati përgjigje. Autori i raportit ka telefonuar dy herë në zyrat e “The Weekly Standard”-it, në Washington D.C., më 13 maj 2015, mirëpo askush nuk është përgjigjur. Si rezultat, po e botojmë këtu përgjigjen e Shpend Kursanit (autorit të raportit) drejtuar Stephen Shwartz-it, tekstin e të cilit mund ta gjeni më gjerësisht më poshtë.
 
Përgjigje vështrimit kritik që Stephen Shwartz ka bërë për raportin e QKSS-së për kosovarët që luftojnë në Siri dhe Irak
 
Stephen Shwartz, themeluesi i Qendrës për Pluralizëm Islamik, ka botuar më 20 prill 2015 vështrimin e tij kritik për raportin “mbi shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak“, i shkruar nga unë dhe i botuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS). Një vështrim kritik mbi një raport të tillë të gjerë ishte shumë i nevojshëm. Mirëpo, fatkeqësisht, vështrimi i z. Shwartz ka dështuar që t’i trajtojë në mënyrë të sinqertë boshllëqet e mundshme të studimit, dhe, në vend të kësaj, është njollosur me një numër shkarjesh argumentuese, e në shumicën e rasteve nuk ia ka dalë të paraqesë prova për shumë nga pohimet e bëra.
 
Vitin e kaluar, Sean Hannity i Fox News-it ka pritur për mysafir Cornel West-in, një intelektual publik amerikan, për të folur në lidhje me konfliktin mes Izraelit dhe Gazës. Pas shumë mospajtimeve me Cornel West-in, siç mund ta paramendojë dikush, Sean Hannity i dha fund emisionit duke i thënë West-it, “Nuk e di pse më pëlqen, por më pëlqen. Më pëlqen, nuk kam çka të bëj për këtë.” Është saktësisht ky skenar i këtij emisioni që m’u kujtua kur me kujdes lexova vështrimin e z. Shwartz, i cili ndiqte logjikën si në vijim: “Nuk e di pse nuk pajtohem, por nuk pajtohem. Nuk pajtohem, nuk kam çka të bëj për këtë.”
 
Kur shihet numri i luftëtarëve të huaj që u janë bashkangjitur nga çdo shtet një numri grupesh rebele në Siri, shumë raporte, kryesisht të bëra nga institute të hemisferës perëndimore, përdorin numrin e luftëtarëve të huaj për frymë popullsie për renditjen në mënyrë të saktë të shteteve të prekura nga ky fenomen. Përveç renditjes së shteteve në bazë të kësaj logjike, QKSS-ja ka ndërmarrë edhe një hap më shumë, duke bërë renditjen e shteteve në bazë të numrit të luftëtarëve të huaj për frymë popullsie në përpjestim me popullsitë e tyre respektive myslimane. Z. Shwartz citon me të drejtë argumentimet e raportit se pse është përdorur kjo logjikë për renditjen e shteteve, mirëpo, në vështrimin e tij kritik, ai pohon se kjo është kontradiktore, duke mos dhënë asnjë argument të vetëm për një pohim të tillë; thjesht thotë se “s’ka befasi këtu”. Megjithatë, dikush do të befasohet, ngaqë z. Shwartz nuk jep asnjë argument të vetëm për ta mbështetur pohimin e tij kur thotë se kjo është kontradiktore.
 
Duket se qëllimi kryesor i z. Shwartz është të demonstrojë se raporti gjoja është shfajësues ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit fetar. Për ta bërë këtë, për shembull, z. Shwartz citon raportin si në vijim, “idetë e dhunshme ekstremiste në Kosovë janë përqafuar nga një grup i vogël njerëzish, në krahasim me numrin e popullsisë”, dhe, duke u përpjekur ta mbështesë argumentin e tij, ai e lë pjesën vijuese të fjalisë jashtë citimit, i cili në raport vijon me “… duke pasë parasysh parimet e tyre ideologjike, ata ende mund të përbëjnë një kërcënim për institucionet shtetërore dhe qytetarët e saj”. Një vërejtje tjetër që jep z. Shwartz është se ai thotë që “dokumenti përdor DeLong-Bas-in shumë shpesh për ta përmirësuar imazhin e vehabizmit”.
 
Këtu, z. Shwartz bën shkarje argumentuese ad-hominem, sepse ai nuk merret me gjetjet e DeLong-Bas-it, por e etiketon atë si “akademike famëkeqe amerikane, shfajësuese e vehabizmit”. Po ashtu, nëse dikush e lexon raportin me kujdes, DeLong-Bas-i është e vetmja akademike e cila citohet si burim  në mesin e shumë burimeve tjera që përdoren në raport, e që kanë qëndrime negative ndaj Vehabit dhe vehabizmit. Raporti e ka përdorur DeLong-Bas-in si biografe të Vehabit nga Universiteti Georgetown në Washington D.C., edhe pse ka shumë akademikë perëndimorë të tjerë të cilët kanë shkruar gjerësisht mbi mitet që e rrethojnë Vehabin si individ, dhe jo vehabizmin si lëvizje; e ka dallime të mëdha mes këtyre të dyjave. Përdorimi vetëm i një burimi, i cili nuk ka qasje negative ndaj Vehabit, në mesin e shumë burimeve tjera në raport që kanë qëndrime negative ndaj Vehabit dhe vehabizmit, paraqet në fakt një dëm të madh në qasjen shkencore të raportit. Ndoshta është dashur të përdoren “DeLong-Bas”-ë të tjerë perëndimorë për t’i balancuar burimet pozitive dhe negative mbi Vehabin. Kështu që pikëpamjet e z. Shwartz mbi Vehabin – pra, ato negative – janë shumëfish të përfaqësuara në raport kur krahasohen me burimin e vetëm që ka pikëpamje pozitive ndaj Vehabit, me të cilin ai lobon për t’i mbështetur pohimet e tij për raportin. Mbetet e panjohur pse z. Shwartz nuk merret me pikëpamjet e tij mbi Vehabin, pra, ato negative, që paraqiten shumë më shumë në raport.
 
Shwartz e quan kontradiktor faktin që raporti merret me ndërveprimin ndërmjet importit të ideve ekstremiste në Kosovë (ndikimet e jashtme), në njërën anë, dhe shpjegimet sociologjike (kushtet e brendshme), në anën tjetër, për të shpjeguar arsyen pse dikush i përqafon idetë ekstremiste, e si i përqafon. Mirëpo, këtu sërish z Shwartz nuk jep asnjë argument të vetëm për ta mbështetur pohimin e tij, se pse kjo duhej të ishte kontradiktore. A mos z. Shwartz beson se vetëm prania e një ideje mjafton për ta shpjeguar përqafimin e një ideje të caktuar? Mbetet e panjohur! Në fakt, ka qenë e pritshme që një raport i cili nuk adopton lexim esencialist të fenomenit do t’i destabilizojë disa predikate esencialiste të vendosura deri sot. Veç kësaj, vështrimi kritik thotë, në mënyrë intriguese, se raporti “justifikon dobishëm ekstremizmin mysliman”, sepse merr për faktorë “ndikimet e brendshme në nivel shoqëror, familjar, dhe individual” për të shpjeguar përqafimin që kosovarët u bëjnë ideve të importuara ekstremiste në Kosovë. Eshtë mahnitëse si z. Shwartz arrin tek një konkluzion i tillë!
Shwartz i shqyen dhe i copëton pohimet e tij për “shfajësimin” që gjoja raporti po i bëka ekstremizmit kur ai fillon të merret me rekomandimet e raportit se si të luftohet ekstremizmi. Si mundet dikush ta shfajësojë ekstremizmin, në njërën anë, e, në anën tjetër, të rekomandojë se si të luftohet ekstremizmi? Përveç kësaj, vështrimi kritik nuk dështon të më çudisë kur ai kritikon rekomandimin e raportit që thotë se autoritetet shtetërore dhe strukturat e tjera shoqërore duhet të adoptojnë qasje përfshirëse, që z. Shwartz e emërton si qasje “të butë” për ta luftuar fenomenin. Z. Shwartz e kritikon raportin në mënyrë të egër për faktin se ai nuk ka rekomanduar që Shtetet e Bashkuara të përdorin po ato resurse që kanë përdorur kur e kanë ndihmuar Kosovën të çlirohet nga Serbia në 1999-ën. Domethënë, ai sugjeron që është dashur të rekomandohen bombat (tash, dronët), tanket, snajperët, ushtarët, dhe gjëra të ngjashme, si zgjidhje e ideve ekstremiste në Kosovë. Më duhet të supozoj që z. Shwartz është nga pak njerëz, nëse jo i vetmi, i mbetur në botë që beson se intervenimi i ashpër në Irak mes viteve 2003-2013 ka qenë i suksesshëm, dhe se ISIS-i ka dalë nga ndonjë mendim strategjik i myslimanëve sunitë duke jetuar në paqe në Sham. Atij i mungon krejtësisht po ashtu kuptimi i kontekstit në Kosovë, dhe i gjetjeve të raportit në këtë drejtim, e që është një befasi.
Veç kësaj, vështrimi kritik vë në pikëpyetje qasjen “riintegruese dhe rehabilituese” që rekomandon raporti, duke pyetur kështu në mënyrë retorike, “por nëse një mysliman ka shkuar në Siri për të luftuar për ISIS-in, si është e mundur që burgosja e atij personi ta rrisë nivelin e fanatizmit të tij?”. Z. Shwartz dështon të mendojë, e lëre më të përdorë shembuj, për ndryshimet në nivelin e fanatizmit të të burgosurve të Guantanamo-s para dhe pas burgosjes së tyre, ose dhe për faktin që vetë ISIS-i ka lindur në qendrën e “famshme” të paraburgimit të kampit “Bucca”. Apo që vrasja e Osama bin Laden-it  nuk e ka zgjidhur problemin e ekstremizmit: nëse njëri mendon për nivelin e ekstremizmit që rrjedh nga myslimanët sunitë të radikalizuar në Lindjen e Mesme – nga ajo që kemi pasur deri në vitin 2011, para se të vritet Osama bin Laden – dhe ajo që kemi sot (ISIS-in e pamëshirshëm që në ditët e sotme do ta bënte Osama bin Laden-in të duket si një ekstremist të zbutur). Sigurisht që raporti nuk pohon se çdo burgosje prodhon pasojë të padëshiruar, mirëpo raporti refuzon fuqimisht të merret me këtë fenomen me një qasje bardhë e zi. Z. Shwartz nuk arrin ta kuptojë frymën e raportit, për të prodhuar rekomandime të qarta, të cilat do ta përfshinin komunitetin islam, si liberalët ashtu edhe konservatorët jo të dhunshëm, për ta luftuar ekstremizmin, dhe jo t’i bombardojmë ata pa dallim; çka sërish, në kontekstin e Kosovës, do të ishte në vetvete një qasje e çmendur.
 
Vështrimi kritik bën një gabim faktik kur thotë se, “një strategji e tillë ka dështuar gjithandej ku është zbatuar, nga Arabia Saudite e deri tek Britania. Rehabilitimi i terroristëve nuk kryen punë. Hapat e rëndësishëm për t’i shkatërruar ata kryen punë”. Për shembull, një raport i vitit 2010, i bërë nga Instituti Hoover i Universitetit të Stanford-it, pohon absolutisht të kundërtën e asaj çka z. Shwartz thotë për dështimin e programeve të rehabilitimit në rastin e Arabisë Saudite. Ky raport thotë se programi i rehabilitimit i Arabisë Saudite dhe metoda e tij ka qenë “i suksesshëm në mënyrë të mrekullueshme”, duke e pasur kështu shkallën e recidivizmit në mesin e terroristëve të rehabilituar vetëm 10-20 për qind. Po ashtu, revista The Washington Post ka raportuar në vitin 2014 se vetëm 12 për qind e terroristëve të rehabilituar në Arabinë Saudite i janë kthyer terrorit. Z. Shwartz gjithashtu dështon t’i lexojë burimet e raportit kur flitet për suksesin e shembullit të projektit rehabilitues të Danimarkës.
 
Shwartz nuk dështon ta shpalosë qëndrimin e tij anti-Obama përgjatë vështrimit të tij kritik, duke e përfunduar atë me një thënie përbuzëse, “ata që janë përgjegjës për raportin, përfshirë ambasadën e SHBA-së në Kosovë, me botimin e këtij raporti i kanë bërë dëm popullit të Kosovës, që është aleat i Amerikës…,” dhe vazhdon të thotë se, “nuk do të jetë e befasishme nëse raporti injorohet ose mohohet nga shumica e popullsisë në Kosovë, që e kundërshton ISIS-in.” Në mënyrë jo të befasishme, raporti në fakt ka tronditur vetëm pak njerëz në Kosovë që merren me këtë çështje (pra, nga ata që i shohin gjërat bardhë e zi), për shkak të gjetjeve të reja të tij. Është ende herët për ta thënë, mirëpo, përderisa po shkruhet ky tekst, raporti në përgjithësi është konsideruar si një prej raporteve më të rëndësishme të botuara në Kosovë, dhe, çka është me peshë, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin e Ballkanit. Ambasada e SHBA-së ka dhënë vetëm fondet për hulumtim për qëllimet e këtij raporti, dhe në asnjë mënyrë nuk e ka porositur këtë raport, e as që ka pasur ndikim në analizën e tij, duke e bërë të pasaktë kështu pohimin e z. Shwartz për reflektimet e politikës së administratës së SHBA-së në këtë raport. Duke qenë shumë afër komunitetit islam në Kosovë (liberalët dhe konservatorët), kryesisht për qëllimet e këtij raporti, mund të them vetëm se ky raport i ka qetësuar edhe ato pak zëra antiamerikanë brenda komunitetit konservator islam në Kosovë.
Ata që e bënë këtë raport besojnë se nëse ambasada e SHBA-së dhe qeveria e Kosovës i ndjekin rekomandimet e këtij raporti dhe frymën e tij të përgjithshme, kjo do të përfaqësonte ndihmën e radhës më të rëndësishme të qeverisë amerikane për popullin e Kosovës pas asaj së dhënë me intervenimin ushtarak të 1999-ës. Raporti ka marrë në fakt kritika të ashpra, me konspiracione të ndryshme, siç dikush mund ta imagjinojë, dhe është shpërfillur krejtësisht nga ata që e mbështesin ekstremizmin, e vetë ISIS-in. Në anën tjetër të spektrit, ne kemi pranuar kritika interesante, me njohuri më të thella, nga njerëz të cilët janë të interesuar të punojnë mbi këtë çështje dhe të merren seriozisht me kompleksitetin e tërë asaj çka përmban, në vend që të shpërfillet krejtësisht në mënyrë retorike. /tesheshi.com/
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit