14.7 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Nga “shoqëria e informacionit” në “shoqërinë e vëzhguar”

Më të lexuarat

“Shoqëria jonë nuk përbehet vetëm nga vëzhguesit por edhe nga skanuesit…Në fakt nuk jemi në një skenë të teatrit por jemi në një makinë në të cilën shihet gjithçka. Fuqia e kësaj makine funksionon në çdo fushë të jetës. Që kur jemi pjesë e kësaj mekanizmi, e bartim edhe fuqinë e saj…Michel Foucault

Shkruan: Flora Hajdarmataj / Tropojë

Në ditët e sotme zhvillimi marramendës i teknologjisë, ka ndryshuar edhe dinamikën e jetës së përditshme. Nga ajo që e kemi quajtur “shoqëri e informacionit” është shndërruar në “shoqëri e vëzhgimit”. Koncepti “Shoqëria e vëzhguar” në botën moderne ka mbuluar të gjitha format e jetës. Në bazë të kësaj Syri është çdo kund, në çdo sferë dhe nuk mund t’i ikësh. Për secilin nga ne mblidhen të dhëna dhe regjistrime. Udhëtimet që bëjmë, dukë ngrënë, duke blerë, duke folur në telefon, duke punuar, duke ecur në rrugë, në sport … çdo kund. Ashtu siç shprehet Robert O’Harrow në librin e tij “Nuk ka vend për t’u fshehur”.  Në fillim fjala vëzhgim në literaturën franceze (anglisht: surveillance) ishte përdorur për përcjelljen e një njeriu nga afër. Ndërsa, sipas fjalorit Concise Oxford vëzhgimi përkufizohej për të dyshuarin që ta mbash nën vëzhgim. Por, në ditët e sotme fjala vëzhgim ka marrë konotacion negativ. William Staples vëzhgimin e lidh me pushtetin. Sipas tij, vëzhgimi nuk është njëdrejtimësh p.sh. një mësues duke përdorur një program kompjuteri vëzhgon nxënësit e tij, por është i vetëdijshëm që vëzhgohet performanca e tij nga i njëjti program. Ky shembull vetëm për vëzhgimin në aspektin e përgjithshëm.

Pas shek. XX, vëzhgimi ka filluar rëndësi dhe është zhvilluar apo sofistikuar ndër vite në mënyrë të fshehtë dhe baza e përhapjes së tij është zhvillimit teknologjik i kompjuterëve dhe komunikimit. Sigurisht, shumica e studiuesve si moment kritik për vëzhgimin i referohen sulmit të 11 shtatorit si para dhe pas tij, në të cilin, efekti i madh i retorikës terroriste, i cili u qarkullua pas sulmit, në emër të “sigurisë” ka çuar në legjitimitetin e teknikave të reja mbikëqyrëse/vëzhgimit. Kështu, pushtetet dhe qeveritë kanë adoptuar teknika të ndryshme vëzhgimi, siç janë skanerët e trupit, sistemet biometrike, hartat kompjuterike, nxjerrja e të dhënave, vendndodhjes, analiza e ADN-së dhe vëzhgimi i kamerave. Kështu që, të gjitha aktivitetet e tona të përditshme regjistrohen nga sisteme të ndryshme. Të dhënat e telefonave, të kartave, të gjitha postimet në rrjetet sociale edhe veprimet në internet janë duke u regjistruar për secilin nga ne si të dhëna. Po ashtu ne jemi të vëzhguar nga kamerat e sigurisë, në rrugë, në kafe, në vendin e punës apo në aeroporte etj… Prandaj, vëzhgimi është bërë një nga temat më të diskutuara dhe debatuara në vitet e fundit. Sipas studiuesit David Lyon, më parë ishin më shumë politikanët apo njerëzit e zgjedhur që monitoroheshin dhe në këtë kontekst bëhej shkelja e privatësisë ndërsa në ditët e sotme situata ka ndryshuar, tashmë ka filluar të monitorohen dhe përgjohen jeta e çdo individi të zakonshëm.

Koncepti Panoptikon

Filozofi anglez, Jeremy Bentham në vitin 1785 shpiki konceptin Panoptikon (të shohësh të gjithën), që tregon si mund të vet kontrollohen veprimet e individëve të cilët në mënyrë sistematike vëzhgohen. Pas tij, Foucault duke interpretuar konceptin e mbikëqyrjes/vëzhgimit të dizajnuar sipas burgut të Benthamit, e sheh pushtetin si një mekanizëm që ushtron presion mbi individët, grupet dhe klasat, dhe që nuk i lejon hapësirë veprimit dhe i mban nën kontroll. Tipari themelor i modelit të Panoptikonit është i dizajnuar në hapësira të mbyllura. Sipas Foucault, në vend të mënyrave të vjetra të dënimit pas kryerjes së një krimi, forma e monitorimit dhe e vëzhgimit të vazhdueshëm të lëvizjeve të individit (ose vetëm mendimi që jemi vazhdimisht të vëzhguar ) është një praktikë më e fuqishme dhe më e përpunuar e pushtetit, e cila ndikon që në fazën e parë të shfaqjes së dëshirës për të bërë një veprim të ndaluar.

Por, modeli i Panoptikonit nuk ka fuqinë për të shpjeguar funksionimin e vëzhgimit /mbikëqyrjes në ditët e sotme. Sipas shpjegimeve të Zygmund Bauman dhe David Lyon, koncepti i Panoptikon-it mund të përdoret ende në disa situata, por nga ai mund nxjerrim edhe konceptet e tjera si synoptikon, ban-optikon dhe superpanotikon, për të shpjeguar vëzhgimin që mund të shihet në shoqërinë e sotme. Me pak fjalë, Panoptikon nuk është i mjaftueshëm për të shpjeguar realitetin e sotëm, por vetën në vendet e mbyllura si, burgjet, spitalet, kompanitë e ndryshëm etj. Prandaj, për të shpjeguar teknikat e reja të vëzhgimit duhen përdorur konceptet e reja.

Konceptet e reja të vëzhgimit

Meqë kufijtë kombëtarë bëhen të paqartë në procesin e globalizimit, i cili udhëhiqet nga teknologji të reja të mbikëqyrjes, futen në funksion konceptet e reja të vëzhgimit:  Ban-optikon, Sinoptikon dhe Superpanoptikon.

Koncepti Ban-optikon i zhvilluar nga Nancy dhe Agamben,  Ban ( i ndaluar) dhe optikon (vend), ndryshe nga Panoptikon (të mbash brenda dhe të shikosh të gjithën) shërben për të “mbajtur larg” ata që konsiderohen “anormal dhe të rrezikshëm” në bazë të dhënave që nxjerrin nga profile të ndryshe. Kështu që, ata që paraqesin rrezik i largon dhe kryesisht përdoret në qendrat tregtare, në super-markete, apo kampe të refugjatëve etj.

Sinoptikon (shumica e shikon pakicën) është i ndryshëm nga Panoptikon, në vend se të funksionoje në hapësira të kufizuara, vepron në nivel global. Ka shumë shembuj në botën e medias që i përshtaten këtij modeli. Duke filluar nga programet që shfaqin jetët private të personave të famshëm dhe nga programet që marrin persona të zakonshëm duke i mbyllur në një shtëpi të mbushura më kamera që i vëzhgojnë 24 orë siç janë: Big Brother, Survivor etj. Shembujt më të mirë të monitorimit janë kamerat e “sigurisë”, apo aplikacionet e ndryshme si Google Streetview, të cilat po ashtu dërgojnë pamje dhe në këtë rast i vëzhguari shndërrohet në vëzhgues.

Në kohën kur vëzhgimi ka tejkaluar kufijtë hapësinorë dhe nisur nga klasifikimi i të dhënave të profileve të ndryshme të njerëzve  dhe nga gjurmët e lëna gjatë aktiviteteve të tyre të përditshme, që përcillen nga sistemet komunikimit, në një epokë ku mund të regjistrohet dhe analizohet me anë të sistemeve kompjuterike, ku funksionojnë PanoptikonBan-optikon dhe Sinoptikon së bashku, hyn koncepti Superpanoptikon, që i përfshin të gjitha këto. Për shembull, kartat e kreditit, kartat optike (në hyrjet e banesave), sistemet biometrike (në aeroporte) etj., dhe çdo veprim i bërë gjatë jetës së përditshme vëzhgohet. Pra, Superpanoptikoni përfshin çdo lloj vëzhgimi, regjistrimi apo klasifikimi që bëhet gjatë jetës së përditshme.

 Superpanoptikoni në mediat sociale

Njëra nga veçantitë e Superpanoptikonit është në gjendje të sintetizojë dhe analizojë të gjitha llojet e veprimeve që vërehen në jetën e përditshme. Tashmë, njerëzit nuk vëzhgohen, por më tepër vlerësohen, klasifikohen, shndërrohen në objekte të marketingut apo të ideologjive të ndryshme politike. Rasti i fundit i skandalit të rrjetin social “Facebook”, akuzuar se ka lejuar kabinetin britanik “Cambridge Analytica” për të përdorur të dhënat e miliona përdoruesve pa dijeninë e tyre është rast tipik i vëzhgimit dhe kontrollimit të dhënave për qëllime politike. Ky rast lidhet edhe me ne, pasi që behët fjalë për, teknologjinë, mediat sociale, privatësinë, vëzhgimin dhe pushtetin.

Zhvillimi i shpejtë i teknologjisë ka mundësuar që ta bëjë jetën tonë më të lehtë dhe më të rehatshme. Por njëkohësisht, mbikëqyrja/vëzhgimi është përhapur në çdo fushë duke regjistruar të dhënat tona. Prandaj, kjo situatë, e cila përfshin ndërhyrjen në jetën private, konsiderohet shkelje e privatësisë. Kështu që, konceptet e mbikëqyrjes dhe privatësisë janë krah për krah, madje vet shkelja e privatësisë vjen nga mekanizmat e mbikëqyrjes/vëzhgimit. Kjo gjithashtu do të thotë që njerëzit në internet dhe mediat sociale vullnetarisht marrin pjesë në procesin e mbikëqyrjes, duke ndarë informacionin e tyre dhe duke injoruar privatësinë e tyre. Sipas Lyon, të gjitha të dhënat e shpërndara në rrjetet sociale kategorizohen dhe mblidhen nga shkollat, departamenti i policisë, kompanitë, bankat apo departamentet e tjera të qeverive të ndryshme.

Gjithashtu, mund të themi se të gjitha rrjetet sociale po punojnë me “logjikën e tregut” dhe që kompani të ndryshme përdorin të dhënat tona personale për qëllime komerciale dhe për fitimet e tyre. Në këtë mënyrë, Facebook, Twitter, Instagram dhe rrjetet  e tjera sociale na lejojnë të krijojmë profilet tona. Kështu që, çdo foto, video, hobi, ushqim që pëlqejmë, muzikë që dëgjojmë dhe pikëpamjet tona fetare-politike ruhen dhe klasifikohen në profile. Çdo gjë që postojmë nga jeta jonë e përditshme i ndihmon ata me shumë. Bauman dhe Lyon gjithashtu shpjegojnë se si funksionon kjo mbikëqyrje në proceset e konsumit në internet. Blerja e një produkti në mjedisin virtuale sjell me vete produktin / reklamuesin e atij produkti në të njëjtën kohë. Çdo produkt i konsumuar ruhet në një bazë të madhe të dhënash dhe marketingu realizohet në bazë të këtyre të dhënave nga kompani të tilla si Amazon, Facebook, Google. P.sh., Google “ju kursen” duke ruajtur të dhënat që kërkoni, duke paraqitur rezultate të ngjashme që mendoni se do të punojnë dhe duke bërë rekomandime.

Përfundimisht mund të themi se, duke ju referuar teknologjisë së vëzhgimit janë shkaktuar dy efekte: e para, shkeljen e të dhënave personale (privatësinë) dhe aq me tepër që shpërndarësit e këtyre të dhënave jemi vet ne. Efekti tjetër është se, ne jeni shndërruar në vëzhgues të epur të të tjerëve me mundësitë që ka ofruar ky sistem. Pra, në botën virtuale i vëzhguari shndërrohet në vëzhgues edhe anasjelltas.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit